Revolta e Lushnjës në maj 1906, lëvizja që tronditi Stambollin

    588
    Sigal

    Dokumente të panjohura nga arkivat e huaja për revoltën anti-turke rreth 108 vite më parë në Lushnje

    Rreth 108 vite më parë u organizua demonstrata më e fuqishme anti-osmane. Një revoltë së cilës në atë kohë iu bë jehonë si në shtypin vendas, ashtu dhe të huaj. Po pse lushnjarët kësaj here ngritën krye kaq ashpër dhe masivisht kundër administratës osmane?

    Veç burimeve te tjera, një organ i besueshëm, nga e cili mësojmë me shumë për ngjarjen e bujshme, është gazeta “Drita” e patriotit dhe publicistit Shahin Kolonja (Ypi). Siç shkruan gazeta, në Lushnjë afërsisht në mesin e muajit maj të vitit 1906 ndodhi një revoltë mjaft e fuqishme. Mësojmë gjithashtu se, ideja dhe vrulli i saj “shqetësoi shumë Stambollin”, pasi në thelb ajo ishte një “lëvizje me karakter kombëtar”. Pikërisht ky karakter, pra përmbajtja e saj, vuri në lëvizje edhe të interesuarit e mbajtjes së status quo. (Austro-Hungarinë dhe Italinë).

    Mësojmë se në maj të vitit 1906 “në Lushnjë kishin vajtur (punonjësit e administratës osmane) për të mbledhur taksat në qytet…Lushnjarët (të rënduar nga taksat e rënda) nuk deshën t’i paguanin ato. Kështu ata ndoqën taksidarët madje dhe i rrahën. Të nesërmen vetë mytesarifi i Beratit (shkoi) në Lushnjë (për të qetësuar gjendjen), jo për kandisje (i bindur)që t’u japin të tjera vise të Shqipërisë. Mytesarifi i pushoi me fjalë dhe dhelpërisht dhe për ca ditë u dërgoi (përsëri) ushtarët nga radifet e Janinës, sikur për të ruajtur ata (gjoja) nga tirania e bejlerëve, e ku ta dinë të mjerët që këta ushtarë ishin taksidarët të Vergi-Shahisë”.

    I menjëhershëm ishte dhe reagimi i popullit të Lushnjës. Të mbledhur përpara administratës, qindra njerëz te revoltuar bën një qëndresë të madhe kundër këtyre vendimeve të padrejta. Në kryengritje morën pjesë disa emra të cilët janë të njohur për historinë e qytetit [1]. Po e fillojmë së pari me Ikonom Kozma Dhimën, njeriu, i cili kishte shumë influencë, një ndër organizatorët e revoltës. Personazhi tjetër kryesor është Sheh Ibrahim Karbunara, mjaft i njohur i historisë së qytetit tonë, njeri me influencë të lartë dhe i përgatitur politikisht, një ndër “zjarrvënësit” e revoltës. Kjo figurë e spikatur e historisë së vendit, luajti rol kyç edhe në mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës, në janar 1920, madje ishte edhe deputet në legjislaturën e parë pas çlirimit të vendit, me zgjedhjet e dhjetorit 1945. Nuk mund te mungonte trimi i ditur Taullah Sinani. Bashkë me çetën e tij ai u përballë trup me trup kundër ushtarëve osmane të cilët ruanin godinën e administratës në qytet. Lushnjaret besonin shumë edhe Vasil Prifitin, i cili disa vite më vonë pas shpalljes së pavarësisë u zgjodh Kryetari i Parë i Bashkisë së Lushnjës. Nebi Sefa bashkë me të vëllain e tij Abazin, persona me influencë të lartë, ndihmuan në organizimin e protestës. E sidomos Ilia Theodor Zegali, që mbante postin e veqildhespotit të nënprefekturës së Lushnjës. Pas demonstratës, administrata osmane e qytetit e shkarkoi atë nga kjo detyrë. Natyrisht, kjo nuk e dekurajoi klerikun patriot, i cili qe pjesëmarrës me arme në dorë në të gjitha betejat për lirinë e atdheut, derisa mbeti dëshmor në Luftën e Dytë Botërore, si luftëtar në çetat partizane… Të tjerë organizatorë të protestës përmendim: Vasil Josif Gjeçi, Bajram Rakip Haxhiu, Hamit Xheka, Halit Qamil Haliti, Haxhi Met Gjyla, Çaush Rexhep Kërçuku, Gaqi Stergjo Naço, Jashar Qazim Blezencka, Jorgji Ristan Dhamo, Kosta Vangjel Bello, Mahmut Ahmet Xhindole, Misir Adem Çela, Myftar Lamçe Çela, Pal Koli Kadijani, Prof Kristo Billo, Vasil Liçi Bano, Ymer Korreshi, Azis Sula, e shumë të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre u burgos prej osmaneve, nga frika e shpërthimit e revoltave të tjera në pjesë të ndryshme të Sanxhakut.

    Nëpërmjet promemorieve të kancelarisë vjeneze, mësojmë disa nga arsyet e kësaj proteste, si dhe frikën e Perandorisë Osmane nga rreziku i përhapjes. Aty thuhej: “Një ngjarje shumë e rëndësishme e këtij viti ishte “Lëvizja e Lushnjës, e majit 1906”, e cila në vetvete kishte vetëm një karakter lokal por që pasojat e saj afektuan mbi të gjithë Sanxhakun. Meriton të theksohet, shkruhet në promemorie se “ajo që u cilësua (si revoltë)…., e kishte burimin në Motive Kombëtare”. Lushnja është një kaza (nënprefekturë) dhe varet nga Berati. Ka një Pazar të vogël, afërsisht 350 shtëpi dhe një popullsi të përzier me të krishterë e myslimanë. Është e shquar, pse gjithmonë ka ruajtur një farë independence dhe se ka ekzistuar një bashkim i rrallë i elementit krishterë dhe myslimanë, kur rasti e do për të mbrojtur interesa të përbashkëta dhe kjo gjë është vërtetuar me rastin e poshtëshënuar.

    Banditizmi, që qysh prej një kohe të gjatë ishte bërë plagë e tmerrshme për të gjithë vendin, kishte tashme një zgjerim të madh, pa u marrë as masa më e vogël nga ana e qeverisë për shtypjen e tij, megjithëse i vinin ankime prej të gjithëve. Para kësaj gjendjeje të padurueshme, prej së cilës Lushnja ishte ajo që vuante më shumë, populli vendosi që ky vend i vogël që të bënte një demonstratë kundër autoriteteve. Veç shfaqjes së dukshme të pakënaqësive, madje dhunshëm përpara autoriteteve, në qytet u veprua duke mbyllur pazarin, duke mos bërë asnjë pagimin të taksave dhe përgjithësisht duke mos ju bindur urdhrave të autoritetit osman. Të krishterët dhe myslimanët u gjendën këtu të bashkuar plotësisht, dhe ky fenomen i rrallë që sundonte me gjithë akordet e mira midis dy feve, ishte sigurisht ai që shtyu qeverinë osmane të merrte sa më shpejt parasysh ankimin, me qëllim që të mos bëhej një imitim edhe nga ana e lokaliteteve të tjera sipas shembullit të Lushnjës.

    Iniciativa e Lushnjës doli dhe në dobinë e gjithë Sanxhakut… Për kundërshtimin e tyre, qeveria “shpërbleu” lushnjarët duke arsyetuar (amnistuar) disa të krishterë dhe myslimanë të vendit… Dhe ka mundësi që kjo të ketë shkaktuar përhapjen e fjalëve, se lëvizja pati karakter politik”. Kështu  i shkruhej atëherë Shkëlqesisë së tij, Baronit Fon Erental, Ministër i Jashtëm, Vjenë.

     Niko FERRO & Andrea LIKO