Prof. Ramazan Bogdani: Diaspora etnokoreografike shqiptare

763
Sigal

Ngulimet shqiptare më të hershme e më kompakte janë ato të Greqisë dhe të Italisë

*Mjeshtër i Madh”

 DIASPORA SHQIPTARE

 Tërësia e bashkësive shqiptare të vendosura në kohë dhe në vise të ndryshme jashtë e larg trojeve etnike. Shpërngulje masive të popullsisë italo- arbëreshe – shqiptare janë dëshmuar që në kohën e pushtimit otoman të Ilirisë; në periudhën e Perandorisë Bizantine nën presionin e fqinjëve sllavë; pas epokës së Skënderbeut në shek. XV dhe gjatë pushtimit të gjatë osman; gjatë luftërave ballkanike të vitit 1912-1913; midis dy luftërave botërore dhe sidomos  dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XX, në kuadrin e tranzicionit të vështirë të shtetit shqiptar dhe të situatave të ndërlikuara në ish Jugosllavi dhe në Ballkan. Ngulimet shqiptare më të hershme e më kompakte janë ato të Greqisë dhe të Italisë. Këto gjymtyrë të shkëputura të kombësisë shqiptare ruajtën për një kohë të gjatë gjuhën e kulturën, doket dhe zakonet, tiparet antropologjike të të parëve të tyre dhe shpesh herë lidhjet shqiptare me atdheun mëmë.

Arvanitët

Ngulimet shqiptare të Greqisë (të quajtur edhe arvanitë) datojnë nga shek. XIV – XV, sidomos pas pushtimit osman të Shqipërisë. Ato u vendosën kryesisht në Qarkun e Korintit në Greqinë Kontinentale dhe në ishujt e Egjeut. Ende sot ata ndeshen në njësi kompakte, si treva shqipfolëse në: Atikë, Korint, Beoti, Peloponez, Argos, Ujdhesën e Ubesë etj..

Arbëreshët

Në Itali arbëreshët janë vendosur herët, por pas vdekjes së Skënderbeut vërshuan valë të tjera prej mijëra refugjatësh, që u strehuan nga mbreti  Ferdinand i Napolit në kohën e tij. Valë të tjera vazhduan gjatë shek.XV dhe shek.XVI nga të gjitha shtresat shqiptare dhe kolonistët shqiptarë të Moresë në Greqi. Arbëreshët u vendosën të shpërngulur në brigjet italiane të Adriatikut, që nga Venediku, deri në Pulia, Kalabri dhe Siçili.

Rumani dhe Bullgari

Që nga mesi i shek.XIV  dhe më pas u vendosën në Bullgari dhe Rumani mijëra shqiptarë. U krijuan fshatra të tërë në Veliko- Tërnovo ose Arbanas dhe në shpatet perëndimore të Bullgarisë. Në Arbanas, Mandricë dhe Djevno ruhen edhe sot gjurmë të gjuhës dhe të traditave shqiptare.

Diaspora shqiptare është e pranishme edhe në bregdetin e Dalmacisë pranë Zarës, në Trakën Lindore pranë Adrinopojës (Edërne) dhe në Turqinë aziatike.

Emigrimet e tjera

Gjysma e shek.XIX dhe fillimi i shek.XX ishte periudha tjetër e migrimeve të mëdha shqiptare. Shqiptarët emigruan tashmë edhe në vende të Europës Qendrore, si: në Francë, Belgjikë, Austri, Zvicër etj. Nga fillimi i shek.XX migrimet bëhen edhe në vendet tejoqeanike, si në SHBA, Argjentinë, Brazil, Meksikë, Australi. Në këtë periudhë Turqia  kishte numrin më të madh të ngulimeve shqiptare. Burimi kryesor i këtij emigracioni ishin Kosova dhe viset shqiptare lindore (në Maqedoninë e sotme), nga ku ishin shpërngulur me mijëra shqiptarë. Burimi i dytë ishin shqiptarët myslimanë në Greqi.

Pas vitit 1912 në krahinën e Çamërisë të Kosturit dhe të Follorinës filloi trysnia për shpërnguljen e shqiptarëve të besimit mysliman. Gjatë procesit të shkëmbimit të popullsive ndërmjet Greqisë e Turqisë në vitet 1920-1926 u dëbuan nga trojet shqiptare të Greqisë në drejtim të Turqisë rreth 60 mijë shqiptarë myslimanë.

Në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX, u intensifikua emigracioni politik

Përpara Luftës II Botërore numri i diasporës shqiptare arrinte mbi 1 milion veta. Vendet me numrin më të madh të shqiptarëve ishin Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Egjipti, SHBA etj.. U rrit numri i shqiptarëve në Australi dhe vazhduan të krijoheshin qendra të reja në Itali, Austri, Zvicer, Çekosllovaki, Hungari, Kanada, Brazil etj..

Gjatë Luftës II Botërore, me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, pati një valë tjetër emigracioni për në Jugosllavi, Greqi, Turqi, Angli, SHBA, Argjentinë etj.

Emigrimi rifilloi në përmasa të mëdha pas rënies së regjimit komunist, me zyrtarizmin e së drejtës së qarkullimit të individit, në situatat e një tranzicioni të vështirë, të papunësisë së lartë, të konflikteve sociale etj..

Në mesin e viteve ‘80 të shek. XX veprimtaria politike dhe propagandistike e diasporës u rrit shumë, veçanërisht kundër politikës represive të regjimit komunist në Shqipëri, të fushatave të egra të persekutimit serb në Kosovë e më gjerë. Diaspora Shqiptare në shumë raste e pasuruar me elementë të rinj e të shkolluar në Perëndim, dha ndihmesë në pluralizmin e ideve, në emancipimin e politikës shqiptare dhe të gjithë opinionit publik. Ajo i dha rëndësi të veçantë botimit të librave për historinë dhe gjuhën shqipe.

Për studimin e shtrirjes dhe të veprimtarisë së Diasporës Shqiptare, e sidomos të asaj me Çështjen Kombëtare, më 1996 u krijua Instituti Kombëtar i Diasporës Shqiptare, që është pjesë përbërëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pas leximit të këtyre dokumentacioneve të rëndësishme për Diasporën Shqiptare, më lindi ideja që edhe për fushën e etnokoreografisë shqiptare mund të bëhet diçka. Kjo edhe për faktin se pas realizimit të botimeve të cituara, një i tillë, do të më jepte kënaqësi të madhe. Pas njëfarë meditimi disaditor më rrezatuan në ndërgjegjen time disa vendbanime të tilla nga Diaspora shqiptare, të lidhura gjithmonë me specifikën e fushës që kisha objekt.

Nga njohjet paraprake dhe shfletimi i një literature të gjerë, fillimisht përcaktova tri vendbanime të tilla me origjinë shqiptare: 1.Fshati Mandricë i Bullgarisë; 2. Fshatrat arbëreshe të Italisë; 3. Zara në Kroaci. Për një paraqitje sa më të plotë të një monografie shkencore mendova edhe për një kapitull të katërt, mbase jo i njëjtësuar me Diasporën shqiptare. Bëhet objekt një lëndë që, siç do të shtjellohet në vijim, ka për objekt disa afri dhe dasi midis etno-folkloristikës shqiptare, maqedone dhe rome, lidhur gjithmonë me fushën e etnokoreografisë.

Vëllimi në objekt do të përbëhet kështu nga katër kapituj, tre prej të cilëve nga Diaspora e mirëfilltë shqiptare dhe një i katërt me analogji të tilla.  Rrjedhimisht, fusha e etnokoreografisë shqiptare do ta rrisë së tepërmi begraundin e vet shkencor.

*

Në Berat                  

Në shtator të vitit 1995, gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar të zhvilluar në Berat, mori pjesë si i ftuar edhe një grup grash nga Mandrica. Këngët dhe vallet e këtij ansambli tërhoqën vëmendjen, sidomos për përfaqësimin si një vendbanim nga Diaspora shqiptare në Bullgari.

Nga shfletimi i literaturës si edhe nga qëndrimi im disaditor në Mandricë, mësova se mandricarët janë të shpërngulur 400 vjet më parë nga fshati Vithkuq i Korçës. Mandrica ndodhet  në pjesën lindore të maleve të Rodopëve në juglindje të Bullgarisë, në pikën kufitare bullgaro-greko-turke (shih hartën 1).

Qysh në kohë të hershme mandricarët e kanë mbajtur veten si shqiptarë apo arnautë. Gjatë kësaj periudhe fshati ka patur rreth 400 shtëpi me shqiptarë. Më vonë shumë mandricarë u shpërngulën gjetkë, deri në Besarabi dhe Ukrainë.

Mandrica shquhet për një folklor të pasur dhe të begatë, me këngë, valle, zbavitje popullore dhe përgjithësisht me krijimtari tradicionale, të cilat spikasin për reflekse grimcash të hapësirës shqiptare.

Objekt kryesor në këtë kapitull janë bërë tri valle grash, të cilat janë trajtuar me analiza, transkriptime dhe notizime të shoqërimeve muzikore, pjesërisht edhe me tekstet e këngëve përcjellëse. Ato janë me shoqërime vokale dhe këndohen nga vetë pjesëmarrëset, traditë kjo tashmë e njohur në etnokoreografinë shqiptare.

Gjatë vjeljes të një lëndë të gjerë autori ka zhvilluar kontakte dhe bashkëveprime të shumta me banorë vendas, burra dhe gra, në shtëpitë e tyre dhe në klubin e fshatit.

Në këtë kapitull përfshihen pesë nënkapituj: i pari, “Mandrica në një vështrim të përgjithshëm historiko-shoqëror”; i dyti, “Folklori i Mandricës në përgjithësi dhe ai etno-koreografisë në veçanti”; i treti, “Gjurmë të Mandricës në qytetet Sofje dhe Tetovë”;  i katërti, “Një vështrim mbi katër fshatra me origjinë shqiptare në Ukrainë”; i pesti, “Fshati Mandricë në librin “Shqiptarët e Ukrainës”.