Sergej Esenin/ Letër Nënës…

    751
    Sigal

    Gjallë je, nënoke? Edhe unë

    Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!
    Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
    Izbën tënde, që me mall më pret.

    Thonë se je ligur e je tretur
    Nga meraku im, po nuk ankon,
    Se, pështjellë me një shall të vjetër,
    Fillikate rrugës shpesh kalon.

    Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,
    Një vegim i zi të kall ty frikë,
    sikur në një sherr diku në pije,
    Vjen dikush e ma këput me thikë.

    Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,
    Brenga t’i fanit këto ndër sy.
    S’jam aq pijanec i lig sa ç’ thonë,
    Si do vdes pa të të parë ty?

    Unë jam po foshnje, si një herë,
    Dhe një shpresë veç ushqej në gji:
    T’ iki nga ky tym e kjo poterë,
    Te shtëpiza jonë aty të vij.

    Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
    Anekënd të vishet me blerim.
    Vetëm ti, si tetë vjet më parë,
    Mos më zgjo aq herët në agim.

    Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë
    Ëndrrat e moshës plot hare.
    Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë,
    Dua veç të shlodhem e të fle.

    As t’i lutem Zotit mos më thuaj,
    Si dikur në t’artën mituri,
    Ti ke mbetur ngushëllim për mua,
    Dritë e parrëfyer, vetëm ti.

    Ndaj merak ti mos m’ u bëj aq tepër,
    Tek e liga mendjen mos e ço,
    Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër,
    Fillikate rrugën mos kalo.