Skandal! Spitali i Beratit, vendi ku të japin diagnozën pa bërë analizat

    477
    Sigal

    Vëzhgim/ Mungon narkoza në kirurgji, ilaçet dhe përkujdesja mjekësore. Të sëmurët në mëshirë të fatit!

    Spitali rajonal i Beratit, i vetmi spital i madh në këtë qark, po degradohet!  Kohët e arta të tij, kanë perënduar… Mjerë ata që i zë halli… Madhështia dhe rëndësia e këtij institucioni është zbehur, këtë herë jo nga koha, por nga ca matrapazë dhe ryshfetxhinj, që e kanë kthyer në një vatër korrupsioni e skandalesh… që në të shumtën e rasteve përfshijnë disa prej drejtuesve, apo stafin e  bluzave të bardha…

     GJENDJA

    Mjafton të shkelësh tek dera e spitalit, ku roja i tij është shndërruar në një “lypsar i rëndomtë 1000 lekësh”, mbush xhepat e tij “të pangopur”, për ta kuptuar se si është shndërruar. Dhe nëse do të vazhdojmë më tej, në korridoret e tij, era e tualeteve do të na detyrojë të vendosim shallin në hundë. Do ketë vallë ky institucion sanitare? Nëse po, ku do jetë? Vërejmë se, higjiena lë për të dëshiruar. Vendi, ku steriliteti duhet të jetë në maksimumin e mundshëm, është kthyer i ndotur si kazanë plehrash. Si mund ta shmangësh marrjen e një virusi a infeksioni këtu?! Vështirë!  Hap derën e dhomës nr.3, në katin e Pediatrisë dhe kujdesesh se mos të zë poshtë, një dhomë tejet e varfër, e pistë dhe e rëndomtë, që të sjellë në mendje spitalet e Luftës së Dytë Botërore, ku mjekoheshin të plagosurit e luftës. Siç mund të shihet dhe në fotot e ilustruara, ndien keqardhje, kur ndodhesh në një dhomë të braktisur, me dyshekë të grisur e të njollosur nga gjaku i tharë tashmë, i kushedi i kujt pacienti është, apo se çfarë sëmundje do ketë patur. Nuk mund t’i shmangesh as baltës së këpucëve që kanë njollosur pllakat e plasaritura në ngjyrë gri nga moslarja. Çarçafë të grisur e të hedhur në tokë, krevate të ndryshkur e të dalë boje, perde të ndotura, të varura si rrjeta merimangash. Në një cep, një gjysmë komodinë që mezi i mbajnë dërrasat, e mbytur nga era e mykut, e ndotur, shtëpia ideale për  minjtë.  Kjo komodinë nuk është asgjë më shumë se vendi, ku personeli i spitalit vendos ushqimin për të sëmurin… Nuk shoh as një lavaman, ku mund të lash duart, një karrige, ku t’i qëndrosh fëmijës te koka sa të marrë serumin e domosdoshëm…

    Dhomës së Pediatrisë i mungojnë shërbimet më jetësore dhe më minimale… Si mund të shërohen fëmijët këtu?!  Po si mund të jetë vallë shpëtimtar ky vend … i quajtur spital, ku halli të sjell dhe po ky hall, të detyron t’ja mbathësh me të katra nga sëmundja… nga dhimbja…nga zhgënjimi…

      PACIENTËT

    Të gjendur në katin e katër, në Pediatri, situata paraqitet akoma më skandaloze. Sikur të mos mjaftonin kushtet makabre dhe mungesa e higjienës, në këtë spital mungon dhe kontrolli i rregullt i mjekëve. “Kam tre ditë që kam shtruar vajzën në spital dhe nuk ka as një përmirësim, as nuk e dimë së çfarë ka. Infeksion në zorrë na thonë dhe i ndërrojnë herë pas here ilaçet, nuk i kanë bërë as një analizë”,-shprehet znj.E.D, mami i Roselës, vogëlushes 8- vjeçare që gjendet e shtruar në këtë dhomë, bashkë me motrën e saj 4 vjeç. Madje, -shton ajo,- ilaçet dhe gjilpërat i blemë vetë sepse spitali nuk ka”. Të njëjtën gjë deklaroi dhe infermierja që ishte prezente në dhomë. Veç ilaçeve, siç është ambicilina, mungojnë dhe aparatet e serumeve dhe vigonët, të cilët pacientë detyrohen t’i blejnë për të plotësuar nevojat. Na u desh të shkëpusnim mjeken pediatre nga vakti i ushqimit në orarin e vizitave për të marrë informacion, ndërkohë që, radha e pacientëve kishte mbushur korridorin. E pyetur se, si mundet që një të sëmuri t’i përcaktohet diagnoza pa i bërë një analizë, vetëm me një vizitë të thjeshtë, me një të prekur të barkut, ndërkohë qëndron tre ditë i shtruar në spital?!  Përgjigjja  është se duke qenë  të vjetër në profesion  i njeh mirë simptomat e sëmundjeve… Mesa duket, kjo mjeke mund të shohë përtej të pamundurës, ta ndalë dhimbjen me një fener… Po si mund të jesh kaq neglizhente, kur ndërkohë është vënë alarmi për viroza, virusin stafilokok dhe gripin e derrit? Gjithashtu, ajo shpjegon se, ishte bërë një gabim në lidhje më ilaçet, pasi ambicilina gjendej në spital, por ajo nuk ishte në dijeni, pasi sapo kishte ardhur furnizimi. Kështu, pacienti duhet t’i kthente përsëri në farmaci. Por, më skandaloze bëhet gjendja kur mjekët urdhërojnë që fëmijët e sëmurë pas marrjes së serumit të largohen në shtëpi, për t’u kthyer sërish në darkë, për të marrë serumin e radhës. Veç sëmundjes, në këto situata fëmija nuk do i shpëtonte një të ftohti të marrë pas serumit. Po telashet nuk kanë të sosur… Në këtë spital mungon narkoza.  Qytetarja me iniciale K.T, paciente në këtë spital dhe infermiere njëkohësisht, është shprehur për gazetën “Telegraf”, se, në pavijonin e kirurgjisë, që është më i rëndësishmi në këtë spital, mungon narkoza, të paktën kështu i ishte ankuar mjeku i kirurgjisë. “Isha e shtruar këtu dhe bëra një ndërhyrje, doktori më tha se, duhet të bëjë sërish një ndërhyrje, pasi gjatë operacionit të parë ka vërejtur diçka të dyshimtë. Shumë shpejt u kujtua! Më tha se, duhet patjetër ndërhyrja, por nuk ka anestezi, por për këtë, nuk duhet të shqetësohesha, pasi do e sillte një mjek tjetër nga Tirana. Këta për çdo gjë të thonë duhet të bësh ndërhyrje, e kanë bërë të modës të heqin nga një copë zorrë, a thua të jenë të tepërta?… Veç të tjerash i bëjnë pacientët nga dy herë operacion. Këtu mungojnë pothuajse të gjitha ilaçet dhe holluesin e gjakut vet e bleva, madje, për dy javë më kanë vënë glukozë te serumi se nuk kishin NACL”,-shprehet e shqetësuar K.T.

     RYSHFETET

    Infermieret praktikante, janë një tjetër shqetësim për të sëmurët e këtij spitali, të cilat mësojnë dorën në ndonjë venë mjerane, që pulson për pak shpresë. Ato nuk shoqërohen nga infermieret e spitalit, të cilat shfrytëzojnë rastin për të bërë pushime, kështu këto të rejat kanë zaptuar gjithandej spitalin. Të duhet të mbash duart në xhepa dhe të strukesh në jakën e xhaketës, pasi sistemi i ngrohjes nuk është funksional, tek-tuk mund të shohësh ndonjë rezistencë në zyrat e doktorëve, apo të pastrueseve që thekin bukën. Në këtë gjendje të turpshme, askush nuk kujtohet të vërë dorë. Të zhytur në fudullëkun dhe kolltukët e tyre të ngrohtë, mjekët numërojnë milionat e ryshfetit të marrë nga hallexhinjtë që halli i çon në “gojën e ujkut”, pastrueset vazhdojnë të shijojnë bukën dhe thashethemet, ndërsa të sëmurët enden korridoreve me 500 mijë lekësh në dorë, me fytyrat e skuqura nga lotët e sytë e zgurdulluar në kërkim të asaj drite në fund të tunelit, në këtë situatë kaq të neveritshme. Me pak fjalë, mos të sjelltë Zoti këtu! Çuditërisht, kjo situatë njihet si nga drejtuesit përkatës në Ministrinë e Shëndetësisë, ashtu dhe nga institucionet e tjera shtetërore lokale e në qendër, por askush nuk kujtohet të ndërhyjë për ndryshimin e kësaj situate të rëndë me pasoja për shëndetin e banorëve.

    HISTORI

    Themelimi i këtij spitali, fillimisht në lagjen “Goricë”, daton që në 30.05.1921 deri në vitet ‘30, ku mjeku i nderuar, Hajdar Sulo sakrifikoi djersën dhe gjakun për ta ndërtuar, duke trokitur derë më derë për të mbledhur lekë…. për të mirën e një komuniteti të përbashkët dhe në emër të qytetërimit…