Nishani takohet me Ivanov në Ohër: Të shmangen incidentet etnike

456
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje në Ohër një takim me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Ky është takimi i parë ndërmjet dy presidentëve Nishani-Ivanov në vijim të traditës për mbajtjen e dialogut politik midis dy vendeve në nivelin më të lartë. Të dy Presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare. Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov ranë dakord që të punojnë për zbatimin e projekteve rajonale të “Korridorit 8” dhe lidhjen e autostradës “Adriatiko-Joniane” me “Korridoret 8 dhe 10”. Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë fqinje dhe vlerëson se ato janë solide, dinamike në planin dypalësh dhe shumëpalësh. Presidenti i Republikës vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe inkurajoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë në vend.  “Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurt ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë”, – shprehu bindjen Presidenti Nishani dhe theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Nishani u shpreh gjithashtu se dialogu politik, përgjegjshmëria institucionale dhe veprimi i shtetit ligjor për të gjithë njëlloj, duhet të ndihmojnë në shmangien e incidenteve dhe ruajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në vend.