Shkolla e amortizuar, jeta e nxënësve e mësuesve në rrezik

    436
    Sigal

    Kryekomunari Alliu: Ka vite që kemi dhënë alarmin, por nuk jepen fonde

    Nxënësit e shkollës së fshatit Vulçan, të Komunës Hotolisht në Rrethin e Librazhd, mësojnë në kushte skandaloze. Kjo shkollë  ndodhet 4 kilometra larg nga rruga Nacionale Përrenjas-Librazhd dhe ka mbi 40 nxënës. Banorët shprehen të shqetësuar për jetën e fëmijëve të tyre  që mësojnë në këtë shkollë, që është duke u shembur,me tavane të rëna, pa dyer e pa dritare. Prej vitesh kanë kërkuar për ndërtimin e një shkolle të re, madje një pjesë e banorëve i kanë hequr fëmijët nga shkolla dhe i kanë dërguar në shkolla të tjera vartëse duke udhëtuar 2-3 orë në këmbë mes shiut dhe të ftohtit. Banorët kanë kërkuar ndërtimin e një shkolle të re. U është premtuar nga politika, por asgjë. Madje sipas Ismail Mënallës, kryetari i fshatit, thotë se: “një deputet, në zgjedhjet e vitit të kaluar na premtoi se, këtë shkollë do ta ndërtoj unë me dy pagesat e para mujore që do marrë nëse fitoj”, për fat partia e tij fitoi zgjedhjet, por shkolla vazhdon të jetë në gjendjen skandaloze. Madje dhe projekti është dërguar në Ministrinë e Arsimit që nga viti i kaluar por asgjë. Një problem serioz i shkollës që është gati në shembje është dhe mbulesa e saj me internit, që është tepër kanceroze dhe që duhej të eliminohej sa më parë. Ky lloj materiali është hequr nga vendet e Bashkimit Europian. Ndodheshim aty, ku nxënësit e klasës së parë festonin festën e abetares në këtë shkollë të shkatërruar dhe në mjerim, ku nga njëra anë festonin dhe nga ana tjetër kishin frikën e shembjes së tavanit ose të mureve mbajtëse.

    Fadil Alliu, Kryetari Komunës Hotolisht, shprehet se: “Kam vite që kërkoj për ndërtimin e një shkolle të re, pasi ndërtesa është shumë e shkatërruar dhe me një mbulesë interneti kancerogjene. Këta  fëmijë çdo ditë i’u rrezikohet jeta si nga shembja, por dhe sëmundja që ju kërcënohet nga materiali që është mbuluar ndërtesa. Kam dërguar projektin në Ministrinë e Arsimit, që në  vitin e kaluar, kërkoj që të ndërtohet një shkollë e re për këtë fshat dhe për të shpëtuar jetën e nxënësve. Një projekt, që kushton rreth 50 milionë lekë të vjetra”.

    Belkize Miska