Violeta Gjoka:Korrupsioni në Shqipëri,sëmundje ngjitëse

1929
Sigal

Rrëfen Violeta Gjoka: Emisioni i parë në radio, Rubrika Sportive.

 

02- Ahmet Shqarri më thoshte: Mos u mërzit që të dhanë të drejtosh Rubrikën sportive

03-Në moshë fare të re idhujt tanë ishin drejtuesit e televizioneve italiane

04- Korrupsioni dhe pandershmëria në Shqipëri mesa duket janë sëmundje ngjitëse.

 

Albert Z. ZHOLI

 

E lidhur përjetësisht me median në përgjithësi, por me atë të folur dhe vizive në veçanti. Violeta Gjoka kujtohet nga të gjithë si një zë i veçantë në valët e Radio Tiranës, por edhe si një spikere lajmesh në Televizionin Shqiptar, ku ajo ngriti karrierën e saj gazetareske. Edhe pse kanë kaluar vite që Violetën nuk e shohim më në ekran, ajo ka mbetur sërish po aq e freskët dhe energjike si dikur. E qetë në bisedë, kritike në profesion. Ndoshta është ndër të paktat folëse shqiptare që ka paraqitur njëkohësisht edicion lajmesh në radio dhe televizion, duke e lartësuar imazhin e folëseve në publikun shqiptar.

Në biseda mes kolegëve tanë të radios, kam dëgjuar se ke pasur emisione që tek t’i kanë lënë mbresa, po në televizion a ke pasur një emision të tillë?
Po kam pasur. Ka qenë një transmetim mëngjesi i ideuar, projektuar, përgatitur, drejtuar nga unë. Ishte një transmetim pas të cilit unë isha shumë e pasionuar. Titullohej “Informacioni i parë”. Tani në Itali e ripunova, e zgjerova dhe e paraqita tek TVA1, të cilët e vlerësuan, e pranuan, dhe më pas më dolën nga fjala. Në momentin që do të kthehesha për të filluar me projektin, më thanë që kishin frikë se kishte konkurrencë. Adi Krasta do të fillonte një emision të njëjtë tek “Top Channel”. Ishte një papërgjegjshmëri nga ana e tyre. Mirë që nuk i kisha mbyllur akoma punët e mia në Itali. A kam të drejtë të mendoj se e kanë shitur projektin tim duke më humbur mua të drejtën e autorit?
Kur lindi tek Violeta dashuria për ekranin dhe valët e radios?
Që në vitet e para të shkollës më tërhiqte shumë letërsia e historia, kam mësuar shumë dhe gjuhën. Duke qenë se dëgjoja shpesh përreth të folurit me dialekt ndjeja se doja të flisja bukur gjuhën me të cilën shprehesha, e të lexoja bukur. Këtë e vunë re dhe mësuesit e mi, pasi më vinin gjithnjë të lexoja në klasë, sidomos në orët letrare. Shpesh dhe interpretoja. Ndërsa që e vogël fare, prindërit e mi shikonin prirjen time drejt botës së artit, e im atë thoshte gjithnjë: Do ta bëj artiste këtë vajzë. Më vjen keq që nuk rrojti për të parë se vërtet unë mora rrugën e artit. Babai im kishte një shpirt artisti, ishte ushtarak po lexonte shumë e kishte dorë për pikturë. Ai më vinte gjithnjë të shkruaja atë që mendoja, të bëja poezi, më vinte të recitoja kur vinin miq. Por ajo që ishte më e rëndësishme e që më vlejti në jetë ishte se më blinte shumë libra, e më nxiste të lexoja, gjë që dhe mua më pëlqente shumë.
Cilat ishin prirjet tuaja dhe a keni qenë ndonjëherë në ambiente televizive në vitet e shkollës?
Prirjet e mia kanë qenë të shumta. Tani që më pyet më vjen ndërmend që përveç atyre që shkruajta më sipër, mund të shtoja që jam marrë me gjimnastikë. Kur bëheshin spektakle recitoja apo prezantoja, kam qenë dhe në cirk. Atje më dërgoi Pallati i Pionierëve ku kërceja një valle dyshe bashkë me një vajzë tjetër, e ku isha dhe prezantuese. Do të them këtu se madje kam provuar të bëj dhe akrobaten. Mua më kanë tërhequr gjithnjë gjërat që kanë risk. Pa harruar baletin që ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën time.
Cilat ka qenë emisionet e para që keni drejtuar në radio dhe në televizion dhe emocionet që keni ndjerë?

Kam qenë fëmijë kur kam hyrë për herë të parë në studiot e radio TV. Recitoja në emisionet e fëmijëve, madje njëherë kam marrë një çmim për një poezi në një konkurs fëmijësh. Por emisioni im i vërtetë i parë ka qenë në moshën 16 –vjeç, ku drejtoja një emision kulturor artistik në televizion ku njëkohësisht edhe kërceja. Atë ditë jam ndjerë e lumtur, sepse mora komplimente pa fund. Redaktori dhe regjisori i emisionit më thanë që kam lindur për televizión. Më dukej sikur gjithë jetën kisha qenë aty duke drejtuar emisione. Por kur jam rikthyer në TV pas shumë vitesh, m’u desh kohë të rifitoja atë lirshmëri. Koha dhe problemet e shumta më kishin mbyllur në vetvete. Po më kaloi. Ndërsa emisioni parë i vërtetë në radio ka qenë Rubrika Sportive.
Mos u çudit, unë kam filluar me Rubrikën Sportive e më kujtohet Ahmet Shqarri kur më thoshte: Mos u mërzit që të dhanë të drejtosh Rubrikën sportive. Edhe Virgjil Kule me Rubrikën Sportive ka filluar, po u bë drejtor televizioni. Edhe kur u riktheva në vitin 1991 në radio me emisionin sportiv fillova sërish. Si ka ditë të bukura ka dhe ditë të vështira… (Më ndërpret). Një ditë e vështirë ka qenë (madje shumë),14 shtatori ’98 televizioni u rrethua nga turma. Atë tmerr që kam kaluar si i thonë në Shqipëri: “Natës së varrit do t’ia tregoj”. Po, ditë të vështira ishin ato kur duhej të luftoje për të ruajtur figurën tënde emrin, emisionet e oraret e tua. Nuk ishte e lehtë. Ndërsa momente të bukura kam pasur aq shumë sa e kam të vështirë t’i ndaj. Por një gjë mund ta them me siguri, moment i bukur është ai kur ke mbaruar transmetimin dhe merr komplimente nga të gjithë. E unë i kam pasur të shumta.

Kush është më primare tek një drejtuese emisioni në TV, bukuria apo inteligjenca?
Që të jesh perfekt duhet t’i kesh të dyja, nëse do të ngelesh thjesht një lexuese që s’del dot jashtë kuadrit të mjafton dhe vetëm bukuria. Po nëse do të hysh në shpirtin e dëgjuesit apo shikuesit duhet inteligjenca që të mos ngelesh vetëm një kukull e bukur, që s’di të thotë asgjë.
Ndryshimi dhe të përbashkëtat e radios dhe televizionit?
Të përbashkëtat janë profesionaliteti, formimi, kultura, emocionet që duhet të transmetosh tek dëgjuesi apo shikuesi. Ndryshimi është se radio është një magjepsje për atë që e ka me pasion e shpirt, në radio s’të ndihmon asgjë është vetëm zëri dhe përgatitja jote, në TV është figura, studioja, ngjyrat e shumë të tjera që të ndihmojnë. Në TV mund të bësh ndonjë gabim e mund të kalojë pa u vënë re, sepse shikuesi nuk është i përqendruar vetëm në atë që thua, sheh shumë gjëra. Në radio jo, vetëm dëgjon. Kështu që je i zbuluar. Kujdesi duhet të jetë 100%. Të paktën kështu e mendoj unë.
Përvoja gazetareske në RTSH ?
“Kam aq shumë gjëra për të kujtuar nga RTSH. Po gjithnjë në momentin që duhet t’i thuash nuk di çfarë të tregosh më parë. Me shumë nostalgji do të kujtoja emisionet e mia në Radio- Tirana, përvojat e mia të para ne emisionet direkte, arritjet e sukseset. Do të kujtoja me shumë dashuri tekniket e mrekullueshme të radios me të cilat kaloja orët pa fund të mikrofonit dhe eksperiencat që kam marrë prej tyre e i falënderoj. Po, do të kujtoja dhe Pirro Ruvinën, kolegun dhe mikun tim me të cilin kemi punuar për vite të tëra në emisionet e drejtpërdrejta e nga i cili kam mësuar shumë. Në RTSH, kam shkuar nga një shkollë muzike e jo gazetarie, kështu që shkolla ime e madhe ka qenë drejtpërdrejtë në studiot e radiotelevizionit, ku fillova si spikere dhe drejtuese emisionesh. Si gazetare fillova me rubrika të ndryshme, që i përgatisja për emisionet e drejtpërdrejta me Pirron dhe ai për t’u bindur që i shkruaja e përgatisja unë, kur i shtypte në makinë më ndryshonte fraza të tëra apo mi hiqte, për të parë reagimin tim. Ishte një lojë që unë e kuptoja menjëherë. Do të kujtoja me shumë dashuri emisionet e mia më të preferuara, megjithëse e kam të vështirë t’i ndaj nga njëri-tjetri.”
Cilët kanë qenë idhujt tuaj të ekranit që ju kanë ndihmuar në karrierë?
Në moshë fare të re idhujt tanë ishin drejtuesit e televizioneve italiane. Më kanë ndihmuar ëndrrat dhe pasioni im. Dëshira dhe karakteri im i vendosur për të qenë perfekt në gjërat që bej.

 

 

(Në kuadrin e Dossierit “Historia e rrallë e RTSH” tek lexuesi do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete që hodhën themelet e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” përbëjnë një thesar për këtë historik kaq të rëndësishëm të së vetmes Radio dhe Televizion deri në vitin 1991).