Si po zhduket e largohet çdo ditë nga ne-Berati

    520
    Sigal

    Së bashku me një grup shoqesh nga Tepelena, që përfunduam maturën shtetërore këtë vit shkollor, vendosëm të bëjmë një album vlerash historike me foto e mbresa për Beratin, qytetin “VIP” të traditës dhe historisë shqiptare, nisur ndërtimin nga themeli qysh 2400 vjet më parë, nga ata të parët banorë që u vendosën aty në kodrat mes dy anëve të asaj gryke e lugine lumi, me emrin “Osum”.
    Masakra dhe shëmtira anti-kulturore që ka zaptuar Beratin
    Edhe pse është e dhimbshme ta deklarosh e publikosh, duhet thënë se qyteti muze me vlera deri tejshqiptare, nuk është më Berati që flitet e propagandohet. Prej 20 vjetësh, pa asnjë frenim prej institucioneve të ligjit e kulturës, këtij “qyteti perlë” i shkatërrohet, i zhduket, i humbet diçka nga vlerat muzeale gjersa vjen moment që zhduken e tjetërsohen pjesë të tëra të arkitekturës, traditës, e historisë së qytetit. Pamë dhe kuptuam nga bisedat, se edhe vet beratasit, ashtu si institucionet përgjegjëse, duket se po lejojnë “me dëshirë” shkatërrimin e pjesëve “vlerë” të qytetit të tyre. Të katër pjesët “traditë, histori e muze” të Beratit, janë “montuar” prej shekujsh mbi katër maja kodrash, të cilat qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, ku dielli sa ikën nga njëra majë, bie mbi tjetrën, por asnjë sekondë nuk “shkel” mbi të gjitha njëherazi. Përfund këtyre “lagjeve vlera”, përgjatë një segmenti prej 3 kilometër buzë lumit Osum gjendet pjesa e qytetit me arkitekturë të modelit “ruso-polako-kizneze”, ndërtuar në 45 vitet e socializmit. Po çfarë shikon ndesh, kur shkon në Berat? Nëse është kohë me shi, ndesh përmbytje llumi e gurësh, që vërshojnë tatëpjetë rrugicave të lagjeve muzeale. Nëse është ditë me diell, pluhuri dhe plehrat janë ‘dekori” prezantues i qendrës së qytetit. Në hyrje, në dalje dhe në skajet e qytetit, ndesh “kodrina” me mbetje inerte, madje të hedhura dhe buzë rrugës kryesore e nëpër rrugicat e kalldrëmta në brendësi të lagjeve. Qendra e Beratit është një infrastrukturë urbanistike e shërbimesh publike kaotike dhe e deformuar që ndot, zhurmon, mundon, shqetëson, pengon dhe largon të huaj e vendas që vijnë për të “takuar”, fiksuar dhe shijuar vlerat e Beratit. Pamja e zemrës së qytetit është kjo: Mbeturina që nuk pastrohen, makina të vjetra, puseta të hapura, trotuare të shkatërruar, makina që ecin me shpejtësi, pluhur që ngrihet shtëllung e mbush mjedisin, mungesë rrugësh për kalimtarët, mungesë ndriçimi, kalldrëme që nuk ekzistojnë më, objekte kulti rrethuar nga pijetore e kioska që jashtëqitin ujëra të zeza e pirgje me plehra. Rrugica lagjesh, ku balta ka zëvendësuar kalldrëmet dhe asfaltin. Një kala madhështore që nuk mirëmbahet, që po i vidhen edhe gurët, që në bedena nuk i vendosen “dy drita” për ndriçim, që nuk i vendoset një ciceron për të shpjeguar e treguar vlerat dhe historinë. Dhe më e trishtueshmja, më banalja, më skandalozja është hyrja e Urës Goricë dhe e lagjes muzeale “Goricë” e kthyer prej vitesh në pazar lopësh e pulash me “simfoni” pëllitje gomarësh e turma qensh. Ura e lashtë e Goricës, po shkon drejt degradimit fizik e panoramik, mbuluar nga mbeturinat, bajgat, zhavorri dhe plehrat e tregut. Poshtë tij rrjedh Osumi, po kaq i ndotur nga mbetjet inerte, mbeturinat, plehrat dhe ujërat e zeza që derdhen brenda tij. Pjesa e Beratit të ndërtuar gjatë socializmit, është tjetërsuar në një parcelë gjiganden me pallate banimi, që kanë humbur cilësinë dhe pamjen urbanistike nga shtesat e adoptimet. Përmes tyre, një pallat kulture e një ish-kinema me fasada të “rrjepura”, me mjedise të degraduara e oborre të shkatërruar, pa dritare, pa “zë”, si shëmbëlltyrë e një hani të braktisur. Qendra e qytetit është kthyer në shesh transporti masiv, ku orë e çast vërshojnë rrëketë e ujëra-plehrave të autobusëve e taksive që lahen, duke e kthyer në një lavazh gjigand.
    Pjesa muzeale, drejt zhdukjes
    Sipas guidës zyrtare, afro 70% e qytetit të Beratit është vlerë muzeale si në aspektin arkitekturor, tradicional, historike e kulturor. Edhe pse ka një “volum” kaq të madh vlerash, për to ka vite që nuk bëhet as kujdes, as investim, as kontroll, as ndalim ndaj shkatërrimeve e tjetërsimit të tyre. P.sh, me sa na thanë, afro 50 prej banesave karakteristike në lagjen “Mangalem”, 49 banesa në lagjen “Goricë”, 27 banesa në lagjen “Porta e Pashait”, 73 banesa në lagjen “Vakëf”, 169 banesa në lagjet “Barrikadë 1 e 2”, por dhe në lagje të tjera, janë amortizuar plotësisht, janë rrënuar e kthyer në gërmadhë, ose janë tjetërsuar për shkak të gjendjes fizike, në vend që të restauroheshin e të ruanin “profilin” e tyre historik, arkitekturor e muzeal. Pronarët e shtëpive më të vjetra të Beratit, në lagjen “Mangalem”, na thanë se kanë mbi 20 vjet që përdorin diçka nga financat familjare, për të mbrojtur dhe rehabilituar vlerat e banesave, duke siguruar vetëm ekzistencën fizike të tyre. Pse? Sepse nuk ka mbështetje nga institucionet shtetërore për t’i ruajtur këto vlera të çmuara. Gjatë vëzhgimit tonë, pamë që në këto lagje ishin rrafshuar deri në themel afro 50 banesa karakteristike, ndërkohë që afro 200 prej tyre janë përshtatur me murre e tarraca betoni. Tmerrësisht dhe plotësisht, gjenden jashtë vëmendjes edhe 43 objekte kulti, me vlera të spikatura muzeale e historike, si ura, rrugë, kala, kisha, xhami, teqe, vende të shenjta. Mjediset rrotull tyre janë të bllokuara e të degraduara. P.sh, në xhaminë “Mbret” pranë merkatës qendrore të Beratit, pamja nuk ka asnjë lidhje me vlerat e këtij objekti. Pamë, që pirgje mbeturinash dalin nga tregu dhe hidhen rrotull xhamisë të “Telelkave”, madje edhe brenda kangjellave të saj. Po kaq e pisët dhe e degraduar është pamja rrotull xhamisë së “Beqarëve”. Tepër skandaloz e alarmant është mjedisi tek xhamia e “Plumbit” në qendër të qytetit. Madje anormaliteti i lejuar nga institucionet shkon deri atje, sa në kangjellat e saj rrethuese lidhen kafshë e parkohen mjete të renda transporti lëndësh inerte, si dhe autobusët e linjave të shumta të cilët bllokojnë pamjen dhe hyrjen në këtë xhami. Sipas evidencave që ka atelieja e monumenteve të kulturës në këtë qytet, rezulton se Beratit i janë zhdukur në këto 20 vite e nuk i janë zëvendësuar afro 25 kilometër kalldrëm, Gjendet i degraduar afro 12 kilometër, ndërkohë që afro 8 kilometër është zëvendësuar me rrugica e rrugë betoni. Në Berat, në 4 nga lagjet e qytetit dhe konkretisht në “Kala”, “Mangalem”, “Goricë” e “Vakëf”, gjithçka është vlerë e rrallë muzeale, që nga pazaret, rrugët, rrugicat, shtëpitë, pragjet e dyerve, puset e ujit dhe objektet e kultit, të nisura si ndërtim që 2400 vjet përpara, por që po shkatërrohen sot nga ne, brezi i Shekullit të XXI.