Qato: 8343 dosje që ende presin vendimmarrje

    332
    Sigal

    8343 është numri i dosjeve për vendimmarrje. Këtë e deklaroi znj. Sonila Qato, Drejtore e Përgjithshme e AKKP-së në tryezën e djeshme për çështjen e pronësisë. “Çështja e së drejtës së pronësisë ka qenë dhe vijon të mbetet një nga problemet më serioze që has Shqipëria në rrugën e saj për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e së drejtës së pronësisë. Ajo përbën pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përgjithësi është pengesë “tejet serioze” në rrugën e saj të integrimit evropian” u shpreh në fjalën e saj znj. Sonila Qato, Drejtore e Përgjithshme e AKKP-së.

    Znj. Qato numëroi masat e ndërmarra, në kuadër të zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Fushën e Pronës dhe Plan Veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.

    Hapat e ndërmarra nga AKKP:

    1. Realizimi, evidentimi dhe regjistrimi i çdo informacioni gjatë procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, duke krijuar për herë të parë një databazë të plotë elektronike, “Regjistri Elektronik” për të gjitha dosjet që janë trajtuar me vendime nga ish-KKKP, ZRKKP apo AKKP.

    2. Ky regjistër i vendimmarrjes 23 vjeçare ishte produkt i dixhitalizimit të arkivës së AKKP-së dhe skanimit të të gjithë vendimmarrjes përkatëse gjatë këtyre viteve.

    3. AKKP vijon punën për përditësimin e këtij regjistri përmes një marrëveshje bashkëpunimi të lidhur midis AKKP dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës së Shtetit, e cila do të sigurojë krijimin e arkivës Teknike shkencore të AKKP. Në përfundim të këtij procesi dhe mbas një bashkëpunimi edhe me arkivat e atyre Bashkive ku kemi të dhëna për dosje të kthimit dhe kompensimit të pronave, do të finalizohet edhe regjistri themeltar i vendimmarrjes së kthimit dhe kompensimit te pronave në këto 23 vjet.

    4. Me qëllim vendosjen e një ligjshmërie dhe komunikimi transparent me qytetarët, trashëgimtarë ligjore të subjekteve të shpronësuar, AKKP ka miratuar Rregulloren e qarkullimit të dokumenteve zyrtare dhe arkivore dhe mënyrën e dhënies së informacionit në marrëdhëniet me publikun.

    5. Duke patur një ide të qartë të situatës në Agjenci, identifikuam se në Institucion nuk janë siç është raportuar, të paktën 4 vitet e fundit, 7300 dosje për shqyrtim por më shumë, 8343 dosje që ende presin vendimmarrje. Agjencia ka marrë përsipër përgjegjësinë për fillimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve pa vendim, në mënyrë të unifikuar dhe ka marrë masa konkrete për nxjerrjen nga arkiva të të gjitha atyre dosjeve për të cilat gjatë 4 viteve të fundit administratorët e mëparshëm nuk kanë ushtruar iniciativën e shqyrtimit dhe hetimit administrativ të tyre.

    6. Në funksion të një procesi të rregullt ligjor për vendimmarrjen, që do të ndërmerret në raport me dosjet e pashqyrtuara, AKKP ka filluar nga puna konkrete duke realizuar hapin e parë të punës me hedhjen në harte dixhitale të të gjitha aplikimeve të bazuara në nenin 22 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, në 12 Qarqet e RSH.

    7. Gjithashtu, paralelisht, në mbështetje nga donatore, AKKP finalizoi projektin pilot të pozicionimit hartografik dhe hedhjen e të dhënave tekniko – ligjore të të gjithë vendimmarrjes së realizuar nga viti 1993-2013 në Qarkun e Vlorës. Përmes këtij projekti, të cilin duam ta shtrijmë në të gjithë territorin e RSH, është arritur të realizohet transparenca e vendimmarrjes 21 vjeçare në Qarkun e Vlorës si dhe fatura e kompensimit në këtë qark.

    8. Harta e vlerës së tokës është një tjetër instrument i reformës. Rishikimi i metodologjisë për përcaktimet e çmimeve referuese sipas kategorive të tokës, është një nevojë të cilën e imponon jo vetëm tregu, por edhe nevoja për zhvillimin ekonomik dhe dhënies së një vlere reale pronës.

    9. Aktualisht, AKKP është në prag të një reforme institucionale dhe ligjore.