Skandali, Rektores Kruja i ka mbaruar mandati, s’mund të firmosë diplomat

462
Sigal

Universiteti i Mjekësisë, në kaos. Studentët ende pa diploma, edhe pse kanë 8 muaj që kanë mbaruar studimet

Rreth 90 % e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, ende nuk janë pajisur me diplomë. Këtë e konfirmon për gazetën “Telegraf” dekani i Fakultetit të Mjekësisë prof. Bajram Hysa. “Edhe pse kanë gati 8 muaj që kanë përfunduar studimet, studentët e mjekësisë që kanë përfunduar studimet e tyre në vitin akademik 2012-2013 ende nuk kanë në duart e tyre një diplomë”, tregon prof. Hysa. Për këta studentë mungesa e diplomës shkakton probleme, pasi janë privuar nga pjesëmarrja në Provimin e Shtetit për marrjen e licencës dhe për pasojë ata nuk mund të punësohen. Sipas dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, arsyet e gjithë kësaj problematike janë keqmenaxhimi dhe paaftësia e drejtueses së Universitetit të Mjekësisë Tiranë, rektores Jera Kruja. Vetë studentët që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mjekësisë deklarojnë për “Telegraf” se në Rektorat kanë marrë justifikime të tilla si: “Nuk kemi logon e Universitetit” (çuditërisht nuk është gati, edhe pse Universiteti i Mjekësisë ka më shumë se një vit që gëzon këtë status), “S’kemi formatin e kartonit të diplomës, sepse ende nuk është bërë tenderi” etj., etj.. E njëjta situatë vërehet edhe te studentët që kanë mbaruar studimet e tyre në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike (Infermieria), Fakultetin e Stomatologjisë, Fakultetin e Shëndetit Publik, Fakultetin e Farmacisë në Universitetin e Mjekësisë.

Studentët

Të gjithë studentët e diplomuar në Universitetin e Mjekësisë janë zhgënjyer nga zvarritjet e vazhdueshme të rektoratit për kartonët e diplomave. Mosmarrja e diplomave i ka privuar ata nga pjesëmarrja në Provimin e Shtetit për marrjen e licencës dhe për pasojë, ata nuk mund të punësohen. Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë organizuar në nëntor të vitit 2013 një forum të hapur me qëllim referendumi për shkrirjen e universitetit të tyre dhe rikthimin brenda Universitetit të Tiranës. Shkak kryesor për këtë është mosnjehsimi i diplomave të tyre jashtë vendit, mungesë e ambienteve të zhvillimit të leksioneve, mangësi në kurrikula apo mosfunksionim i këshillit studentor. Sipas tyre, gjendja momentalisht është më e ndërlikuar se kurrë, pasi përveçse diploma nën logon e Universitetit të Mjekësisë rankohet në vendet e fundit në botë, ata denigrohen akoma më shumë duke mos marrë në dorë kartonin e diplomës, edhe pse kanë kaluar 8 muaj nga përfundimi i studimeve të tyre. Përveçse humbën të drejtën e dhënies së provimeve të shtetit, ata rrezikojnë me mosmarrjen e diplomës edhe kualifikimet përkatëse.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, në një prononcim për “Telegraf”  shprehet se “mosdhënia e diplomave nga rektorati i Universitetit ndoshta ka të bëjë me mungesën e fondeve”, ndërsa bën direkt përgjegjëse për këtë situatë rektoren e Universitetit të Mjekësisë Tiranë Jera Kruja për “keqmenaxhim dhe paaftësi”. Ndërsa shton se nuk asnjë arsye të justifikojë vonesën për dhënien e diplomave studentëve të diplomuar prej 8 muajsh.

Rektores Kruja i ka kaluar afati për ushtrimin e detyrës

Universiteti i Mjekësisë Tiranë u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 48, datë 23.1.2013. Në pikën 3 të këtij vendimi për emërimin e rektorit të këtij institucioni, thuhet se “Rektori emërohet sipas pikës 2 të nenit 23 të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ndërsa në pikën 2 të nenit 23 të ligjit “Për arsimin e lartë” thuhet se “Rektori i një institucioni të ri publik të arsimit të lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, sipas propozimit të bërë nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, me një mandat njëvjeçar në drejtim. Ky mandat mund të përsëritet, por jo më shumë se dy herë radhazi”. Faktikisht mandati i rektores Kruja ka më shumë se një muaj që ka mbaruar, por në faqen zyrtare të Universitetit të Mjekësisë nuk shohim asnjë të dhënë apo konfirmim se mandati i Jera Krujës si rektore është përsëritur. Si rrjedhim, znj. Kruja ushtron një funksion të paligjshëm, ndaj ajo nuk mund të firmosë në asnjë shkresë zyrtare si rektorja e Universitetit të Mjekësisë (se ligjërisht i ka mbaruar mandati 1 vjeçar). Nëse znj. Kruja e bën këtë, atëherë ajo do të mbajë përgjegjësi ligjore. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, ndoshta studentët e diplomuar që ende nuk kanë marrë kartonin, u duhet të presin për firmën e rektores së Universitetit të Mjekësisë, deri në zgjidhjen e këtij ngërçi.