Sot nis regjistrimi elektronik për Lotarinë Amerikane

    125

    Procedurat për të aplikuar. Asnjë aplikim nuk do të pranohet mbas mesditës, më 3 Nëntor 2012

    Regjistrimet (aplikimet) për lotarinë e vitit 2014 duhet të dërgohen elektronikisht duke filluar në mesditë, Ora Ditore Lindore (GMT-4), E martë, 2 Tetor 2012 dhe përfundojnë në mesditë, Ora Ditore Lindore (GMT-4) E Shtunë, 3 Nëntor 2012. Aplikantët mund të plotësojnë elektronikisht formularin e aplikimit të lotarisë në http://www.dvlottery. state.gov/ gjatë periudhës së regjistrimit. Aplikimet me letër nuk pranohen. Aplikantët janë të lutur të mos presin deri javën e fundit të regjistrimit të periudhës së aplikimit, pasi kërkesat e shumta mund të krijojnë mbingarkesë në sistem dhe vonesë të regjistrimit të aplikimit. Asnjë aplikim nuk do të pranohet mbas mesditës, Ora Ditore Lindore, më 3 Nëntor 2012.

    -Çfarë është Programi i Vizave të Shumëllojshmërisë?

    Për vitin fiskal 2014, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (të llotarisë). Shqipëria është një nga vendet e kualifikuara për Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë DV-2014, që do të thotë se qytetarët Shqiptarë janë të pranueshëm për të aplikuar për këtë program.

    -Si funksionon Programi i Vizave të Shumëllojshmërisë?

    Në mbarë botën, vendasit e vendeve që kualifikohen për Llotarinë i plotësojnë regjistrimet e tyre për llotarinë në www.dvlottery.state.gov gjatë një periudhe kohore prej 30 ditësh, e cila zhvillohet pothuajse gjatë të njëjtës periudhë të vitit. Për vitin 2012, kjo periudhë do të fillojë më datë 2 Tetor në orën 18:00 dhe do të mbarojë më datë 3 Nëntor në orën 18:00, me orën në Shqipëri. Aplikuesit, të cilët do të regjistrohen online, do të përzgjidhen në mënyrë të rastësishme nga një kompjuter në Qendrën Konsullore Kentucky. Duke filluar nga data 1 Maj 2013, pjesëmarrësit do të mund të kontrollojnë faqen e internetit në www.dvlottery.state.gov nëse janë përzgjedhur, duke përdorur numrin e konfirmimit që i shfaqet aplikuesit në ekranin e kompjuterit pas regjistrimit të suksesshëm për llotarinë. është shumë e rëndësishme që të ruhet numri i konfirmimit që ju merrni pas regjistrimit fillestar elektronik! Juve do t’ju duhet ky numër konfirmimi në mënyrë që të shikoni nëse jeni përzgjedhur apo jo për Lotarinë DV-2014.

    Përse po e reklamoni Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë?

    Ne duam të rrisim shkallën e njohurive rreth rregullave të Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë dhe të ndihmojmë shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e duhur për të marrë pjesë apo jo në Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë. Ka disa gabime, si për shembull regjistrimi për programin e llotarisë më shumë se një herë, apo mospërfshirja e një anëtari të familjes, të cilat rezultojnë në skualifikim të menjëhershëm. Për më tepër, çdo vit ka shqiptarë që shfrytëzohen nga faqe interneti apo individë që gjoja përfaqësojnë Qeverinë e SH.B.A.-së. Nuk ka asnjë pagesë për t’u regjistruar për Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë dhe të vetmet faqe zyrtare të Qeverisë Amerikane përfundojnë me “.gov”. Nuk ka rëndësi se kush e plotëson regjistrimin tuaj në llotari; personi, emri i të cilit është në formularin e aplikimit për lotari duhet të ruajë numrin e konfirmimit, sepse atij do t’i duhet ai numër për të kontrolluar nëse ka fituar.

    -Ku duhet të aplikojnë njerëzit për Llotarinë?

    E vetmja mënyrë për t’u regjistruar në Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë është që të plotësohet formulari në www.dvlottery.state.gov. Nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar për lotarinë, por të lexohen udhëzimet (në shqip në http://albanian.tirana.usembassy.gov/dv.html) që të sigurohen nëse kualifikohen dhe që e kuptojnë se si plotësohet formulari përpara se të plotësohet formulari. Nëse personi nuk i ka kualifikimet e duhura për lotarinë, ai nuk do të marrë një vizë edhe nëse do të jetë përzgjedhur për llotarinë.

    -Si do të informohen për njoftimin zyrtar të regjistruarit në lotari?

    Njoftimet zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit do të bëhen VETËM nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit, i cili do të jetë në funksionim duke filluar nga data 1 Maj 2013 në faqen e internetit të Lotarisë www.dvlottery. state.gov. Të regjistruarve në llotari do t’u duhet të përdorin Numrin e tyre të Konfirmimit, në faqen e internetit të Llotarisë www.dvlottery. state.gov. MOS e humbni numrin e konfirmimit! Pjesëmarrësit në lotari që do të rezultojnë të përzgjedhur NUK do të njoftohen nëpërmjet e-mailit. Nëse juve ju humbet numri i konfirmimit, Departamenti i Shtetit do të mundësojë një mënyrë që ju ta rimerrni atë, por gjithsesi ju duhet ë tregoheni të kujdeshsëm se me kë e ndani këtë informacion.

    -A kualifikohet automatikisht çdokush që është përzgjedhur nga kompjuteri?

    Jo. Për t’u kualifikuar për Lotarinë e Vizave të Diversitetit, aplikantët anembanë botës duhet të plotësojnë kritere shumë të rrepta të kërkesave të kualifikimit nëpërmjet arsimit ose profesionit. Aplikantët duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur nëse duhet të aplikonjë apo jo për të marrë pjesë në Lotarinë e Vizave të Shumëllojsmërisë. Shqiptarët, të cilët nuk kanë kryer një arsim të shkollës së mesme me kohë të plotë që të jetë i barabartë me edukimin e shkollës së mesme në SH.B.A. (4 vjet, me kohë të plotë), nuk do të kualifikohen bazuar në kushtin e arsimit. Edhe pse në raste të rralla është e mundur të kualifikoheni bazuar në eksperiencën e punës, duhet të dini që profesionet që mund të përdoren për këtë kualifikim pothuajse gjithmonë kërkojnë një shkallë edukimi më të lartë se shkolla e mesme e kërkuar për lotarinë.

    -Cili arsim më kualifikon për Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë?

    Bazuar në kërkesat për arsimin, i cili duhet të jetë i barabartë me arsimin e shkollës së mesme në Amerikë (4 vjet, me kohë të plotë), Shqiptarët që nuk e kanë mbaruar arsimin e shkollës së mesme me kohë të plotë nuk do të kualifikohen për Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë. Dëftesat e pjekurisë së arsimit me kohë të shkurtuar – pa shkëputje nga puna, shkolla e mbrëmjes, apo me korrespondencë, përfshirë edhe arsimin 5-vjeçar apo programe me afat më të gjatë (me kohë të shkurtuar – pa shkëputje nga puna, shkolla e mbrëmjes, apo me korrespondencë), nuk kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë (Lotarisë). Gjithashtu, dëftesat e arsimit profesional 3-vjeçar nuk kualifikohen për programin e Lotarisë së Shumëllojshmërisë. Edhe nëse ju e keni kryer shkollën e mesme pjesërisht me kohë të shkurtuar dhe pjesërisht me kohë të plotë, përsëri kjo dëftesë nuk ju kualifikon për Programin e Vizës së Shumëllojshmërisë.

    Ju keni thënë që unë duhet të përfshij në aplikimin tim për llotari të gjithë anëtarët e familjes. Po në rastin kur fëmija nuk jeton me mua, ose unë jam duke u divorcuar nga bashkëshortja?

    Të gjithë fëmijët, thjeshtrit dhe fëmijët e birësuar, të cilët janë nën 21 vjeç, duhen përfshirë në regjistrimin tuaj për lotarinë, edhe nëse ata nuk jetojnë me ju. Nëse ju nuk jeni ligjërisht i ndarë nga bashkëshortja juaj, ju duhet ta përshini atë në regjistrimin tuaj për lotari. Mbani mend që thjesht fakti që emri i dikujt është përfshirë në regjistrim, nuk do të thotë që ai/ajo është i detyruar të marrë pjesë në procesin e aplikimit apo të emigrojë në SH.B.A. Pavarësisht kësaj, nëse ju nuk e përshini një anëtar të familjes në regjstrimin tuaj për lotari, kjo do të rezultojë në skualifikimin tuaj. Ju nuk duhet të përshini një bashkëshorte të ardhshme në regjistrimin tuaj elektronik në rast se statusi juaj civil në momentin e aplikimit është beqar, sepse kjo do të rezultojë në skualifikimin tuaj në ditën e intervistës. Nëse anëtarët e famijes suaj janë shtetas Amerikanë apo Banorë të Përhershëm të Ligjshëm në momentin e regjistrimin tuaj elektronik për lotari, ju nuk keni nevojë t’i përfshini ata në aplikimin tuaj.

    -Nëse unë jam përzgjedhur për Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë, ku duhet ta bëj pagesën e Vizës së Shumëllojshmërisë?

    Ju do të paguani tarifën e procesimit të DV-së në të njëjtën ditë me intervistën tuaj zyrtare vetëm në Seksionin Konsullor, përveç rastit kur ju ndodheni në SH.B.A. Në qoftë se intervista juaj do të jetë në Seksionin Konsullor të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ju do të duhet të paguani tarifën në Ambasadë. Ju lutemi mos bini viktimë e e-maileve mashtruese që ju kërkojnë të dërgoni para në emër të një individi me postë ose me shërbime të tilla si Western Union.

    -A do të paguajë Qeveria Amerikane për strehimin tim në SH.B.A., të më ndihmojë të gjej një punë, apo të më japë asistencë ekonomike për të më ndihmuar derisa të përshtatem në SH.B.A.?

    Jo, aplikantëve të cilët pajisen me vizën e DV-së nuk u sigurohet ndonjë lloj asistence ekonomike, apo ndihmë federale. Gjithsesi, ne duam që ju t’ia dilni me sukses në Amerikë dhe të kaloni një tranzicion sa më të qetë, kështu që në disa raste ne mund t’ju kërkojmë të gjeni një sponsor, i cili të jetë dakord që t’ju ndihmojë ju sapo të mbërrini.