Dy punonjës të Policisë në Pikën Kufitare të Kapshticës janë arrestuar nga SHÇBA, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre’. Në pranga kanë përfunduar Robert Demiraj me detyrë kontrollor në vijën e dytë dhe Mihallaq Necofski me detyrë shoqërues qeni. Sipas njoftimit të policisë, dy punonjësit nuk kanë kontrolluar një mjet që kaloi kufirin, ndërsa policia greke gjatë kontrollit konstatoi në karrocerinë e mjetit 60 kilogram kanabis.
Njoftimi:
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) Korçë, arrestuan 2 punonjësit e Policisë në Pikën Kufitare të Kapshticës, Robert Demirajn me detyrë kontrollor në vijën e dytë dhe Mihallaq Necofski me detyrë shoqërues qeni.
Arrestimi i tyre është bërë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi duke qenë me shërbim nuk kanë kontrolluar dhe kapur një automjet me drogë, i cili u bllokua nga Policia greke.
Në automjetin që drejtohej nga shtetasi R.H. 24 vjeç dhe pasagjer L.S. 32 vjeç, pas kontrollit policia greke konstatoi në karrocerinë e mjetit 60 kilogram kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.