Zyba Hysa/ Poezi

    427
    Sigal

    Përcaktohen fatet…

    Jemi të paaftë të njohim vetveten…
    Vetvetja shpërndarë në gjithë Universin,
    Dhe dashuritë… lindin edhe treten…
    Larg prej trupit tonë… gjurmët tek ne mbesin…

    Ne s’jemi gjë tjetër…veçse një çerdhe,
    Ku si zogjtë shtegtarë vinë e shkojnë kuantet…
    Nga udhëtimi i tyre, siç u ndodh reve,
    Takohen, përplasen… përcaktohen fatet…

    ME GURË… SHKROVA POEZI…

    Më mori jeta… pa më pyetur…
    Ashtu si kurrë nuk pyet dashuria…
    Më mori si skifteri zogun e parritur,
    Nuk më hëngri… rashë nga lartësia…

    Rashë… agonia më pushtoi pa u shuar,
    Plagët më dhembnin përtej dhembjes,
    Mbase kam thirrur, mbase kam rënkuar,
    Kurrkush pranë meje s’është gjendur…

    Një valë e valët… po që nuk digjte,
    Më pushtoi e zgjoi shpirtin… Ç’ishte magji?
    Hapa sytë… greminë… askush s’ishte…
    Mbi shkëmb, me gurë… shkrova poezi…

    Ndaj… mos e qortoni poezinë time,
    Që shpesh harbon… si të ishte rinore,
    Ngatërruam kohën… tani çast rinie,
    Të dyja së bashku… dorë për dore…!

    LUMTURI…

    Shpirti fle…
    Nën puplat e tij,
    Ka pushtuar gjithë ndjesitë
    E ashtu si klloçka zogjtë,
    Shpirti fle mbi shpirt…

    NJË ZEMËR QË ZEMRËS I FLET

    Të ka ndodhur me vetminë të rrish,
    Të pranosh atë, aq sa shpesh e urren?
    Je ndierë në mes të njerëzve si jetim?
    Po, përmbi vale, ke provuar të kërcesh?
    Të ka gëzuar si një pasuri,
    Një diell mëngjesor në park?
    Të ka ndodhur në dashuri,
    Të jesh djegur në bubulak?
    Thuamë… për çfarë të ka ngjarë,
    Më e bukura bukuri në jetë,
    Ta di… që në takimin e parë,
    Të t‘i shprish… asgjë të mos mbesë!