Simon Mirakaj: “Ndaj të përndjekurve, shteti është borxhli”

    330
    Kanë kaluar 25 vite që me ardhjen e demokracisë dhe ish të përndjekurit ende nuk po marrin atë që u takon. Nuk bëhet fjalë vetëm për një dëmshpërblim monetar, por edhe për një dëmshpërblim moral. Nëse ka diçka që ata e kërkojnë më së shumti është integrimi në shoqëri. Përjashtimi prej saj shumë vite më parë, u ka imponuar atyre shumë probleme të paqena. Qoftë edhe një shpërblim monetar, ndoshta do t’u pakësonte atyre disa nga problemet që kanë aktualisht. Ish të përndjekurit janë një nga shtresat më delikate të shoqërisë shqiptare. Askush dhe asgjë s’mund t’ua lehtësojë plagën e diktaturës. Ata luftuan për një kauzë të mirë dhe pozitive, atë të atdhedashurisë dhe për një Shqipëri më të mirë.
    – Mendoni se thirrja e ambasadorëve në vendin tonë, për moslejimin e simboleve të diktaturës në manifestime të ndryshme në vend, mbeti thjesht një mesazh i padëgjuar?
    – U desh thirrja e ambasadorit amerikan Arvizu që të mos shiheshin më shfaqje të tilla. Ambasadori e cilësoi diktatorin si një monstër. Të mendosh që pas 25 vitesh demokraci, të kesh shfaqje të tilla dhe nostalgji për periudhën diktatoriale është një fatkeqësi. Të gjithë e dimë çfarë dhuroi diktatura, qoftë me eliminimin e njerëzve apo shkatërrimin e ekonomisë së vendit. Ama, është për të ardhur keq që duhej thirrja e tij që politikanët tanë të kuptonin kush ishte Enver Hoxha dhe pasuesit e tij.

    – Sipas jush, dekriminalizimi duhej bërë para apo pas realizimit të ligjit të lustracionit?
    – Dekriminalizim pa dekomunistizim nuk ka! Ne e kemi ngritur zërin që dekriminalizimi duhet të ecë paralel me dekomunistizimin. Për fat të keq, kemi ende njerëz në administratë që vijnë nga krimet diktatoriale, si prokurorë apo njerëz të gjykatave. Dekomunistizimin nuk po e bëjmë për t’u bërë qejfin ish të përndjekurve, por për të ardhmen e vendit tonë dhe brezit të ri.

    – Institucioni i të përndjekurve politikë është thjesht një institucion, ku drejtuesi merr mandatin e radhës apo ku sfidat e së sotmes për të përndjekurit janë problematika, që duhet të ishin zgjidhur me kohë?
    – Problemi i ish të përndjekurve është delikat, sepse ke të bësh me një shtresë me shumë probleme. Probleme, të cilat iu imponuan nga diktatura, e cila i shkatërroi fizikisht, mendërisht, dhe ekonomikisht. Ngritja e këtij institucioni u ka dhënë një impuls integrimit të tyre. Janë bërë ligje për integrimin e kësaj shtrese, p.sh. rreth çështjes së strehimit, pasi 90 % të kësaj shtrese iu është sekuestruar pasuria.

    – Thuhet që shumë prej të përndjekurve kanë probleme me dokumentacionet dhe për pasojë s’kanë marrë as këstin e parë të dëmshpërblimit. Do duhej një reagim më konsistent nga ana juaj?
    – Plotësimi i dokumentacioneve rreth ligjit të dëmshpërblimit ka filluar që në 2007. Ligji përcaktonte se dëmshpërblimi fillon pasi të mbyllet dokumentacioni, me afat 2-vjeçar. E kemi cilësuar të padrejtë vënien e afatit, pasi arrestimet dhe ekzekutimet nuk kishin afat. Diktatori tjetër, Ramiz Alia, nxori një ligj, ku ata që tentonin të kalonin kufirin, do të dënoheshin administrativisht. Ndodhi e kundërta, pasi ata u dënuan me plumb! Janë rreth 2.000 kërkesa të pashqyrtuara në Ministrinë e Drejtësisë, vetëm se “u ka kaluar afati”. Në 2009 filloi shpërblimi i këstit të parë dhe secili mori 1/8 e shumës që u takonte. Mirëpo, ka një zvarritje në pagesën e këstit të dytë dhe këstit të pestë.

    – Protestat mbeten forma më demokratike e kërkimit të të drejtave. Gjatë gjithë këtyre viteve, a nuk duhej që gjithë të përndjekurit të ishin më të organizuar për të arritur atë që kërkojnë prej 25 vitesh?
    – Të përndjekurit kanë qenë gjithmonë pothuajse në unison në pjesën më të madhe të kërkesave, pasi kanë një emërues të përbashkët. Protestat janë pjesë e demokracisë. Një popull që s’proteston, s’ka të ardhme. Ne jemi pro protestave, gjithmonë që të jenë pa dhunë e pasoja.

    – A mendoni se politika shqiptare është ende në mentalitetin komunist?
    – Sigurisht që po. Ajo periudhë e ka lënë gjurmën e vet. Disa prej njerëzve që janë pjesë e politikës sot, janë shkolluar dhe edukuar në periudhën e diktaturës, dhe pavarësisht se ata duan të dalin nga ky lloj mentaliteti, e kanë shumë të vështirë. Shpresoj që brezi i ri në politikë ta çojë vendin përpara.

    – Mos ndoshta ka ardhur koha që të gjithë grupimet dhe shoqatat e të përndjekurve politikë të unifikohen?
    – Ka pasur përpjekje, por ka dhe kohë për unifikim. Ndaj shtresës së të përndjekurve, është shteti borxhli, në radhë të parë! Të burgosurit kanë dashur një Shqipëri të lirë. Mosunifikimi i shoqatave nuk ka ndikuar në integrimin e të përndjekurve.

    – Në kushtet e sotme, parë nga syri i një ish-të përndjekuri, a ju duket Shqipëria e gatshme për tu futur në BE?
    – Shqipëria është shumë larg Europës. Ne jemi fizikisht në Europë, por nga ana e kulturës dhe mentalitetit jemi shumë larg. Vijmë nga një diktaturë e egër komuniste dhe kemi një mentalitet komunist. Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve, ka përparuar. Për natyrën që ka Shqipëria, mund të kishte ecur me ritme edhe më të shpejta, nëse s’do ekzistonte ky mentalitet që thamë. Kemi një luftë të ashpër politike, të cilën e konsideroj të pakuptimtë, sepse shtresa që e ka vuajtur atë diktaturë është treguar shumë më paqësore. Shqipëria e meriton të jetë në BE, por është shumë larg. 
    Sigal