Monumentet e Kulturës kërkojnë ndëshkime ligjore për abuzuesit

606
Sigal

Po groposen vlerat arkeologjike

Konflikti mes firmave pirate të ndërtimit dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, ka rezultuar gjithnjë me humbje, ose në dëm të pasurisë historike të antikitetit mbi të cilën ndërtohet përditë. Para disa ditësh, dy firma pirate ndërtimi që operojnë në qytetin e Durrësit, kanë nisur dualin e proceseve gjyqësore me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Prej vitesh kjo betejë ka qenë e hapur, por edhe e heshtur. Arkeologët shprehen se “firmat shkelin ligjet, kurse Instituti i Monumenteve në rastin më të mirë i bllokonte dhe pas zhurmës mediatike shihej se ndërtimet vazhdonin me konsensusin e heshtur”. Megjithëse dega e Monumenteve të Kulturës në Durrës, ka ngritur padi penale, duket se Prokuroria i shmanget çdo informacioni lidhur me këtë problem. Ndërkohë biznesmenë ndërtimi e persona që kanë lidhje me monumentet në Durrës shprehen se “jemi ne që kemi bërë padi penale”. Në Durrës ka firma të gjobitura deri në 50 milionë lekë gjobë, ka firma të denoncuara nga Instituti i Monumenteve për dëmet që i kanë shkaktuar Durrësit historik e monumental. Tre muaj më parë u gjendën të hedhura në fushën e plehrave të qytetit, në Porto Romano, gjurmë arkeologjike. Arkeologët  dhe historianët e Monumenteve të Kulturës, e denoncuan në organin e akuzës firmën për dëmin e shkaktuar. Drejtuesit e degës së Monumenteve të Kulturës Durrës thanë se “do ta denonconin në prokurori firmën në fjalë, duke i hyrë betejës juridike mes tyre”. Vonesat e përcaktuara në ligj, të shkaktuara nga ana e Institutit kanë shërbyer si “Casuz Belli” për të nisur një kundërgoditje juridike. Sipas ekspertëve juridikë, “drejtuesit e Monumenteve Durrës nuk kanë respektuar afatet që i njeh ligji për dërgimin e specialistëve arkeologë për mbikëqyrjen e punimeve gjatë gërmimeve të dherave ku do të ngrihen pallatet”. Të paditurit, kundërpaditës siç njihen në terminologjinë juridike, nuk kanë toleruar më vonesat të cilat do të thonë humbje shumash të mëdha dhe kanë kundërpaditur në prokurori. Edhe një vit më parë, drejtori i Departamentit të Arkeologjisë në Durrës, dr.Afrim Hoti, ka lëshuar sinjalin e alarmit për dhunën që ushtrojnë firmat e ndërtimit në nëntokën arkeologjike të qytetit. Nga verifikimet e bëra në terren rezulton se, ka subjekte private të cilat kanë shkatërruar pasurinë arkeologjike gjatë gërmimeve për ndërtimin e pallateve. Arkeologët kanë ngritur zërin lidhur me nënvleftësimin që kanë dëshmuar deri tani pronarët e subjekteve, pasi nuk kanë marrë mundimin as të dëgjojnë vërejtjet e bëra. Në morinë e probleme me të cilat është ndeshur bërthama e arkeologjisë në Durrës duhen veçuar dëmet e pariparueshme që kanë sjellë gërmimet dhe betonimi i vendeve në pesë pika të cilësuara të nxehta përsa i përket dëmtimit të pasurisë së nëntokës së Durrësit. Janë 5 sheshe ndërtimi problematike, ku gjatë gërmimeve janë dëmtuar si dhe janë evaduar për në pikat e grumbullimit të materialeve inerte, shumë gjetje me vlera arkeologjike. Departamenti i Arkeologjisë nuk është përfshirë në detyrimin e subjekteve të ndërtimit për të pasur në marrëveshjen për ndërtim edhe të një eksperti të arkeologjisë. Kjo i ka dhënë mundësi industrisë së ndërtimit të shpërfillë çdo ankesë e protestë. Në lagjen 6, është konstatuar se një subjekt privat ka ushtruar dhunë mbi pasurinë arkeologjike të zbuluar nga gërmimet dhe materialet janë hedhur buzë kanaleve. Arkeologët akuzojnë edhe pushtetin vendor, pasi kanë shpërfillur kërkesat e departamentit dhe nuk ka ndikuar aspak tek firmat e ndërtimit për të zbatuar ligjin. Sipas legjislacionit në fuqi, në rastet kur gjatë gërmimeve zbulohen rrënoja arkeologjike, subjekti ndërtues detyrohet të ndërpresë punimet e të vërë në dijeni pushtetin vendor dhe departamentin e kulturës. Nisur nga masakra reale e ndodhur në Durrës, logjika e gjitha këtyre veprimeve me pasoja të rënda për trashëgiminë arkeologjike ka një prapavijë të përcaktuar, e cila i mbetet organeve kompetente ta hetojnë.