Prof.Dr. Dëfrim Shkupi/ Zharrëz, tërmetet e induktuara, jo të panjohura në realitetin tonë

    442
    Sigal

    Kompania është një kompani serioze që po operon me sukses në Shqipëri dhe ka ngritur ndjeshëm produktivitetin e puseve të shfrytëzimit të naftës, duke përdorur dhe metodat më moderne dhe efektive për nxjerrjen e saj. Është për t’u theksuar se krahas investimit të konsiderueshëm që ka bërë kjo kompani për nxjerrjen e naftës, është e interesuar në mënyrë të dukshme edhe për përmirësimin e mjedisit ku ata punojnë.

    Si qëndron problemi i tërmeteve

    Duhet vënë në dukje, që në fillim, që kjo dukuri që është rrjedhojë e tërmeteve të induktuara, nuk është e re për vendin tonë. Ajo është shfaqur vite më parë në zonën e Roskovecit. Dhe nga vetë studiuesit e sizmologjisë është fiksuar se, shkak i këtyre tërmeteve ka qenë shfrytëzimi i naftës. Zona e Zharrëzës nuk bën pjesë në zonat me intensitet maksimal të tërmeteve dhe, natyrisht, nga vetë specialistët e mirëfilltë të fushës së sizmikes (studimet e profesor betim Muçës) dhe i lidhin këto dukuri me shfrytëzimin e naftës. Gjendjen e ka rënduar edhe përdorimi i metodave të injektimit me ujë për rritjen e produktivitetit të naftës në puset e shpimit. Për më tepër, acarimi është dhe më i madh kur bëhen shpërthime nëntokësore për zgjerimin e të çarave të shkëmbinjve që ndërtojnë rezervuarin për të pasur një rrjedhshmëri më të madhe të naftës.

    Tërmetet e induktuara, fenomene dhe në vende të zhvilluara

    Këto dukuri nuk është se ndodhin vetëm në Shqipëri. Për shembull, në Kanada kanë ndodhur rreth 4000 tërmete të induktuara në zonat naftëmbajtëse. Në Amerikë, në Oklahoma në vitin 2011 ka ndodhur një tërmet me magnitudë 5,6 ballë të shkallës rihter nga shfrytëzimi i naftës, që do të shkaktonte dëme të mëdha po të kishte ndodhur në një zonë të banuar.

    Shteti dhe institutet shkencore

    Më ka bërë shumë përshtypje që ministri i ri Gjiknuri, vizitën e parë, sa mori detyrën, e bëri në Zharrëz dhe mori të gjitha masat efikase për ta zbardhur këtë dukuri. Dua të vë në dukje, se po të kishte qenë Instituti i Sizmologjisë në performancën e mëparshme, zgjidhja do të ishte shumë më e lehtë. Po, shkatërrimi i instituteve në përgjithësi dhe ai i sizmologjisë në veçanti, ka ulur ndjeshëm efektivitetin e studimeve shkencore dhe të zgjidhjes së problemeve. Programi i qeverisë për shkencën ka renditur disa pika të rëndësishme për rilindjen e shkencës shqiptare dhe sugjeroj që ta fillojë me ripërtëritjen e Institutit të Sizmologjisë.

    A kanë të drejtë banorët

    Banorët i dëgjojnë këto shpërthime dhe protesta vjen si reagim i drejtë, në mbrojtje të pasurisë së tyre. Ata kanë të drejtë dhe, natyrisht, e meritojnë dëmshpërblimin përsa kanë pësuar.

    Çfarë duhet bërë

    Duhet riparë urbanizimi i zonës dhe banorët të ndërtojnë jashtë kontureve të vendburimeve të naftës, por të subvencionohen nga kompania dhe nga shteti për ata që kanë pësuar dëme në ndërtesat e tyre. Komuna duhet të bëjë studime urbanistike për t’iu larguar këtyre dukurive.