Rusia ndalon në 8 dhjetor importin e fruta-perimeve nga Shqipëria

    381
    Sigal

    Agjencia Federale ruse për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Fitosanitare ka vendosur të ndalojë importin e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, duke filluar nga data 8 Dhjetor.

    Kjo deklaratë është bërë nga kreu i kësaj agjencie, Sergei Dankvert për agjencinë shtetërore të lajmeve, Itar-TASS. “Shqipëria është përdorur si një “mbulesë” për importet nga vendet e Bashkimit Europian nëpërmjet Bjellorusisë dhe të ashtuquajturit tranzit të rremë në Kazakistan”, deklaroi Dankvert.

    “Hetimet e përbashkëta zbuluan një firmë që merrej me shpërndarjen e certifikateve shqiptare që shtypeshin në një shtëpi botuese në Republikën ceke. Dokumentet false janë zbuluar në kufirin me Biellorusinë. Shqipëria nuk arriti të jepte informacion për sasinë e fruta perimeve, informacion i nevojshëm për të krahasuar rritjen e importit për në Rusi me prodhimin e vërtetë shqiptar” theksoi Dankvert që sipas tij  hapi i radhës ishte Maqedonia, Bosnja dhe Zvicra.

    Në muajin gusht të këtij viti Rusia ndaloi importin e mishit, shpezëve, peshkutm djathit, prodhimeve të bulmetit, frutave dhe perimeve nga Australia, Kanadaja, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian për në vit, si reagim ndaj sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi.