Krimi merr përmasa dramatike në Elbasan

683
Qarku i Elbasanit ka një rritje dramatike të llojeve dhe natyrave të krimit, aq sa oficerë të  policisë janë të gatshëm ta pranojnë dështimin në përpjekjet e tyre për t’i frenuar, identifikuar  dhe arrestuar autorët e krimeve. Aq e vërtetë është kjo, sa shpesh policia në Elbasan është e gatshme të rrijë gjithë ditën në dyert e shkollave dhe stadiumeve, dhe të lërë zbuluar zonat ku krimi tashmë është bërë “zot” dhe i paprekur. Nuk ka ditë që qytetarët e Elbasanit, Cërrikut, Peqinit, Librazhdit, Gramshit, të mos përballen me akte kriminale, me grabitje, vjedhje, plagosje, kanosje, mashtrime, falsifikime, presione me armë dhe metoda të tjera. Të gjitha këto të kryera nga grupe dhe individë me precedentë kriminalë, të dënuar ose të arrestuar 3-4 herë, të liruar nga sallat e gjyqeve ose birucat e komisariateve për “mungesë provash”.

 Si gjithmonë policia vjen e fundit, vjen me furi të madhe, vjen me sirena, dhe gjithmonë mbledh “gëzhojat”, mbledh provat dhe kryen hetime që vetëm hetime nuk janë. Këtë mangësi e ka edhe organi akuzës, edhe ata bashkë me uniformat blu, duket sikur kanë ngritur duart lart para krimit. E fundit që i vë vulën gjithë kësaj katrahure, nga e cila e pësojnë qytetarët, tregtarët, biznesmenët, institucionet, është gjykata. Ka raste kur edhe pse, polici-prokurori, e zbulojnë të vërtetën e pjesshme, dhe e dërgojnë në gjykatë rastin, autori ka dalë dhe është lënë i lirë. Kjo ka ndodhur të paktën në 46 raste gjatë vitit 2015, dhe në mbi 14 raste gjatë 65 ditëve të para të vitit 2016. 

Furia e krimit nuk njeh ligje, nuk njeh shtetin, nuk njeh frikën dhe forcën e tyre, duke krijuar tek qytetarët e Elbasanit një klimë terrori psikologjik dhe shpesh edhe fizik. Vetëm në 10 ditët e fundit në shkallë qarku Elbasanit ka pasur mbi 5 raste grabitjesh, ku e fundit ishte ajo e ndodhur 
ditën e martë në Cërrik, me pasojë vrasjen e një hallexhiu nga dy kriminelë në banesën e tij. Policia dje tha se “u zbulua e vërteta e ngjarjes (?) “Vjedhje me pasojë vdekjen”, si dhe inskenimi i versionit të ngjarjes që të dukej si aksidentale”. Ajo sqaroi se “ngjarja ka ndodhur në fshatin Shalës Cërrik, ku u gjet i vdekur në banesë shtetasi B.SH, 56 vjeç, nga hetimet e kryera lidhur me këtë ngjarje, janë vënë në pranga dy personat e dyshuar, Naim 
Çekrezi, 56 vjeç dhe Ilir Çekrezi, 25 vjeç, banues në Cërrik. Dy të ndaluarit dyshohen të kenë vrarë B.Sh. gjatë momenteve të vjedhjes së banesës së tij dhe më pas kanë inskenuar vendin e ngjarjes, duke e bërë të dukej si ngjarje aksidentale. Por pas veprimeve hetimore u arrit në 

konkluzionin se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë kriminale, pasi viktima ishte goditur me sende të forta, vjedhur një sasi prej 250 mijë lekësh të reja dhe 1880 euro”. Si gjithmonë blutë kanë kryer edhe kontrollet rutinë, duke sekuestruar rrobat e përdorura në momentin e kryerjes së krimit, 250 mijë lekë të reja, 1880 euro”. Të vrasin për 250 mijë lekë në Cërrik, të vrasin për 150 mijë lekë në Peqin, të grabisin dhe të vrasin për 100 euro në Elbasan, të vrasin dhe të groposin për 170 mijë lekë në Librazhd, dhe sikur ti mbledhësh të gjitha rastet natyrisht rezultojnë shumë viktima. Ku është policia, ku janë grupet e gatshme, ku janë agjentët e lagjeve dhe inspektorët e policisë ? Shpesh grumbuj policësh do t’i shikosh në dyert e shkollave qysh në mëngjes, ku thonë se “jemi në shërbim”, por realisht ata nuk harrojnë të ulen edhe në lokalet e Baste-Live, nga ku mbushin biletat e lotove, apo tek shtrohen në biseda të gjata me tregtarë ambulantë. Në pamjen e parë të duken të pamotivuar, kur dëgjon se gjatë natës kanë ndodhur vjedhje, grabitje apo përplasje në grup për trafik droge apo femrash. Rasti “Cërriku” tek ndodhi edhe grabitja edhe vrasja e personit nga elementë kriminalë, nuk mbetet i veçuar, pasi ka rritje të kontingjentit kriminal në shkallë qarku. Mungesa e specialistëve,mungesa e skemave profesionale për goditjen e krimit, ka si prapavijë të saj edhe korrupsionin në radhët e efektivave. Burime të besueshme i thanë “Telegraf” gjithashtu se “shumë vepra penale ndodhin nga persona, që kanë mbështetje të fortë politike dhe nga njerëz me shumë para, që arrijnë të mbyllin çështje, asgjësojnë provat materiale, t’u mbyllin gojën dëshmitarëve, t’i mbyllin gojën edhe ndonjë drejtuesi që guxon të vendosë zbatimin e ligjit. Këta të fundit tremben dhe presionohen me faktin se “mund edhe të largohesh nga Elbasani drejt ndonjë qyteti të vogël”. Ky është (quhet) pushteti i krimit, pushteti i parave të pista që nuk po ndalet, nuk po frenohet dhe po tenton të blejë oficerë dhe drejtues të paaftë, duke i hapur rrugën anarkisë, kaosit, frikës, dhunës.
Sigal