Pronarët komentojnë planin e veprimit dhe deklaratën e FMN-së

    441
    Sigal

    Danushi: pronarët dhe romët dy shtresat më të urryera për qeverinë

    Toro: Zgjidhja e pronave nuk shtyhet dot me 4 vjet. 17 qershori jo vendim politik, por vendim gjykate

    Pronarët, duke iu referuar deklaratave të fundit të kreut të FMN-së, z. Nadeem Ilahi, mendojnë se FMN ka reaguar shumë me vonesë për problemin e pronave, ndërkohë që ata i janë drejtuar prej kohësh si FMN-së ashtu dhe BB, por janë përballur me indiferencën e këtyre dy institucioneve financiare ndërkombëtare. “Ne gjithmonë kemi qenë në kundërshtim me FMN dhe BB për gjithë këto manovrime që kanë bërë, ndaj dhe i jemi drejtuar Strasburgut”, shprehet për “Telegraf”, z. Rrapo Danushi, kreu i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Ndërsa për planin e veprimit të miratuar nga qeveria z. Danushi shprehet se afati i zgjidhjes së pronave nuk mund të shtyhet me 4 vjet. Pronarët kanë besim te Europa se nuk e lë pa zgjidhur këtë çështje. “Ne si shoqatë që në vitin 1998 kemi marrë kontakt me BE dhe jam i sigurt që BE do i ushtrojë presion qeverisë për të zgjidhur çështjen e pronave. Këtë ma ka siguruar vetë Drejtori i Drejtorisë së Politikave të KE-së në vitin 1998, i cili më ka thënë shprehimisht se e vetmja gjë që mund të bëjmë ne është të ushtrojmë presion mbi qeverinë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së pronave. Po afron dita në fakt…”, shprehet z. Danushi. Ai është kundër legalizimeve dhe deklaratave të kreut të këtij institucioni, z. Lama, që shprehet për legalizime falas. “Tokën time do falësh ti?”, pyet kreu i pronarëve. Z. Danushi nuk ka besim te qeveria e sotme, pasi sipas tij, kjo qeveri po vazhdon të njëjtën rrugë me paraardhësit. “Janë dy shtresat që kjo qeveri urren: pronarët dhe romët”, përfundon prononcimin e tij z. Danushi.

    Toro: Ku ishin FMN dhe BB gjatë gjithë këtyre viteve?

     Agim Toro, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” shpjegon për “Telegraf” se ku ka gabuar qeveria me planin e veprimit, që në fakt për të nuk ka lidhje fare me atë çka ka kërkuar Strasburgu. Ndërsa komenton deklaratën e fundit të kreut të FMN-së.

    Si ju duket plani i veprimit i miratuar nga qeveria?

    Përsa i përket planit të veprimit të aprovuar nga qeveria është i njëanshëm, e cila parashikon ngritjen e disa grupe pune për të evidentuar problematikën, situatën e pronave dhe jo për ta zgjidhur atë, pra një lloj bilanci. S’ka asnjë plan veprimi konkret, ashtu siç e ka kërkuar Strasburgu.

    Ky plan veprimi nuk e përmend fare AKKP-në se kur dhe si do e kryejë detyrën për të cilën dhe është krijuar, për kthimin dhe kompensimin e pronave.

    Ky plan veprimi nuk ka masa konkrete për të mos tjetërsuar pronën shtetërore në vazhdim e sipër, duke krijuar kështu të tjera çështje për në Strasburg. Ashtu siç tha zv/ministri i Drejtësisë z. Ilir Peçi që shteti është në prag falimentimi, gjë që nuk kemi guxuar ta themi as ne pronarët. Nuk kishte asnjë masë për zgjidhjen konkrete të problemit të pronës, se çfarë asetesh do të përdoren për pronarët. Plani i veprimit do të ishte zgjidhje konkrete për ekzekutimin e vendimeve që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën, me masa strategjike, strukturore, buxhetore dhe ligjore konkrete, me procedura të drejta dhe të menduara hap pas hapi, si dhe afate reale kohore.

    Qeveria duhej ta fuqizonte AKKP, por në të kundërt, jo vetëm që nuk e ka fuqizuar, por e ka lënë gjysmake duke shkurtuar specialistët që punonin aty prej vitesh.

    Problemi ka qenë i njohur për qeverinë e sotme që në fushatë, dihej që çështja e pronave duhej të ishte prioritare dhe nuk mund të thuhet që qeveria ishte e papërgatitur. Ligjet që sot penalizojnë pronarët, nuk janë pjesë vetëm e një pale, pasi ato janë bërë në bashkëpunim. Strasburgu thotë që për problemin e pronave të zbatohet Kushtetuta dhe Karta e së Drejtës së Njeriut. Por ligjet në fuqi nuk e zgjidhin dot këtë katrahurë që është bërë me pronat, ndaj duhet hartuar një ligj, në përputhje me sugjerimet e Strasburgut në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kartës së të Drejtave të Njeriut. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e ka projektligjin, që jep zgjidhje pa asnjë kosto dhe në përputhje me direktivat e Strasburgut. Ndërsa qeveria nuk ka asnjë masë për përmirësimin e legjislacionit, por shpreson në shtyrjen e afatit nga Strasburgu. 17 qershori nuk është vendim politik, por vendimi i formës së prerë i gjykatës supreme të Strasburgut, i njohur që një vit e gjysmë më parë, periudhë kohore që ndahet përgjysmë me të dyja qeveritë.

    Dua që të rikujtoj këtu dy deklarata të forta të zv. ministrit të Drejtësisë z. Peçi: vendimet e Strasburgut do e falimentojnë shtetin shqiptar; Shteti shqiptar shkel çdo ditë të drejtat e njeriut. Tani është e tërë përgjegjësia e tyre, jo më e pronarëve të cilët kanë vitet e vite që e paralajmërojnë shtetin shqiptar.

    Si ju duken deklaratat e kreut të FMN-së, z. Nadeem Ilahi?

    Në lidhje me deklaratat e kreut të FMN-së, dua të them se ne i jemi drejtuar shumë herë më parë si FMN-së ashtu dhe BB-së, por të dyja institucionet financiare kanë qenë indiferentë ndaj propozimeve tona. Tani po e kuptojnë që pronat duhet të jenë prioritet mbi prioritetet. Ku ishin FMN dhe BB gjatë gjithë këtyre viteve? Është faji i FMN-së që e ka krijuar këtë situatë. Megjithatë ne do të bëjmë përpjekje të takojmë përfaqësuesin e ri të FMN-së në Shqipëri për t’i parashtruar problemin, por edhe zgjidhjet tona, ndërkohë që i gjithë dokumentacioni për problematikën e pronave është prej vitesh në dispozicion të këtij misioni.