Ja morën dorën, i kërkojnë shtetin 359 milionë $

588
Sigal

Koncesioni i skanimit të kontenierëve shkon në arbitrazh. Qeveria në kërkim të avokatit përfaqësues

Qeveria “Berisha”, në ikje e sipër, ka shpejtuar të dhurojë një tufë koncesionesh, duke bërë pazare e allishverishe me pasuritë publike. Të gjithë ministrat me radhë nxitonin të firmosnin e vulosnin për koncesione, privatizime, shitje, kalime pronësie, ca me procedurë të rregullt e ca me të përshpejtuar. Megjithëse, opozita e atëhershme deklaronte se të gjitha këto vendime do të kalonin edhe një herë në sitë, kur ata të merrnin pushtetin, koncesionet vazhdonin të miratoheshin deri në fund, duke vënë në shitje për pak para pasurinë tonë shtetërore. Por, nuk mbaron këtu, historia, në fakt, sapo ka filluar. Menjëherë pas faturës prej 90 milionë eurosh nga konflikti që Shqipëria pati me CEZ, rrezikojmë të paguajmë një tjetër faturë prej 359 milionë dollarësh. Bëhet fjalë për anulimin nga ana e qeverisë të shërbimit monopol nga kompania “Rapsican” për skanimin e kontenierëve në dogana. Pas miratimit të Ligjit 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan (pronare e S2 Albania), si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, kompania Rapiscan (pronare e S2 Albania), mori ekskluzivitetin e kontrollit të kontenbierëve nëpër dogana, ku sipas kontarëtës “ Tarifa e shërbimit të skanimit do të jetë 39.00 € .TVSH-ja do të aplikohet në masën 0%”. Ndërkohë, Avokatura e Shtetit kërkon avokatë për prishjen e kontratës, ndërkohë që Rapiscan kërkon zhdëmtimin në arbitrazhin ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e koncensionit të kontenierëve në shumën 359 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka bërë nul marrëveshjen koncensionare për skanimin e kontenierëve dhe me 14 gusht 2014 Rapiscan e ka çuar çështjen në gjyq ndërkombëtar. Sipas parashikimeve të kontratës çështja ka shkuar në arbitrazh dhe do gjykohet nga tre arbitra ndërkombëtarë. Në dokumentin zyrtar të publikuar nga Avokatura e shtetit mes argumenteve të firmës së huaj theksohet: “Ne, pala paditëse pretendojmë se kemi përmbushur të gjitha detyrimet sipas kontratës që kemi bërë, ndërsa i padituri (shteti shqiptar në këtë rast) ka kërkuar të argumentojë se kontrata është nul dhe e pavlefshme, duke bërë kështu që pala shqiptare të shkelë kontratën. Më 14 gusht 2014 Rapiscan depozitoi pranë Sekretariatit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë kërkesën për arbitrazh, shuma e pretenduar është 360 milion dollarë”. Për mbrojtjen ligjore të rastit, Qeveria shqiptare ka hapur një procedurë konkurruese për marrjen e asistencës së pavarur ligjore për mbrojtjen e kësaj çështjeje. Në një njoftim zyrtar, Avokatura e Shtetit fton të gjithë subjektet e interesuar të aplikojnë për pjesëmarrje në procesin e dhënies së asistencës dhe përfaqësimit për Ministrinë e Financave/Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në zhvillimin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me shoqërinë S2 Albania Sh.p.k. dhe Rapiscan Systems Inc., bazuar në kontratën e koncesionit datë 10 prill 2013, “Për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.

Prej disa kohësh, qeveria e kryeministrit Rama po përpiqet të anulojë disa nga koncensionet e dhëna nga qeveria paraardhëse. Por fakti që kontratat shprehin vullnet dypalësh dhe janë ratifikuar si marrëveshje në Kuvend, duke u kthyer në ligje, e vështirëson shumë negocimin për anulimin e tyre. Në të gjitha rastet, palët e prekura mund t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit në Londër, Vjenë, Paris etj., sipas klauzolave të marrëveshjes dhe Shqipëria rrezikon dëmshpërblime të konsiderueshme në rastet e prishjes së njëanshme të koncensioneve. Ndërkohë që vetëm njëri nga koncesionarët, Rapiscan, ka kërkuar prej nesh 359 milionë dollarë, ndërsa konflikti me CEZ u mbyll me marrëveshje me një kosto prej 90 milionë eurosh.

Kohëzgjatja e kontratës

Në kontratën e miratuar me vendim qeverie në 24 prill të 2013-s, kohëzgjatja e marrëveshjes parashikohet të mbarojë pas 15 vjetësh, me të drejtë zgjatjeje nga ana e shoqërisë Rapiscan, duke bërë kërkesë në vitin e 13-të të marrëveshjes. Ndërsa Ministria e Financave, sipas kontratës ka të drejtë të rishohë kontratën, në rast të anëtarësimit në BE, ose në çdo kohë pas këtij anëtarësimi.

S2 Albania, skanimi i kontejnerëve, koncesioni i hetuar nga Konkurrenca

E krijuar më 22 maj 2013, S2 Albania ka si objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit për skanimin e kontejnerëve në dogana, si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes. Kompania u krijua pas miratimit të ligjit 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan (pronare e S2 Albania), si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar më 24 prill 2013 dhe është miratuar nga Presidenti Bujar Nishani, më 2 maj 2013. Koncesioni hasi që në fillim kundërshtimin e bizneseve, ndërsa në qershor të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Hetimi i Konkurrencës nisi nga shqetësimi publik i komunitetit të biznesit për shtimin e kostos në lidhje me shërbimin për skanimin e kontejnerëve në dogana. Konkurrenca konkludoi se kontrata e koncesionit bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së; procedura për dhënien e koncesionit nuk ka respektuar ligjin e konkurrencës për marrje mendimi, ndërkohë që ka qenë një propozim i pakërkuar dhe jo një procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence. Edhe vendosja e skanerëve në vetëm pesë pika, nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme (në varësi të shtimit të fluksit të zhdoganimeve) nuk mbulon të gjitha pikat doganore për të justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin është dhënë koncesioni, është një nga pikat e tjera të kontestuara nga Autoriteti.

 Ekstrakti i regjistrit tregtar

 S2 ALBANIA me përfaqësues ligjor, Jonathan Fleming, me kapital 1 000 lekë (Shqipëria 1 euro), shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është themeluar në 19/03/2013 dhe regjistruar në 22/05/2013 me objekt “Zbatimin e marrëveshjes së koncesionit…”. Ndërsa do të kemi një ndryshim në historikun e akstraktit në datën 19/09/2013. Arsyet e hapjes së çështjes: Depozitimi i Kontratës së Shitjes së 49 % të kuotave nga shoqëria “Rapiscan Systems, Inc” në favor të shoqërisë “ICMS” sh.p.k . kalimi i kuotave është firmosur nga B.H, si përfaqësuese e Rapiscan dhe E.Sh., përfaqësues për “ICMS”. Në ditët në vijim gazeta “Telegraf” do të japë në detaje dhe emra gjithçka dhe gjithkënd të përfshirë në këtë koncesion.

Të hetohen frmosësit e allishverisheve dhe pazareve në kurriz të popullit!

 Pasuria jonë shtetërore është përdhosur nën moton “Shqipëria 1 euro”. Rasti i koncesionit të skanimit të kontenierëve është i dyti, pas mbylljes me marrëveshje të konfliktit me CEZ Shpërndarje, për të cilën kostoja që do paguajë çdo taksapagues shqiptar do të jetë shumë e lartë. Duket, se me anulimet e kontratave të koncesioneve janë vetëm taksapaguesit shqiptar ata që paguajnë, ndaj është detyrë e Prokurorisë, Krimit Ekonomik, KLSH-së etj., që të hetojnë çdo koncesion, privatizim, shitje apo kalime pronësie, firmosur nga qeveria e mëparshme apo dhe kjo e sotmja. Duhen verifikuar marrëveshjet, kontratat, gjithçka rrjedh prej tyre, nëse janë respektuar apo jo, të hetohen edhe personat që kanë firmosur e janë pjesë e këtyre marrëveshjeve dhe abuzuesve t’u vihen prangat. Nuk mundet që fajtorët e vërtetë të bëjnë sehir, ndërsa koston e pazareve dhe allishverisheve të njerëzve me pushtet ta paguajnë të gjithë shqiptarët.

  Ledjana Saliu