Xheladin Çelmeta/Mirënjohje për ju, nëna dhe mësuese

    590
    Sigal

    Mësueset kanë privilegjin të festojnë në dy ditë kalendarike rradhazi: 7 dhe 8 marsin. Natyrshëm, mbresat dhe emocionet tek ato, janë po aq intensive; si tek njera datë, ashtu edhe tek tjetra. Meditimi im dhe i mijëra bashkëmoshatarëve të mi, sot shtrihet përgjatë një periudhe jo të pakët kohore; që nga mësueset e mësuesit tanë të parë, e deri tek të tjerët më pas, që na dhanë mësim e leksione në auditoret e shkollës së lartë, “për tu bërë kuadro të Atdheut”… Si nëna dhe si mësuese, ato kanë meritën e vlerësimit ndër breza për kontributin e tyre intelektual, por edhe për edukatën që “mëkuan” tek shumë e shumë nxënës e studentë në vite. Liljana Peza, ishte mësuesja ime e parë që më mësoi “Abecenë”. Por ajo është vetëm njera, mes mijëra e mijëra të tjerave më pas si ajo; cep më cep të Shqipërisë. Po ashtu, gjithkush tjetër nga brezi im, ka mësuesen apo mësuesin e parë, që u ka mësuar gërmën “a”. Këtë moment, pa dyshim që askush nuk mund ta harrojë… Se këtu nis “ngjizja”, këtu formësohet “proteina” që na përgatiti për jetën. Gratë shqiptare; si nëna dhe si mësuese, kanë pjesën e tyre në “sendërtimin” e kësaj shoqërie në vite; jo vetëm në arësim, jo vetëm në edukim, por edhe në shumë e shumë fusha të tjera. Janë me dhjetra e dhjetra nëna e mësuese sot, që vazhdojnë ritin e shenjtë të mësimdhënies e të edukimit, njëlloj siç bënin dikur nënat dhe “Mësueset e kombit” motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi. Ato janë anë e kënd Shqipërisë; në shkollat e qyteteve e të fshatrave shqiptare, të zonave rurale e atyre malore; me të njejtin emocion e preokupim, me gjithë vështirësitë e këtij tranzicioni të lodhshëm. Ato janë atje, të palodhura, gjithë energji e pasion ku vazhdojnë të mësojnë e edukojnë fëmijët, nxënësit e studentët…. Kadareja ynë i madh ka një poezi brilate për ta: “Në udhëkryqe, ndanë xhadeve,/ Ditët e shtuna dalin shpesh,/ Dhe zgjasin dorën nga makinat,/ Herë dy nga dy, herë veç e veç”… Në këto ditë të 7 e 8 marsit nuk reshtin mesazhet e urimet për ta, si nëna dhe si mësuese. Mbresat tona, të “shpërndara” nëpër stacionet e jetës, ndalen për një çast tek vitet e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Ishim çilimij, me kapotën dhe këpucët e rënda të ushtarit veshur. Ishim 14 vjeç. Nën ashpërsinë e disiplinës ushtarake, ndjenim të na ngrohte zemrat fjala prej nëne e nëndrejtoreshës së shkollës “Skënderbej”, Gjylyzare Çiço. Për ne ajo ishte gati simboli i një perëndeshe. Klasë më klasë, rreshtim më rreshtim, ajo pedagoge e nderuar na porosiste, na këshillonte, na stimulonte kurajon për t’u bërë njerëz të mirë, të ditur, me norma e vlera qytetare… “Djem, do bëheni kuadro nesër,….mos na turpëroni!…..”. Vitet kaluan. Brezat të tërë oficerësh të dalë nga shkolla “Skënderbej”, e më pas nga ajo e Lartë e  Bashkuar, që shërbyen kudo nëpër Atdhe, nuk e zhgënjyen për asnjë çast nëndrejtoreshë Gjylyzaren… Nuk e turpëruan atë, si dhe të gjithë mësuesit e tjerë të asaj shkolle të lavdishme. I qëndruan strikt moralit atdhetar, u bënë kuadro të vlefshëm dhe sot e kësaj dite mbeten akoma pjesa më elitare e shoqërisë…. Ku je, mësuesja jonë e letërsisë, Sashenka Rino?… Sashenka ishte bijë e “Heroit të Popullit”, Ndreko Rino. Legjendari Ndreko Rino, ishte luftëtar dhe poet, që nga koha e luftës. Njëlloj si Memo Meto, e të tjerë. Mësuese Sashenka, i kish qëndruar besnik talentit të të atit, përderisa edhe vetë kish studjuar në Fakultetin e Gjuhë-letërsisë në Universitetin e Tiranës. Dhe vinte si pedagoge e re letërsie tek ne, skënderbegasit e vegjël të viteve 1970-1974. Vitori Pulaj, një tjetër emër që na ka lënë mbresa. Ishte mësuesja jonë e kimisë. Një nënë dhe mësuese e talentuar… Ashtu, skrupuloze në mësimdhënie, kërkuese në ushtrimet që na jepte, edukonte tek skënderbegasit prirjen e patolerueshme të shkencave ekzakte…. Matematika, një tjetër lëndë “e tmerrshme”. Një kolegu ynë këto ditë e “kurorëzoi” mësuesen tonë të dikurshme të kësaj lënde, Gjeraqina Osmanlliun, (sot mësuese në pension) me “titullin” (plotësisht të merituar) “Mbretëresha e matematikës”. Nëse ju kujtohet filmi shqiptar “Debatik”, shumë i ndjekur në ato kohë në kinematë e Tiranës, përqëndrohuni pak çaste tek një personazh: “Merushja”. Në rolin e asaj adoleshenteje bukuroshe të filmit, luante vetë mësuesja jonë e matematikës, Gjeraqina. Ajo mësuese nuk toleronte, nuk “lëshonte pe” kurrë. “Ju duhet të merrni notën që meritoni”, kjo ishte deviza e saj. E çfarë edukate tjetër më shumë se kaq na duhej?!…. Këto data, 7 e 8 marsit, janë një refleksion i natyrshëm brezash, në këtë stinë të vitit 2013…. Mirënjohje e respekt për ju mësuese Gjeraqina, për ju mësuese Zibo Gjomema, për ju mësues dhe drejtor i shkollës “Skënderbej” Fiqri Shtepani, për ju mësuesit Asimaq Proko, Vladimir Bitri, Jorgji Kona, Bujar Llagami, Hasan Dalti, etj, etj. Marr kurajon për t’ju thënë me bindje se ish-nxënësit tuaj të dikurshëm, nuk ju turpëruan asnjëherë. Ata u bënë aviatorë, marinarë, kundërajrorë, radiolokatorë, topografë, oficerë shtabesh e trupash dhe i shërbyen gjithmonë me zell Atdheut të vet. Pa asnjë dilemë.