Evis Fico: Në Shqipëri femra jo pak herë, për shkak të brishtësisë së saj, bëhet objekt i vulgaritetit apo diskriminimit.

1071
Sigal

PERSONAZH/ Flet për “Telegraf”, juristja Evis Fico: “Pendimet janë të panjohura për mua!”

Ajo ka studiuar për drejtësi në “National & Capodistrial University of Athens”. Më pas ka kryer edhe një specializim në degën Shkenca Politike, një shkollë e iniciuar nga Këshilli i Europës. Është eksperte për Studime të Europës Juglindore. Gjithashtu ka qenë pedagoge e lëndës “E Drejtë Migratore”, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Aktualisht, është specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Punësimit dhe Migracionit, në Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

 Evis, ju keni studiuar jashtë, si ka qenë periudha e studimeve?

Kjo periudhë për këdo është e bukur. Kërkon të thithësh sa më shumë dije, kulturë dhe miq. Është koha kur të duket se ke zotësinë e plotë për të vendosur vetë për gjithçka. Mbërritja ime në vendin helen, njohja me njerëz të shumë kombësive, me botë të ndryshme në mendësi e kulturë, e bëri jetën time studentore fuqimisht rrezatuese dhe mua vetë më vuri përballë shumë sfidave.

Sfida më e madhe me të cilën jeni përballur?

Të qenurit e vetme në një vend të huaj, ku stigmatizimi për shqiptarët ishte prezent. Por megjithatë në këtë rast vlen një shprehje greke ,“Çdo pengesë, për të mirë”.

Mund të na tregoni një rast konkret?

Në kursin e masterit, gjatë leksionit “Historia e Ballkanit”, profesori pyet në auditor nëse kishte në kurs ndonjë shqiptar. Një koleg ngrihet dhe thotë se nuk kishte nga Shqipëria. Më pas unë prezantova ç’ ka u kërkua për Shqipërinë. Ai ngrihet dhe kërkon të falur, duke shpjeguar se në Greqi haste vetëm emigrantë në ndërtim apo punë të rëndomta. Më vonë ky paragjykim u shndërrua në një miqësi dhe bashkëpunim profesional.

Po kujtimi më i bukur që ruani?

Ceremonia e diplomimit tim ka qenë një nga momentet e paharrueshme të jetës sime, veçanërisht kur dekani dhe njëherazi profesori im, më tha: “Jam krenar që të dorëzoj sot kurorën e mundit të punës tënde, mjaft të vështirë për vetë ata që e kanë gjuhën greke, gjuhë amtare!”.

Pse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?

Arsyeja e kthimit tim ka qenë tërësisht e ndikuar, dhe jo një vendimmarrje në kushte normale. Por ja që jeta të vendos përballë disa vështirësive për të të provuar fuqinë e zemrës dhe mendjes. Dhe unë besova me mendje në fuqinë e zemrës, që më thoshte se duhet të kthehesha.

Jeni penduar në ndonjë moment për këtë vendim?

Pendimet janë të panjohura për mua. Ato ikin bashkë me kohën. Unë ndiej keqardhje për realitetin e varfër dhe pa ngjyra. Megjithatë, në këtë qerthull të kësaj botës sonë, “firmato” nga veshja dhe lakuriqe në mendime e ide, përpiqem të gjej pozitiven.

Çfarë ju shqetëson nga realiteti shqiptar?

Një mik i familjes sime, avokat i njohur dhe personalitet i nderuar, para disa ditësh, më tha: “Evis, a mendon të largohesh jashtë? Shqipëria është vend për moshën e tretë dhe jo për impulsin, hovin që ka rinia shqiptare, e cila s’di nga të përplaset”. Edhe unë mendoj se në një vend ku tranzicioni jo vetëm s’ka përfunduar, por vazhdon edhe më i egër, ku disa universitete hapen, e disa të tjerë mbyllen, ku njeriu përballet me institucione që kanë emrin shtetërore, por që mbajnë “erën e vjetër” të individëve që autoritetin e ndërtojnë nëpërmjet dhunës, frikës, ku i drejti kërkon drejtësi nga i zhyturi deri në brez në padrejtësi.

Sa e hapur ju duket shoqëria shqiptare?

Shoqëria jonë është një shoqëri në lëvizje, e cila përpiqet  të kopjojë rrufeshëm shoqëri mjaft të emancipuara të Europës e botës. Të paktën është për t’u vlerësuar ambicia, pavarësisht se përthyerja e këtyre kulturave në shoqërinë tonë, është bërë në kahun e kundërt, atë negativ.

Çfarë duhet bërë për ta kthyer në kahun pozitiv?

Që të ndryshojë mentaliteti, duhen të paktën tre breza antropologjikë. Çdo gjë do kohën e vet. Dhe kohën as mund ta vjedhim, as ta kopjojmë dot. Po sjell këtu një shembull tipik, në SHBA donin të ndërtonin fusha tenisi si në Wimbledon të Anglisë. Specialistët u përpoqën të arrinin cilësinë e fushave të Anglisë, por më kot. Shkuan vetë tek fusha e famshme dhe gjejnë një anglez që po kosiste barin. Ata e pyetën se përse bari i tyre në SHBA nuk bëhej si bari i fushës së famshme, pasi kishin marrë barin dhe dheun në Angli. Anglezi i tha se për këtë, bari duhej kositur për 400 vjet.

Cilat janë sipas jush vështirësitë më të mëdha që hasin femrat sot në Shqipëri?

Në Shqipëri femra jo pak herë, për shkak të brishtësisë së saj, bëhet objekt i vulgaritetit apo diskriminimit. Në fakt, njeriu duhet të fillojë nga vetja dhe pastaj të japë një gjykim të përgjithshëm. Më vjen mirë që po i jepet prioritet femrës në shumë pozicione, veçanërisht kohët e fundit në qeverisje, por mbetet shumë punë për t’u bërë.

Ju keni qenë pranë të rinjve edhe si pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë, cili është shqetësimi kryesor i studentëve?

Shqetësimi është se pas marrjes së dijeve në fakultet, sa do të mund të integrohen në tregun e punës, i cili ka një “mbingopje” nga juristët, dhe ndërkohë që në fakultet numri i të regjistruarve vazhdon të jetë ende i lartë. Në këtë kuptim, ata janë pre e “trendit” të kohës, dhe jo pre e “trendit” të tregut të punës.

Evis, çfarë jua zgjon kureshtjen?

Gjithçka që më tërheq vëmendjen! Jam kureshtare në ato fusha që e kam të vështirë t’i zbërthej vetë. Si një lojë “puzzle”.

Pasionet tuaja?

Jam e apasionuar pas sporteve. Sidomos pas hipizmit . Kurse trashëgimia kulturore është një tjetër pasion i imi. Shtëpinë e familjes sime në Gjirokastër, e kemi restauruar duke e kthyer në një qendër ku vizitorët mund të kalojnë disa orë apo edhe net, në një shtëpi karakteristike gjirokastrite. Me të gjitha traditat dhe vlerat që ajo përmban. Mund të them se çdo gurë i shtëpisë sime më flet!

 Denada Elezi