Sefedin MET’HOXHA/Çorovoda, një perlë në gji të natyrës

    354
    Sigal

    Në zemër të maleve aty ku natyra ka falur gjithë bujarinë e saj ndodhet qyteti i Çorovodës, i vendosur midis dy lumenjve që zbresin nga lartësitë dhe mbasi bashkohen aty si dy miq të vjetër nisin rrugën e përbashkët drejt detit duke lënë pas Çorovodën dhe bukurinë e saj. Ndërsa valët e Osumit thurin këngën “Çorovoda anës lumit ndrit si krahët e pëllumbit” aty nisin vargun kanionet e bukura që edhe turistin më të shëtitur e lënë të mahnitur. Në të dy anët e kanioneve varen rrëpira valë– valë ndërsa shkëmbinjtë e thepisur qajnë ujë dhe duken sikur lotojnë. Degët e lisave ngarkuar me hardhi përbëjnë dekorin e saj ndërsa rrapet shekullorë me ujin e ftohtë aq i lakmuar për të gjithë. Përballë Çorovodës qëndron kalaja një mrekulli e vërtetë një monument i pa shpallur i natyrës së Skraparit. Malet e kodrat zbresin butë – butë drejt Çorovodës së qetë. Ujërat janë një tjetër magji më vete ashtu si dhe shpella e Pirogoshit që qëndron nën këmbët e kanionit të famshëm me thellësi mbi 1000 m nën fshatin Gradec, spërkatja e ujërave mbi shkëmbinjtë e thepisur krijojnë një kënaqësi të veçantë dhe duken si një telajo piktori që s’të shkulet nga kujtesa. Këto dhe kullat e bardha të mbështetura sup më supë më njëra-tjetrën aq ngrohtësisht si dhe njerëzit që gërshetohen në një të vetëm a thua se perëndia ka sjell këtë mrekulli dhe këta njerëz qe ne shekuj me radhe te jetojnë ne harmoni me njëri – tjetrin. Një fotograf i huaj u magjeps nga kanionet  “ vodhi” pamje dhe i rekomandoi diku gjetkë. Duke shkruar këto radhe më vijnë ndërmend vargjet e Dritëroit të madh:

     Kalojmë pranë bukurisë shpesh

    Kalojmë të heshtur si udhëtar

    Dhe s’vëmë re si nisë e buzëqesh

    Me shoqërinë drejt kohësh

    Hedh sytë nga mali i Tomorit një ndjenjë e fuqishme më pushton dhe si çdo bektashi e skraparlli i rritur me krenarinë tomorriane nën “Vështrimin engjëllor” të këtij “Tempulli natyror” që ngrihet krenar e madhështor me pamjen e tij piktoreske që duket sikur puthë qiellin, rritej dashuria për këto male, për ta bërë këtë vend, vend turistik  kështu krenohet edhe zbukurohet edhe Çorovoda, e cila ka marrë pamjen e një zonje që qëndron midis bukurisë së natyrës që i ka falur perëndia. Çorovoda ka sisteme të pafund kodrash aq të ëmbla e të begata për pemëtarinë, ajo ka kullota malesh për bagëti e mbi të gjitha ka potencial njerëzor të mrekullueshëm, artiste nga shpirti, bujar nga zemra, ka njerëz që e duan punën, njohin sakrificat e duan të përballen me të njeri prej tyre është Kryetari i Bashkisë së Çorovodës, z.Nesim Spahiu që qytetarinë e ka pjesë të qenies së vetë, më mirë e më bukur së tjetërkund. Kur erdhi në krye të Bashkisë e gjeti qytetin të shkatërruar dhe bashkinë me një deficit  financiar që s’e besonte askush se do të dilte nga ajo gjendje. Tani bashkia ka marrë fytyrën e një institucioni shtetëror. Por edhe qyteti ka një fytyrë tjetër, duke shëtitur rrugës vëren se shumica e tyre janë rregulluar, furnizimi me drita dhe ujë gjithashtu. Nëse shkon përkrah bashkisë, një godinë me fasadë të rregulluar e të shndritshme, një syresh thotë se një fshat që duket nuk do kallauzë. Përshtypjen e mirë e krijojnë qysh në hyrjen e qytetit ku dora e njeriut po i përqaset bukurisë së natyrës. Një nxënëse e gjimnazit të këtij qyteti me cilësinë e një të riu thotë “ shkojmë me kënaqësi në shkollë sepse godina është rregulluar e zbukuruar por edhe është pajisur me komoditetet bashkëkohore. Pëshpërima e butë e qeshje kumbuese mbushin lulishten në qendër të qytetit të restauruar e zbukuruar nga donacioni i përfaqësuar nga z. Barjam MUCAJ. Po kështu një biznesmen tjetër skraparlli z. Vladimir Çela i ka dhuruar institucionit fëminorë kompletimin me komoditete bashkëkohore. Tani Çorovoda ka një fytyrë tjetër, gjërat kanë ndryshuar për mirë. Në qendër të lulishtes së zbukuruar qëndron busti i heroit të popullit Riza Cerova që në një dorë mbanë pushkën dhe në tjetrën një zhupë me letra, ku nënkupton karakterin e skraparllinjve, të cilët kanë qenë jo vetëm të pushkës, por edhe të penës. Skraparlliu askujt nuk i është përkulur, por veç kombit të vetë.

    Natyra ka sjell mrekullitë e papërsëritshme që duhen shfrytëzuar thotë Kryetari i Bashkisë së Çorovodës z. Nesim SPAHIU dhe mori nismën “Çorovoda qyteti më i pastër” që gjeti mbështetjen e mbarë qytetarëve të biznesmenëve por edhe të deputetëve të zonës. Në Shqipëri ka shumë vende të bukura piktoreske, por Çorovoda dhe gjithë Skrapari janë ndofta vendet më të bukura në botë. Një harmonizim i përsosur ku kombinohen magjishëm ajri i pastër, bukuria e kanioneve, një qytet midis dy lumenjve rrallë që e gjen  në botë i zhytur i tëri në gjelbërim, bujaria e mikpritja si dhe kuzhina tradicionale ka bërë që Çorovoda të vizitohet çdo vit nga qindra e mijëra turistë nga të gjithë vendet e botës, edhe pse infrastruktura nuk është ajo që kërkohet, ende nga shteti nuk ka një strategji që Skrapari të kthehet i tëri në një vend turistik që skraparllinjtë ta shijojnë atë mrekulli që ju ka falur natyra. Shumë turistë të huaj në kontaktet me ta më kanë thënë: “ mos e braktisni këtë vend, por luftoni përpiquni ta ndryshoni atë” ky është zëri i jetës e i së ardhmes pa të cilin vetë jeta nuk do të kishte kuptim. Të ndjesh ku të mundesh një dritë të vogël shprese në shpirtin e këtyre njerëzve të drobitur por atdhetar e bujar. Njihesh me përpjekjet dhe këmbënguljen e kryetarit të bashkisë z. Nesim SPAHIU për ta bërë këtë vend pak nga pak qytet e këta banorë qytetarë të një shteti evropian. Dhe të krijohet ideja se e ka të vështirë sepse dera e qytetërimit është e rëndë, atë nuk do ta shtyjmë dot vete nëse shteti kujtohet për Skraparin vetëm kur i duhet vota. Bashkia e qytetit është e vendosur që nismën që kanë marrë dhe që u promovua këto ditë në një pjesëmarrje të gjerë njerëzish duhet që të bëhet realitet, dhe e kërkon këtë gjë në emër të jetës së qytetarëve të vetë gjer në sublimë.