Peticioni, banorët: Kërkojmë dëmshpërblim për dëmet

    408
    Sigal

    Fier, lëkundjet në zonën naftëmbajtëse, mblidhet grupi i punës

    Shqetësimi i banorëve të komunës Zharrëz të Fierit rreth fenomenit të lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse, ka bërë që Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri të urdhërojë mbledhjen e radhës të grupit të punës mbi monitorimin sizmiologjik të aktivitetit. Zyra për shtyp e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë bën me dije se në këtë mbledhje të radhës, të kryesuar nga zv.ministri Ilir Bejtja morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), shoqërisë Albpetrol sh.a, Institutit të Gjeoshkencës, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, zyrës CAO të IFC-së, përfaqësues të banorëve dhe të kompanisë Bankers Petroleum. Në takim u diskutua për projektin teknik mbi monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos Marinzës, si dhe u ra dakord që me financimin e kompanisë Bankers, të mundësohet blerja dhe më pas vendosja, fillimisht e dy stacioneve sizmike në këtë zonë me qëllim monitorimin e lëkundjeve. Sipas të njëjtave burime, përfaqësuesit e Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencës parashtruan specifikimet teknike kryesore mbi rrjetin sizmologjik në zonën e Patos Marinzës ndërsa konstatuan zgjidhjen optimale për një monitorim të integruar instrumental në një kohë sa më të shkurtër. “Të dhënat që do të përftohen nga vendosja e stacioneve sizmike do të përpunohen dhe ndiqen nga ana e Institutit të Gjeoshkencës, Albpetrolit dhe AKBN-së. Procesi pritet që në një periudhë deri në 6 muaj nga vendosja e pajisjeve të japë të dhëna konkrete për shkaqet e lëkundjeve të tokës. Ministria e Energjisë dhe Industrisë mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund hetimit mbi shkaqet e lëkundjeve të tokës dhe nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin naftënxjerrës që kryen kompania Bankers Petroleum” – bëri me dije zyra e shtypit.

    Banorët e zonës

    Banorët e Marinzës, siç edhe bënë me dije, edhe dje kanë dalë në protesta paqësore, duke akuzuar kompaninë kanadeze “Bankers Petroleum” se me operacionet e nxjerrjes së naftës shkakton lëkundjet e tërmetit. Sipas tyre, kjo protestë u zhvillua në prani të forcave të policisë dhe të gjithë nënshkruan një peticion. Banorët deleguan një grup prej 5 vetash për t’ia dorëzuar peticionin Prefektit të Qarkut Fier, Xhevit Bushaj. Një nga pikat kryesore të këtij peticioni  është dëmshpërblimi që ata kërkojnë nga kompania për shtëpitë e dëmtuara. Banorët shprehen se edhe nëse kompania do të punojë, të marrë masat dhe të punojë siç duhet, pa shkaktuar dëme. Gjithashtu ata shprehen të vendosur në këtë peticion se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, atëherë ata të gjithë së bashku do të veprojnë si ta gjykojnë ata të nevojshme.