Qemal RROKAJ/ Korrupsioni perfeksionohet te nëpunësit e Ministrisë së Shëndetësisë

    428
    Sigal

    Letër publike/ Padrejtësitë dhe abuzimet me pozitën zyrtare të ish drejtorit të spitalit rajonal Vlorë, Remzi Haxhiu

    Është folur dhe diskutuar shpesh, për marrëdhëniet mes punëdhënësit e punëmarrësit, për problematikat e shkaqet, pasojat dhe kostoja e krijuar kësaj shoqërie, për shkak të shkeljeve e abuzimeve që janë bërë nga drejtues institucionesh dhe nga mosndëshkimi i tyre. Synohet dhe aspirohet nga shqiptarët për të ngritur një administratë publike, por fatkeqësisht për 22 vjet është instaluar administrata politike.

    Është i njohur dhe bërë publik rasti i punonjëses T.Rrokaj, punonjëse prej shumë vitesh në spitalin Rajonal të Vlorës, objekt i diskutimeve, gjykimeve nga shumë institucione, shtetërore, gjyqësore dhe kushtetuese si: Avokati i Popullit, Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Inspektorati shtetëror i Punës, si dhe i shumë shoqatave në mbrojtje të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu është bërë edhe objekt i komunikimit publik, duke e publikuar edhe në faqet e shtypit të ditës, si në gazetën prestigjioze “Telegraf”, duke analizuar dhe pasqyruar në mënyrën më korrekte, ku kanë pozuar edhe vendimet arbitrare dhe kryeneçësinë e drejtuesve sekondarë, korrupsionin dhe pasionin e tyre për të shfrytëzuar pozitën zyrtare, për të abuzuar dhe përfituar nga vendosja e njerëzve të tjerë në punë, duke larguar të ligjshmin dhe favorizuar të paligjshmin. Mbas një periudhe të ankimimit dhe në vijim të inspektim-kontroll e verifikimit të dokumenteve i janë drejtuar Drejtorisë Rajonale të Spitalit Rajonal të Vlorës me rekomandime, vendime, po dhe me sanksione, me firmë e vulë nga titullarë institucionesh për rikthimin në vendin e punës të punonjëses. Duke çmuar se largimi është bërë padrejtësisht, dhe abuzivisht.

    Por ende me një barrë dokumentesh e vendimesh ende e sorrollasin, sfilitin nëpër zyra e institucione. Ish drejtori i spitalit Rajonal të Vlorës Remzi Haxhiu, i kollarisur dhe krekosur, është rrekur gjatë me vendimet legale dhe detyruese deri në sekondën e fundit në poltronin e drejtorit. Kuptohet se njeriu sa më i edukuar dhe i emancipuar të jetë, aq më thjeshtë i kupton gabimet, gjen forcën të bëj edhe korrigjimet, madje të kërkojë edhe ndjesë. Ndërsa psikologjia primitive, primitivi në mentalitet, nuk mund të shërojë kurrë plagën, që ka shkaktuar vetë, duke u bërë sfidë edhe vendimeve të institucioneve shtetërore për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës punonjësen T. Rrokaj. Përballë këtyre veprimeve arbitrare të një njeriu (i thënçin), duket pafuqia e shtetit për të ndëshkuar abuzuesin, e aq më tepër zëri qytetar përballë këtyre dhunues-abuzuesve, që janë të pangopur dhe të mbarsur me urrejtje primitive, të marrin edhe jetë njerëzish. Ajo që është denoncuar publikisht dhe e provuar po publikisht është: Shpërdorimi i detyrës, falsifikim dokumentesh, mashtrim me anën e dokumenteve të ish drejtorit të spitalit, Remzi Haxhiu, në kor me ish juristen Ardita Bitri dhe punonjësen e Burimeve Njerëzore Brisida Tafilaj.

    Përballë këtyre nëpunësve mjeranë, nuk kemi qenë vetëm, por nuk ishim as dhe të vetmit.

    Në këtë përballje, në krah të padrejtësisë dhe diskriminimi të punonjëses T. Rrokaj, u gjendën institucionet e nëpunësve me staturë bashkëkohore-Europiane, të cilat synojnë të ngrenë dhe të funksionojë shteti me gjithë kapacitetin e tij, nëpunës që u dhimbsen njerëzit dhe mbrojnë të drejtat e tyre, që shërbejnë dhe nuk i rrëmbejnë shoqërisë, u zgjidhin hallet, u hapin zemrën, nuk u përplasin dyert dhe nuk vështrojnë nga duart. Të tilla janë Institucioni i A.P komisionerja e ngarkuar Mimoza Morina, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi Irena Baraku, si dhe inspektoret Artan Xhindi e Irena Sheshi, po dhe Gazeta “Telegraf”, Inspektorati shtetëror i Punës, Shoqata e Invalidëve, dega Vlorë, presidenti i shoqatës Abdulla Omuri, me vlera komunikuese e qytetare, teknicient dhe kompetent në fushën e të drejtave të njeriut.

    Pak kohë më parë padrejtësinë dhe abuzimin me detyrën dhe arbitraritetin duke mos denjuar edhe këto institucione legale për rikthim në punën, e transmetoi denjësisht edhe emisioni “Alarm”, në tv “Ora Nevvs”, një emision me shikueshmëri të lartë në vend. Dhe gjithë këto zëra e arsye nuk i dëgjon dhe nuk i arsyeton vetëm një njeri i mbuluar nga urrejtja dhe kryeneçësia, ish drejtuesi sekondar Remzi Haxhiu.

     Pse dështoi kontrolli i Ministrisë së Shëndetësisë

    Korrupsionin, vendimet, abuzimet, falsifikimet që ka bërë ish drejtori, duke drejtuar gjithë këtë falsitet, me dokumentacionin ia përcjell edhe Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ana e drejtorit të kabinetit të ministrisë u vu në lëvizje Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Një ekip serioz e me profesionalizëm të lartë. Gjatë verifikimit, shërbimi i këtij Kontrolli organizoi edhe një ballafaqim.

    Po për fat të keq, sërish me po ata që kishin shpërdoruar detyrën, abuzuar e falsifikuar!

    Pyeta veten, por dëgjoja dhe zëra të punonjësve të tjerë që kalonin nëpër korridore: Si ka mundësi të japin drejtësi, e t’u shërbejnë qytetarëve, ata që e kanë bërë spitalin Vlorës “lesh e li”?! A mund të mbyllin plagën ata që e kanë shkaktuar?

    Përgjigja dihet: Korrupsioni i bërë në perfeksion, ka bërë lidhje të shkurtër, deri tek disa nëpunës të veçantë, zgjatur deri dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, fatkeqësisht.

    Është folur e flitet shpesh nga administrata, u bihen kambanave për largimet e moslargimet nga radhët e saj, por nuk hyhet në thelbin e analizës. A ka nga këta nëpunës, brenda këtyre zyrave-zgjyra të japin hesap, deri dhe të largohen me tam-tame për zullumet personale e institucionale?!

    Një pjesë e këtyre nëpunësve, kanë ardhur nga vatha e politikës. Si test kanë statusin e militantit të thekur, fanatik, sepse statusin e qytetarit dhe të profesionistin nuk e zotërojnë dot. Këta nëpunës kanë abuzuar me detyrën, duke e konsideruar atë privilegj dhe jo detyrim ndaj komunitetit dhe shoqërisë, ndaj të sotmes për të nesërmen. Njerëz të tillë, të mbuluar nga ligësitë dhe dashakeqësitë, mbjellin farën ligësi dhe shoqëria po korr produktin padrejtësi.

    Jo vetëm spitalit, por edhe qytetarisë, iu hoq ditë më parë një “Lak nga qafa”, largimi i drejtorit abuzues e militant fanatik, i vendosur në pikën e vdekjes të pushtet pushtimit… Por hala duket sikur ka ngecur në fyt. Dhe a duhet të mbetet?!

    Punonjësit e spitalit mbledhin buzët e thonë se: Këto zullume nuk i ka bërë vetëm drejtori, por së bashku me shpurën e tij abuzuese, disa nëpunës që e mbështesin në spekulimet dhe rrëmbimet, në bashkëpunim me persona e firma.

    Nëpunës të tillë po vazhdojnë udhën e marifeteve të tyre, kanë hedhur në veprim njerëz, betohen e përbetohen si “engjëllor” se brenda këtyre zyrave të ndotura nga kori i korrupsionit janë të “pastër”, kërkojnë me çdo kosto të rrinë mbi “vezët e prishura”, për të mbrojtur mëkatet e tyre.

    Po korrupsionin dhe abuzimet me detyrën dhe qytetarët kush i ka bërë? Ufot?!

    Duke pritur dhe shpresuar në derën e Rilindjes, tashmë është vendosur në drejtim të institucionit, Spitalit Rajonal të Vlorës mjekja Brunilda Mersini. Qysh në ditët e para ka shpalosur përkushtimin për të kthyer në identitet spitalin, në shërbim të qytetarëve. Drejtuesja ka në misionin e vet, rrjedhur nga vota plebishitare e Rilindjes: Korrigjimin, zbulimin, po edhe ndëshkimin që është bërë edhe ndaj punonjësve, institucionit dhe qytetarëve.

     Investigimi: Skandale që thellojnë korrupsionin në shëndetësi

    Duke marrë shkas nga letra në redaksi për abuzimet e bëra me detyrën nga ish drejtori i spitalit rajonal të Vlorës z. Remzi Haxhiu, gazeta “Telegraf” ka bërë investigimet e saj pranë gjykatës, krimit ekonomik, prokurorisë, drejtorisë së spitalit rajonal Vlorë, prokurimet publike etj., duke zbuluar skandale të cilat thellojnë dhe më tej korrupsionin në shëndetësi. Kështu  është zbuluar nga burime të sigurta se përsa i përket kontratës me numër 2529, datë 23.9.2013 me objekt “Riparim e mirëmbajtje të skanerit dhe rezonancës magnetike”, me vlerë 4 milionë lekë të rinj, nuk është lidhur me spitalin e Vlorës, pasi nuk është nënshkruar nga ish drejtori i spitalit Remzi Haxhiu, por nga një person tjetër, që grupi i kontrollit nuk mund ta verifikojë dhe kontrata nuk është regjistruar në regjistrin e protokollit të spitalit, pra mendohet se jemi në kushtet e ekzistencës së elementeve të falsifikimit. Skandali është se firma farmaceutike që ka shitur dhe ilaçet pa tender në spital ka kryer dhe punën e “mekanikut”, ka ndërruar llambën e skanerit për 4 milionë lekë të rinj. Mësohet gjithashtu se nuk janë zhvilluar procedura prokurimi në të cilat të ketë konkurruar e të ketë dalë fituese shoqëria “Omega Pharma Group”sh.p.k.. Vetë ish drejtori Haxhiu nga ballafaqimi i bërë ka deklaruar se nuk ka urdhëruar procedurën e prokurimit për këtë kontratë.

    Ndërkohë, në numrat e ardhshëm ne do bëjmë publike rastet skandaloze të blerjes së ilaçeve në spitalin e Vlorës dhe kontratave fiktive. Proceset gjyqësore që janë hapur në lidhje me mirëmbajtjen e pajisjeve spitalore, si skaner etj. të cilat kapin shuma marramendëse dhe që diskutohet të jenë bërë fiktivisht dhe pa tender, apo falsifikim të dokumenteve të tenderit.