Petrit Malaj: Si do të shpallen fituesit e Universitetit të Arteve, nga data 27 gusht-1 shtator

606
Sigal

INTERVISTA/Flet Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, për veçoritë e konkursit

Konkursi për degët e Universitetit të Arteve do të zhvillohen nga data 27 gusht deri në datën 1 shtator. Një fakt të tillë na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, rektori i Universitetit të Arteve Prof. Petrit Malaj. Sipas zotit Malaj, fituesit e konkursit do të zgjidhen nga një komision i posaçëm. Në këtë universitet studentët zgjidhen në bazë të konkursit që zhvillojnë dhe vetëm 30% të pikëve që u duhet për t’u pranuar i kanë nga notat e maturës. Sipas rektorit të universitetit të Arteve Malaj, ka dhe kuota të posaçme për studentët që vijnë nga trojet. Numri në total i studentëve të rinj për në universitetin e Arteve është rreth 210 studentë, që do të jenë të përcaktuar sipas degëve përkatëse që ka ky universitet.

 

-Zoti Malaj kur do të zhvillohen konkurset në Universitetin e Arteve, për vitin e ri akademik?

-Universiteti i Arteve do të fillojë konkurset për pranimet për vitin e ri nga data 27 gusht deri më datën 1 shtator. Kjo datë është bërë publike edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por më parë se të shkohet tek konkursi, pjesëmarrësit në konkursin e Universitetit të Arteve duhet të regjistrohen.

-Sa studentë do të pranohen nga konkursi që do të zhvillohet në Universitetin e Arteve në datat e mësipërme që përmendët ju?

-Në ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik do të jenë 210 studentë. Unë në numrin e 210 kuotave kam parasysh që këto kuota janë të ndara dhe një numër të konsiderueshëm do të kenë edhe studentët e trojeve, si nga Maqedonia, Kosova etj.. Në fakt studentët e trojeve kanë kuotat e tyre dhe këto konkurrojnë mes njëri- tjetrit, pra është e ndarë dhe është e përcaktuar në rregullore. Pak a shumë kuotat e përcaktuara janë në nivelin që kanë qenë, kjo vjen si pasojë qoftë e mundësive reale që ka Universiteti i Arteve, apo qoftë i tregut që është për këto studentë që nxjerr universiteti ynë. Besoj që kuotat janë të mjaftueshme dhe janë bërë në përputhje dhe me kërkesat që kemi paraqitur ne. Pra, fakultetet i kanë paraqitur në rektorat dhe ne i kemi paraqitur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ato janë të ndarë në bazë të fakulteteve, ku rreth 95 ka Fakulteti i Muzikës, pasi ai është i ndarë në dy departamente, në atë të Muzikologjisë dhe të interpretimit. Pjesën më të madhe e ka Fakulteti i Interpretimit. Ndërkohë që, 64 ka Fakulteti i Arteve të Bukura në tërë programet e studimit që ofron dhe 48 ika Arti Skenik, në programet e studimit si në regji, regji filmi dhe  televizioni, në aktrim, në skenografi, kostumografi apo dhe në koreografi.

-Sa është tarifa e regjistrimit tek Universiteti i Arteve për konkurrentët?

Çdo konkurrent duhet më parë të bëjë regjistrimin pranë sekretarive të Universitetit të Arteve. Regjistrimi kushton 5 mijë lekë të reja. Kriteret e konkursit janë shpallur që muajin prill, po ashtu janë dhe në sekretaritë dhe aty bëhen me dije çdo gjë që duhet për konkursin është e publikuar.

-A ka ndonjë risi në konkursin e sivjetshëm për studentët që do të konkurrojnë për në Universitetin e Akademisë së Arteve?

-Në thelb vjet ne kemi pasur një paqartësi tek njëri nga fakultetet përsa i takon momentit të moslejimit të hyrjes në fazën e dytë të disa kandidatëve tek departamenti i interpretimit për të vazhduar konkursin. Por këtë ne e kemi zgjedhur tashmë që vjet dhe absolutisht kjo nuk do të ndodhë më. Eliminim nuk do të ketë aty do të mblidhen pikët. Faza eliminuese që vjet ka qenë tek Fakulteti i Muzikës, nuk është më për këtë vit, në rregulloren e përcaktuar ajo është lëndë që do të jetë pjesë e programit. Pra nuk do të ketë më faza eliminimi dhe kjo është miratuar edhe nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

-Studentët që paraqiten në Universitetin e Arteve, duhet që të kenë dhe talent, a paraqiten shumë konkurrentë të talentuar këtu?

-Një pikë tjetër evidente është edhe evidentimi i atyre talenteve që paraqiten dhe kjo është një pjesë mjaft e rëndësishme e të gjithë komisioneve për të bërë përzgjedhjen e duhur. Në marrim nga Agjencia e Pranimit të Studentëve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në momentin e duhur relacionet përkatëse mbi kandidatët që do të regjistrohen për të konkurruar këtu. Pra ato nuk regjistrohen tek ne pa na ardhur lista nga Agjencia pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe kjo bëhet nga kërkesa që kanë bërë maturantët në formularët për dëshirat për të vazhduar arsimin e lartë. Kjo listë pasi kalohet tek ne bëhet regjistrimi i maturantëve. Para dy ditësh kam zhvilluar një takim me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, për elementët e konkursit dhe është rënë dakord që provimi të jetë në fund të gushtit. Nuk do më pëlqente që ta jepja unë datën, pasi ajo vendoset nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por do të jetë në pesë apo gjashtëditëshin e fundit të gushtit.

-Po përsa i përket masterit në këtë universitet, si janë kuotat, a do të kenë rritje?

-Për masterin ende po punojmë, ende nuk i kemi përcaktuar saktësisht. Kam kuotat e fakultetit të Arteve të Bukura, ku do të jenë rreth 70 kuota për vitin që do të vijë. Por më duhet të theksoj që ne në master nuk pranojmë vetëm studentët e Universitetit të Arteve, por marrim studentë dhe nga universitetet e tjera. Por këto i marrim padyshim duke bërë dhe komisionet përkatëse dhe duke shikuar me kujdes dosjet e tyre. Këto bëhen brenda rregullave dhe kritereve që ka Universiteti i Arteve për masterat dhe pranimet që mund të bëjë. Fakulteti i Arteve të Bukura do të ketë rreth 70, fakulteti i Artit Skenik do të ketë rreth 50 për master, për fakultetin e muzikës nuk mund të jap një shifër të saktë për momentin.

-Po përsa i përket doktoraturave, si do të procedohet dhe sa do të jetë numri i tyre për Universitetin e Arteve?

-Kemi ngritur grupet e punës në fakultete dhe jemi në proces të ndërtimit të dosjeve, për të parë më kujdes tërë kushtet reale që kemi për shkollën e Doktoraturës. Unë mendoj se Universiteti i Arteve, jo vetëm që e ka detyrim ligjor, por e meriton që të ketë shkollën e doktoraturës. Ne do ta bëjmë realitet shumë shpejt ndërtimin e kësaj shkolle.

 

27 gusht-1 shtator zhvillohet konkursi

Universiteti i Arteve do të fillojë konkurset për pranimet për vitin e ri nga data 27 gusht deri më datën 1 shtator. Kjo datë është bërë publike edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

 

210 pranime tek Universiteti i Arteve

Në ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik do të jenë 210 studentë. Pak a shumë kuotat e përcaktuara janë në nivelin që kanë qenë, kjo vjen si pasojë e mundësive reale që ka Universiteti i Arteve.

 

5 mijë lekë tarifa e regjistrimit

Regjistrimi kushton 5 mijë lekë të reja. Kriteret e konkursit janë shpallur që muajin prill, po ashtu janë dhe në sekretaritë dhe aty bëhen me dije çdo gjë që duhet për konkursin

 

 

Cilat janë të veçantat e provimeve tek Artet

Më dy fjalë mund të them që provimet në universitetin tonë janë provime të hapura, janë provime publike, ku në to përveç anëtarëve të jurisë mund të marrin pjesë prindër, artdashës dhe shumë persona të tjerë të interesuar për studentin që jep provimin. Kjo gjë ndodh në të gjitha fakultetet e universitetit tonë, këtu nuk ka provime të mbyllura, përjashto provime të lëndëve teorike dhe që kanë një klauzolë tjetër. E cilësoj si moment pasi ne punojmë nëntë muaj për të ardhur në këtë moment dhe ajo që e karakterizon këtë situatë është shpërfaqja maksimale e vlerave dhe e vetive interpretative dhe ekzekutuese të studentëve në Universitetin e Arteve. Pra çdo student në vitin e parë, të dytë, të tretë apo në “Bachelor” ne kërkojmë që të na shpërfaqin në maksimum vlerat dhe vetitë e tyre.