Suplementi Pena Shqiptare/ Spiro Mëhilli: “Don zhuani”

703
O Don Zhuan, e di që ke fjalë të bukur,
se më kanë thënë, je mjeshtër i gënjeshtrës
e Zot nuk njihni, se jini i korruptuar
si një Demon. Sa gra të gjora 
i kini marrë më qafë?
Nga “Mysafiri i Gurtë” i Pushkinit.
Megjithëse kishin kaluar mbi katër muaj nga dita kur Serdar K. kishte bërë të ditur zhdukjen e së shoqes, gjithçka kishte mbetur enigmë. Flitej sikur atë duhej ta kishin vrarë dhe trupin ta kishin groposur në cep të ndonjë pylli; ta kishin lidhur me një peshë të rëndë e ta kishin hedhur në det, ose ajo ishte vetëvrarë, por për t’iu shmangur skandalit, trupin e pajetë ta kishin fshehur diku me kujdes. Flitej sikur ajo për arsye nga më të ndryshmet të ishte larguar nga i shoqi dhe të jetonte në ndonjë qytet tjetër me të dhëna të rreme. Duke u nisur nga rrethana jetësore, ajo nuk kishte pse ta vriste veten ose të largohej nga shtëpia në drejtim të paditur. Këtu qëndronte enigma. Prokurori i rrethit pas shumë informacioneve të mbledhura, por pa arritur në përfundimin e duhur, u detyrua të dërgonte fletëthirrje dhe Serdar K. të paraqitej në prokurori për ta pyetur në lidhje me ngjarjen që kishte tronditur opinionin. Ishte 21 janar, ndoshta dita më e ftohtë e vitit. Një natë më parë kishte rënë shi dhe ulja e temperaturës kishte çuar në ngrica dhe krijimin e shtresave të akullit. Serdar K. pasi i tha portierit se kishte takim me prokurorin, ngjiti shkallët deri në katin e tretë. Te dera, në anë të djathtë të korridorit, lexoi emrin Besjar B. dhe trokiti. Kur dëgjoi “hyr”, uli dorezën dhe u fut brenda. Prokurori, pa lëvizur nga vendi, ia bëri me dorë në drejtim të karriges që ndodhej përballë tij, shenjë që do të thoshte “ulu” dhe pa e prishur terezinë, bënte lëvizje rrotulluese në ndenjësen e tij. Si u mendua disa çaste, hyri në temë: 

– Serdar, besoj se e keni dashur shumë gruan tuaj? 
– Nuk mund ta merrni me mend sesa e kam dashur… 
– Nuk keni pasur ndërmend ta braktisnit? 
– Nga e dini ju që unë do e braktisja time shoqe? 
– Po ja… 
– Kush e ka thënë këtë? 
– Ne kemi një letrën tuaj që i keni shkruar një gruaje me emrin Nelita në qytetin e Korçës, se shumë shpejt do të ndaheshit me bashkëshorten dhe…
– Unë të kem shkruar një letër të tillë? 
– Them se po! 
– Në asnjë mënyrë. 
-Ja ajo dhe hidhini një sy. Është shkrimi juaj ky? Serdar K. mori letrën që prokurori i vuri përpara, e lexoi dhe me gjysmë zëri iu përgjigj: 
– Si t’ju them… 
– S’keni se çfarë të thoni. Pranoni faktin. 
– Unë nuk kam dashur ta braktisja gruan time. Atë e doja. Katër vjet martesë kishim. 
– Pse e mashtronit Nelitën me këtë paçavure letër duke i premtuar, se shumë shpejt do e ndanit tët shoqe dhe do merrnit atë? 
– Doja vetëm të fitoja kohë që të shkëputesha ashtu dalë nga dalë prej saj… 
– Në këtë mënyrë veprohet? Me një gur doje të vrisje dy zogj? 
– Nuk doja të vrisja asnjërën prej tyre, vetëm shtyja kohën, doja të mblidhja veten për të gjetur një rrugëzgjidhje. 
– Ju premtuat, mashtruat, dhe jo një por dy femra. 
– Nuk kam mashtruar asnjërën prej tyre. 
– Njërën donit ta ndanit, tjetrën ta merrnit apo edhe atë ta mashtronit? 
– Si t’ju them… 
– Ç’të thuash. Premtonit dhe mashtronit. Ky lloj zanati të vinte për shtat. 
– Të lutem, mos më akuzo kaq rëndë. 
– A ke moral apo jo? Të gënjen mendja se nuk i dimë aventurat e dashurive të tua? Po me Dafina D. çfarë të lidh? 
– Me atë kaloj kohën. Është nga ato të dorës së dytë. 
– E këndshme besoj? 
– Si të gjitha femrat. 
– Përgjigju pyetjes. 
– Ç’të përgjigjem. Femrat më pëlqejnë, më kënaqin. Falë Zotit që nuk jam eunuk. 
– Pra jeni feminist dhe si i tillë duhet të keni shkuar ose vazhdoni të shkoni me shumë të tjera? 
– Si…! 
– Të dalim në temë. Edhe këtyre u premtonit besnikëri të përjetshme apo martesë të shpejtë? Kemi kohë që të ndjekim. I kemi takuar ato me të cilat ti shkon, i kemi pyetur të gjitha dhe na janë zbërthyer fije për pe, se,si ti i mashtroje duke u premtuar lumturi qiellore. Tani e ke ti radhën. 
– As kam mashtruar, as kam premtuar dhe as do të premtoj e mashtroj femër. Ato afrohen vetë tek unë. 
– Ku e ke çuar tët shoqe? 
– Nuk e di dhe nuk mbaj përgjegjësi. Që ditën e dytë të zhdukjes së saj kam shkuar në polici që ta kërkonin time shoqe dhe mundësisht sa më shpejt të hidhnin dritë mbi të vërtetën. Ajo nuk ishte minorene, por plot 24 vjeçe. 
– E pra, e keni vrarë dhe e keni… 
– Mbajeni gojën. Nuk akuzohet njeriu pa fakte. Marrëdhëniet e mija me femra nuk bëjnë krim. Më tej nuk përgjigjem. Bile fola shumë. Nga ky moment do kërkoj avokat mbrojtës. 
– Deri në sqarimin e rrethanave jam i detyruar të ndaloj që të largohesh nga qyteti, përndryshe do jem i detyruar të të arrestoj. Largohu! Serdar K. u çua dhe qetësisht doli nga zyra e prokurorit. Kaluan muaj e akoma nuk është zbardhur e vërteta e zhdukjes së Desada K.
Sigal