Mbledhja e KLD, Halimi: Transferimet e gjyqtarëve dhe masat disiplinore

60

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e djeshme plenare trajtoi një axhendë të ngjeshur dhe me çështje shumë të rëndësishme për funksionimin e sistemit gjyqësor. Me votat unanime të të gjithë anëtarëve, u vendos të shtyhet për një mbledhje të ardhshme diskutimi, mbi përcaktimin e vendeve vakante që do vihen në dispozicion, të 8 kandidatëve për magjistrat, që kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, 2011 – 2012, profili gjyqtar. Shkak për shtyrje u bë propozimi i Ministrit të Drejtësisë, meqenëse prej këtij institucioni po realizohet një studim i përgjithshëm, mbi numrin e nevojshëm të gjyqtarëve në çdo gjykatë të rrethit gjyqësor dhe apelit. Ky studim i kryer në bashkëpunim me ekspertët e misionit EURALIUS, ka për qëllim të rrisë efektivitetin e punës në gjykata, duke i garantuar publikut një shërbim më cilësor e më të shpejtë.  Ndërkohë, Këshilli përcaktoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer stazhin profesional si gjyqtar, të kandidatëve për magjistratë, të cilët kanë përfunduar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës 2011 – 2012. Problemi më i ndjeshëm dhe më i diskutueshëm i rendit të ditës, lidhej me përcaktimin rregullave objektive, në lidhje me shqyrtimin e kërkesave për transferim të gjyqtarëve. Pas diskutimeve të shumta, me votat unanime të të gjithë anëtarëve të Këshillit, u përcaktuan kriteret në shqyrtimin e kërkesave të kësaj natyre. Aftësitë në ushtrimin e profesionit, vjetërsia, si dhe rrethana të tjera që lidhen me vendin e ushtrimit të detyrës apo kushte familjare, të marra në konsideratë me pikëzim, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, do t`i shërbejnë Këshillit në vendimmarrjen me objektivitet, për plotësimin e vendeve vakante në gjykata. Këshilli unanimisht, vendosi të ndryshojë procedurën e dhënies së lejeve jo të zakonshme, për gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit. Në vijim, si pasojë e paraqitjes së kandidaturave të vetme, si konkurrent për drejtimin gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apelit, apo për shkak të hapjes së konkurrimit, shumë kohë më parë, Këshilli unanimisht vendosi të rihapë kandidimin për funksione drejtuese në disa gjykata, me qëllim mundësimin e paraqitjes së kërkesave nga çdo gjyqtar i interesuar. Si pasojë e shqetësimeve të përsëritura të paraqitura në Inspektorat nga subjekte të ndryshme, u vendos të inspektohet veprimtaria gjyqësore e realizuar nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Xheladin Karkini, për periudhën 01.01.2011 – 31.07.2012. Këshilli i kushtoi rëndësi të veçantë shqyrtimit të kërkesave për procedimin disiplinor të Ministrit të Drejtësisë, ndaj disa gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore. U konkludua me vendimmarrje në shqyrtimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, për procedimin disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Luan Lusha, për të cilin unanimisht, Këshilli vendosi masën disiplinore “vërejtje”. Po kjo masë disiplinore, u vendos edhe për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Fida Osmani. Këshilli vendosi shtyrjen e shqyrtimit të dy kërkesave për procedim disiplinor, si pasojë e paraqitjes së raporteve mjekësore nga gjyqtarët e proceduar.