Feruz Mataj: Urdhri i Beqir Ballukut, të lirohen punëtorët e krahëve të avionit

1449
Sigal

Kujtimet e ish-Kryeinxhinierit dhe drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Porteve,  Feruz Mataj (ish -deputet)

Prishja me BS-në dhe lidhjet me Kinën, transoqeaniku i parë shqiptar

 Mbas viteve ’60, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, shteti ynë krijoi lidhje shumë të ngushta me Kinën. Në këto çaste Porti i Durrësit mori gjallëri të madhe, pasi, krahas mallrave ushqimore, filluan të transportoheshin me det edhe objektet e para industriale të kombinatit të tekstileve në Berat, hidrocentraleve, azotikut në Fier, kombinatit metalurgjik në Elbasan etj.. Krahas tyre, në vitin 1962 u krijua dhe shoqëria e lundrimit detar kinezo-shqiptar “Chal”, me vaporët “Vlora”, “Vampo”, “Shkodra”, me kapacitete 12 deri 16 mijë ton secili. Në këtë kohë, nga drejtor i portit, Qemal Klosi kaloi drejtor i “Chal” (shoqëria e lundrimit detar Kinë-Shqipëri). Me largimin e tij, drejtor i portit u emërova unë. Kisha punuar 8 vjet me Qemalin, ai drejtor e unë kryeinxhinier. Ai ishte njeri me zemër të madhe. Mua më kishte lejuar më shumë kompetenca se më takonin, nxiste dhe mbështeste çdo të re e çdo iniciativë timen. Ruaj kujtimet më të mira për këtë burrë të lartë e babaxhan…  Në të njëjtën kohë u rrit shumë dhe flota jonë tregtare. Anije me flamurin shqiptar kanë prekur portet kineze, kubane, pa përmendur dhe ato të Europës Veriore dhe të Lindjes së Mesme. Pikërisht në vitin 1961, udhëtimin e parë e ka çarë transoqeaniku shqiptar “Vlora”, me kapiten Qemal Hatën, e cila u pasua edhe nga anije të tjera nga kapiteni Haxhi Shehu.

 Importimi i armatimeve ushtarake nga Kina