PD, Alibeaj: Krimi në partneritet me Ramën e Tahirin

394
Sekretari për rendin dhe sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj, duke komentuar ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Tiranë, ka bërë përgjegjës kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri, të cilët sipas tij nuk shqetësohen aspak për gjendjen e rendit dhe sigurisë. 
“Një seri atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv kanë tronditur Tiranën, duke mbjellë terror e frikë dhe duke shtuar pasigurinë publike. Ky përkeqësim i rendit dhe i ligjit e ka kthyer kryeqytetin dhe vendin në ditën më të keqe të sundimit të bandave dhe kriminelëve. Atentatet me armë e me eksploziv në mes të Tiranës vijnë në kohën e klimës së miqësisë dhe partneritetit që ekziston mes qeverisë, mes Edi Ramës e Saimir Tahirit, me krimin”, ka deklaruar Alibeaj. Sipas tij, “vetëm kjo e shpjegon lehtesinë me të cilën krimi hedh në erë me tritol dhe ekzekuton në zemër të Tiranës, në një serial që përsëritet çdo ditë”. 
“Vetëm në 12 orët e fundit ka patur: një shpërthim tritoli te rruga “5 Maji” ndaj një biznesi, një atentat tek Komuna e Parisit ndaj një biznesmeni, një vrasje në zonën e ish-Bllokut. Ndërkohë që të dielën pati shpërthim me eksploziv tek rruga e Kavajës dhe pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Valë e pahasur më parë e krimit, e rënies së rendit dhe sigurisë publike”, ka thënë Alibeaj. 
Duke theksuar se, qytetarët në Tiranë e mbarë vendin janë të shqetësuar, ai ka shtuar se, “vetëm Edi Rama nuk është”. “Rama ka prioritet luftën brenda partisë, tenderat dhe konçesionet për miqtë. I pashqetësuar nga kjo valë krimi është dhe Saimir Tahiri, i cili ka prioritet miqësinë dhe përfitimet prej krimit dhe jo qytetarët e rendin publik”, ka shtuar Alibeaj.
Sigal