Trajtimi financiar i Presidentëve të Republikës

    482
    Sigal

    Sot në marrjen e mandatit nga presidenti i ri, specialisti Fadil Kepi shpjegon trajtimin financiar të presidentit që le dhe merr mandatin

     Sot bëhet betimi i Presidentit të Republikës i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë z. Bujar Nishani, i cili zëvendëson z. Bamir Topi pas mbarimit të mandatit të parë 5- vjeçar.

    Sipas Kushtetutës, meqenëse vendi ynë është Republikë Parlamentare, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë me shumicën e thjeshtë të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Presidenti në çdo rast zgjidhet për 5 vjet me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.

    PRESIDENTI I ZGJEDHUR

     Duke filluar nga data 24 korrik, paguhet sipas tabelës së pagave të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Presidenti merr rrogën më të lartë në institucionet shtetërore buxhetore të vendit.

    Nga paga bruto mujore i bëhen këto ndalesa:

    1-Tatimi në masën 10% si të gjithë të punësuarve.

    2-Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore 11.2% deri në kufirin maksimal të pagës, që paguhen kontributet, e cila nga 1 korriku i këtij viti për punonjësit e siguruar në shkallë vendi është 91.475 lekë dhe caktohet me vendim qeverie.

    3-Kontributet e sigurimeve suplementare në masën 4% të caktuar nga Këshilli i  Ministrave, mbështetur në Ligjin 8097, dt. 21.03.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të shtetit”.

                            

     PRESIDENTI QË DORËZON DETYRËN

     1-Për ditët që i dorëzon zyrtarisht detyrën presidentit pasardhës (përfshi gjithë dokumentacionin që disponon presidenti), merr rrogën si president. Pra, për ditët që punojnë bashkë, për marrjen dhe dorëzimin e detyrës paguhen dy president.

    2-Mbas dorëzimit të detyrës, sipas ligjit të mësipërm “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të shtetit”, përfiton tre paga mujore të Presidentit shpërblim të menjëhershëm dhe nga muaji i katërt paguhet me pagesë kalimtare nga Sigurimet Shoqërore me 50% të pagës referuese të presidentit në detyrë për 3 vjet.

    Periudha që paguhet me tre paga mujore dhe pagesë kalimtare njihet si vjetërsi pune (jo si president), për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe familjarë.

    3-Nëse gjatë periudhës 3- vjeçare që merr pagesë kalimtare ripunësohet, përfiton njëkohësisht rrogën në vendin e ri të punës dhe pagesën kalimtare, por deri në plotësimin e rrogës që merrte kur ishte President i Republikës.

    4-Mbas tre vjetëve të pagesës kalimtare me gjysmën e rrogës mujore të presidentit, meqenëse z. Topi më 24.04.2012 ka plotësuar moshën 55 vjeç, deri sa të dalë në pension pleqërie do të marrë pension suplementar, i cili nuk mund të jetë më i lartë se 60% të pagës referuese duke llogaritur edhe periudhën që z. Topi ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

    5-Presidentët e Republikës që kanë gradë shkencore “Profesor” përfitojnë pension të plotë pleqërie 68 vjeç, po të jenë akademikë 75 vjeç, të tjerët të çfarëdo profesioni qofshin dalin në pension pleqërie 65 vjeç.

    6-Presidentët e Republikës kur plotësojnë moshën përfitojnë: pension pleqërie dhe suplementar. Vetëm ish-presidenti z. Alfred Moisiu merr shtesë mbi pension edhe si veteran i luftës.

    7-Sa herë ndryshon rroga e presidentit në detyrë rritet edhe pensioni suplementar i presidentëve që kanë dalë në pension.

    Kërkesa për pagesë kalimtare dhe pension suplementar bëhet nga i interesuari në Drejtorinë Rajonale Shoqërore Tiranë, mbasi dorëzohen të gjithë dokumentet përkatëse për periudhën që z. Topi ka ushtruar detyrën  e Presidentit dhe rrogën që është paguar çdo vit. Pagesa kalimtare dhe pensioni suplementar ashtu siç të gjithë pensionet e përfitimet e tjera financiare nga sigurimet shoqërore paguhen 1 herë në muaj në arkat postare dhe pavarësisht nga shuma, sipas nenit 63 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore nuk tatohen.

    Urojmë të dy presidentëve mbarësi!

    Fadil Kepi