Ali Asllani/ Poezi

    748
    Sigal

    Vlora, Vlora!

     Jam vlonjat e jam vlonjat,

    e kam shkabën mëm’ e atë,
    shkaba trime dykrenore
    fron’ e saj e ka në Vlorë!

    Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
    rroki armët, bëja forra!

    Vlora trime shqiptare
    si rob jetën s’e do fare,
    a do mbetet Shqipëri,
    a do bëhet tym e hi!

    Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
    rroki armët, bëja fora!

    Jam vlonjat e jam burrë,
    s’duron burri zgjedhë kurrë,
    jam vlonjat e si vlonjat
    di bëj luftë me të shtat’!

    Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
    Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

    Jam vlonjat dhe trim me besë,
    rreth flamurit di të vdesë,
    a me hir a me pahirë
    doemos do rroj i lirë!

    Ç’ke moj zemër që rënkon!

    Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
    Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
    Mbushen xhepat me flori
    E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

    Shitet vendi për para, me para e për para
    Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
    Para hasmit lepe peqe
    Para zërit te atdheut hundë e tyre shtatë sqepe!

    Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
    Kurse shoku pinte uthull lum zotëria pinte verë,
    Milioneri yn’ i ri
    Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

    E përherë me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
    Ne një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
    Me dy faqe, me dy nofulla, ne një xhep e dy flamurë
    E hedh këmben me daulle edhe turk edhe kaur!

    Na të urt’ e të mëndafshtë s’qemë të zot të bënim zë
    Ku fillon me thashetheme hij’ e vetes të përzë;
    Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
    E ç’kërkon në gji të gjembit të këndoj’ një dallëndyshe?

    Mirëpo vendi paskësh zemër, paskësh sy e paskësh vesh,
    Shikon larg e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
    Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
    Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!