Vetvaret njeriu që vodhi skedën mjekësore të Shumit

519
Sigal

Autori u kishte ofruar mediave dosjen prej 10 faqesh të pilotit gjerman për 50 mijë euro

Njeriu, që ishte arrestuar dhe dyshohej se kishte vjedhur dosjen mjekësore të Majkëll Shumakerit, u gjet i vetëvarur në qelinë e tij në paraburgim. Individi, emri i të cilit nuk u përmend, por u përshkrua si një menaxher te kompania zvicerane e helikopterëve, Rega, u arrestua të martën në lidhje me dhunimin e privatësisë së pacientit dhe sekretit mjekësor. Të mërkurën në mëngjes, trupi i tij u gjet në qeli pa jetë. Në fund të qershorit, mediave të ndryshme europiane iu ishin ofruar dokumente që kishin dalë nga kartela mjekësore e Shumakerit. Për shitjen e materialit që ishte siguruar në mënyrë të paligjshme ishin kërkuar 50 mijë Euro. Asnjë media nuk bëri të ditur nëse kishte ofruar para dhe materialet nuk u publikuan. Pak kohë më parë, policia franceze tha se kishte rënë në gjurmët e autorëve. Gjatë kohës që transportohej nga Franca drejt Zvicrës për të vazhduar procesin e rehabilitimit të 7 herë kampionit të Formula 1 iu zhduk në mënyrë misterioze dosja e plotë me çdo detaj të gjendjes së tij shëndetësore. Kartela jo vetëm që ishte vjedhur, por përgjegjësit u shfaqën mes hijes në skenë, duke kërkuar 50 mijë Euro në këmbim të saj. Në fakt, policia në Francë ishte vendosur në gjurmët e hajdutëve dhe dyshimet i çojnë pikërisht në Zvicër dhe si për rastësi te e njëjta kompani helikopterësh, që ka bërë transportin e Shumit. Gjermani 45-vjeçar u transportua me një ambulancë, por u kontaktua edhe shoqëria Rega, për të pasur në dispozicion për çdo rast një transport me helikopter. Gazetat franceze “Le Dauphine Libere” raportoi se në fillim të korrikut dokumentet e vjedhur iu ofruan mediave europiane për një shumë rreth 60 mijë franga zvicerane (rreth 50 mijë euro), të cilat vinin nga një adrese interneti të një kompjuteri në Zurih, atë edhe ku kishte qendrën kompania e helikopterëve. Menaxherja e Shumakerit, Sabine Kehm, e konsideroi si një gjë të tmerrshme zhdukjen e dosierit prej 10 faqesh dhe nxjerrjen për shitje në mediat britanike, gjermane dhe franceze. Shumaker, viktimë e një aksidenti të rënë me ski mbi borën e Meribel në Francë në 29 dhjetorin e vitit të kaluar, qëndroi i shtruar deri në qershor në spitalin e Grenoble, para se të transferohej në klinikën universitare të Lozanës, ku gjendet edhe tani.

Sulmuesi i Kombëtares ka arritur marrëveshjen me klubin italian, i 11-ti në karrierën e 25-vjeçarit

 Salernitana kërkon Edgar Çanin

  Edgar Çani është në fokusin e Salernitanës. Skuadra italiane është shumë afër blerjes së sulmuesit të Kombëtares, teksa problemi i vetëm është Katania, klubi që zotëron edhe kartonin e shqiptarit. Edgar Çani është në merkato, ku kuotat e tij kanë rënë ndjeshëm. Skuadra më e favorizuar për të siguruar shërbimet e tij është Salernitana që sezonin e ardhshëm do të luajë në Lega Pro (kategoria e tretë në Itali). Mediat italiane zbulojnë se drejtuesit e Salernitanës tashmë e kanë arritur marrëveshjen me lojtarin, por problem mbetet Katania, që ka në pronësi kartonin e tij. Duket e pabesueshme si një futbollist i Serisë A, nuk mund të gjejë skuadër as në Serinë B. Sikur të mos mjaftonte ky fakt, në Shqipëri raportohet se Partizani është në kontakte të vazhdueshme me të, për ta bërë pjesë të Superiores. Me këtë lëvizje te Salernitana, Edgar Cani është i destinuar të qëndrojë larg Kombëtares. Më 29 Shkurt të 2012, në miqësoren me Gjeorgjinë në Tbilisi, Shqipëria do të gjente sulmuesin që nga të gjithë u konsiderua pasuesi më i denjë i Erjon Bogdanit në kombëtare. Që në ndeshjen e tij debutuese me kuqezinjtë, Edgar Çani arriti të shënonte dhe të bindte trajnerin Xhani De Biazi që ta përfshinte në planet e tij për eliminatoret e ardhshme. Mirëpo karriera e ish-sulmuesit të Polonisë së Varshavës erdhi në rënie, duke pasur një impakt të drejtpërdrejtë edhe nëKkombëtare. Transferimi në Serinë A te Katania rezultoi një zhgënjim total për sulmuesin shqiptar, që nuk arriti të lërë gjurmë as te Karpi në formën e huazimit. Edhe pas aktivizimit për disa muaj te Bari në Serinë B, 25-vjeçari nuk ka mundur të rigjejë shkëlqimin e dikurshëm kur luante në Serinë B, me skuadra të tilla si Peskara, Akoli, Padova, Piacenca, Modena. Çani ka shënuar 37 gola në 132 ndeshje me nëntë skuadrat të cilat ai është aktivizuar nga viti 2007.

  14 gola

shënoi Edgar Çani në 17 aktivizime me Barin e Serisë B gjatë sezonit 2013-2014

 4 gola

ka realizuar sulmuesi gjigant në 15 ndeshje me Kombëtaren, i fundit ndaj Lituanisë

Klubi i njohur spanjoll pagoi 8 milionë euro për të blerë kartonin e tij nga Sampadoria

 Shkodran Mustafi transferohet te Valencia

 Zbardhet përfundimisht destinacioni i Shkodran Mustafit. Mbrojtësi shqiptar i Kombëtares gjermane u transferua për 8 milion euro nga Sampdoria te skuadra spanjolle, e cila do të bëjë pagesë bonusi në bazë të paraqitjeve të tij. Shkodran Mustafi ka lënë futbollin italian, por jo për t’u kthyer në Gjermani si është pritur, por për një aventurë të tij tjetër ndërkombëtare në futboll. Ai ka pranuar ofertën e gjashtë herë kampionit të Spanjës, Valencia, drejtuesit e së cilës kanë paguar 8 milionë euro dhe bonuese tjera në bazë të paraqitjeve të tij, kanë raportuar mediat italiane e spanjolle. Mustafi gjatë verës fitoi titullin e kampionit të botës më Gjermaninë në botërorin e Brazilit. Ai është parë sot të jetë takuar në stadiumin, Mestalla me presidentin e Valencias, Amadeo Salvo. Mbrojtësi shqiptar ka qenë i shoqëruar nga babai i tij, Kujtim Mustafi. Sipas Sport Deporte, 22 vjeçari pritet të nënshkruaj kontratë katër vjeçare, zyrtarisht pasdite. Marrëveshja është arritur mbrëmë në Gjenova të Italisë në NH Plaza hotel, kur në bisedime kanë qenë Rufete, Ayala dhe Kujtim Mustafi, prej nga janë nisur për në Valencia,

 Mesfushori kosovar ka një kontratë me Bajernin e Munihut që skadon në vitin 2016

 Rumenige: “Nuk e shesim Shaqirin”

 Presidenti i Bajernit të Munihut, Karl-Heinc Rumenige, tha se klubi gjerman nuk ka ndërmend të shesë Xherdan Shaqirin, por ai pranon se ka pasur oferta të shumta nga klube italiane e angleze për mesfushorin shqiptar me pasaportë gjermane. Presidenti i Bajernit, Karl-Heinc Rumenigge është i saktë. “Kemi pasur disa kërkesa nga klubet nga Angli dhe Italia. Nuk kam biseduar me këto klube, sepse nuk kemi interes me i larguar lojtarin, sepse jemi të bindur se ai do të bëjë karrierë të mirë. Ky është qëndrimi ynë deri më sot. “Shaqiri dëshiron të luaj, por mos të harrojmë se sezonin e fundit kishte tre dëmtime që e kanë ndaluar ta bëjë këtë. Është me rëndësi që ai të jetë i shëndosh. Trajneri është i bindur për të, ai e dëshiron lojtarin dhe sipas kësaj, nuk shoh asnjë problem”, tha Rumenige. Futbollisti kosovar gjendet në Portland të SHBA-ve me ekipin e Bajernit. “Vëllai im dhe Bajerni janë në kontakt të vazhdueshëm për të gjitha mundësitë, por tani jam këtu dhe kam kontratë deri më 2016. Gjithmonë kam thënë se Bajerni është zgjedhja ime e parë. Nëse Bajerni nuk dëshiron të më heq qafe, atëherë ndjej vetëbesimin e ekipit”, tha Shaqiri për tabloidin gjermane “Bild”.