Hysni MULLALLI/ Gjykatat, vendimet me dy standarde për pensionet e parakohshme të ushtarakëve

555
Sigal

Gjyqet e ushtarakëve, shteti të garantojë zbatimin e të drejtës së fituar

*(Kolonel në rezervë)

  Në gjyqet për pensionet e parakohshme të ushtarakëve, megjithëse, kërkesat dhe baza ligjore e gjithë padive janë të njëjta, gjykatat, trupat gjykues dhe gjyqtarët deri tani kanë punuar me dy standarde dhe kanë instaluar dy praktika gjyqësore të ndryshme. Për rrjedhojë merren vendime të ndryshme, duke krijuar një precedent të rëndë dhe absurd.

Ka një praktikë gjyqësore të konsoliduar dhe të shprehur në një sërë vendimesh të Gjykatës së Lartë, Apelit dhe të rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ushtarakëve u është dhënë e drejta legjitime për pagesën e pensionit të parakohshëm dhe diferencave nga momenti i lindjes të së drejtës për pension të parakohshëm dhe deri në daljen në pension pleqërie. Këto vendime janë marrë nga gjyqtarë dhe trupa gjykues që karakterizohen nga ndershmëria dhe integriteti moral e profesional. Ata me këto vendime, jo vetëm kanë dhënë drejtësi, por kanë provuar se nuk janë të ndikuar nga politika.

Ka një praktikë tjetër gjyqësore, ku ushtarakëve kërkesa nuk u është pranuar plotësisht, por u është kufizuar me dhënien e të drejtës, deri në datën 01.07.2009. Këto vendime janë dhënë në kundërshtim me Kushtetutën, vendimin Nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet materiale të kohës. Këta gjyqtarë karakterizohen nga mungesa e integritetit moral dhe profesional, sepse janë të ndikuar nga politika.

Kohët e fundit ka filluar të përdoret një standard i dyfishtë dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Anashkalohet e nuk zbatohet vendimi Nr. 33/2010, i Gjykatës Kushtetuese dhe keqinterpretohet vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese Nr.2/2013, i cili është në një vijë arsyetimi me vendimin Nr.33/2010 dhe nuk e ka shfuqizuar atë.

Kërkesa për pagesën e pensionit të parakohshëm dhe diferencave nga data 01.07.2009 dhe deri në daljen në pension pleqërie, mendoj se bazohet në këto argumente e prova ligjore:

1.  Teoria juridike dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese pranojnë se një marrëdhënie juridike rregullohet nga ligji që është në fuqi në momentin e lindjes së saj dhe se ligji nuk ka fuqi prapavepruese, me përjashtim të ligjit penal favorizues. Për këtë në nenin 29, pikën 3 të Kushtetutës theksohet: “Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese”. Nga ky përcaktim kushtetues del se ligji Nr.10142, datë 15/05/2009, Akti Normativ Nr.5/2010 dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.2/2013 (që nuk është ligj) nuk mund t’i shtrijnë efektet e tyre mbi marrëdhëniet juridike të ushtarakëve, që kanë lindur, para se këto akte të dilnin apo të hynin në fuqi. Në vendimin Nr. 9, datë 26/02/2007 të Gjykatës Kushtetuese, cilësohet se: “Në aspektin kushtetues, ligji me fuqi prapavepruese është i kundërshtueshëm, në qoftë se cenon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese”.

 2.  Vendimi Nr. 33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese, ka shqyrtuar dhe interpretuar qartë nenin 29, të ligjit Nr.10142/2009 dhe e ka lënë atë në fuqi, vetëm me kushtin e zbatimit të tij në përputhje të plotë me interpretimin pajtues të bërë në të. Për këtë, ky vendim shprehet se:

     “ … Gjykata vlerëson se qëllimi i dispozitave të nenit 29 të ligjit objekt gjykimi, duke u nisur nga konteksti i saj, si dhe konteksti i përgjithshëm i këtij ligji, është që kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve. Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara .”

     “ Gjykata, bazuar në këtë interpretim pajtues, arrin në përfundimin se Neni 29 i Ligjit 10142, datë 15.05.2009 është i pajtueshëm me Kushtetutën, me kusht që dispozitat e tij të interpretohen si më sipër”.

3. Pensionet që janë fituar me gjyq deri në datën 01.07.2009, nuk janë më objekt i Nenit 29 të Ligjit 10142/2009. Në pikën 2 të këtij neni, theksohet: “ Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet Nr.8087, datë 13.3.1996 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar …” , në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten”.  Pensionet e fituar me gjyq janë bazuar kryesisht në nenin 35 të ligjit Nr.9210/ 2004 apo në nenin 14, të ligjit 9418/2005 të ndryshuar. Ky fakt, vërteton se vetë neni 29 e përjashton  rillogaritjen e këtyre pensioneve, sepse objekt rillogaritje, sipas tij, janë vetëm pensionet e caktuara sipas Ligjit Nr. 8087, datë 13.3.1996, tashmë të shfuqizuar.

Përfundimi është i qartë. Rillogaritja e pensioneve sipas nenit 29, bëhet vetëm kur pozitat e përfituesve përmirësohen dhe kjo rillogaritje ndalohet kategorikisht, kur pozitat e përfituesve përkeqësohen.

4.  Gjyqtarët që e kufizojnë të drejtën deri në 01.07.2009, janë në shkelje të nenit 4 të ligjit  Nr. 9588,  datë  25.07.2006  “Për rillogaritjen e pensioneve”, ku theksohet: “Kur masa e pensionit të rillogaritur rezulton më e vogël se pensioni ekzistues, pensioni nuk ndryshon, duke u vlerësuar si e drejtë e fituar”. Po ashtu janë në shkelje të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr.590, datë 31.08.2006, ku theksohet se: “Masa e pensionit, që rezulton pas rillogaritjeve dhe zbatimit të rritjeve, është masa përfundimtare e pensionit individual. Kur kjo masë pensioni rezulton më e vogël se pensioni ekzistues, atëherë nuk ndryshon, duke u vlerësuar si e drejtë e fituar”. Ky ligj që është akoma në fuqi, nuk ka ndryshuar dhe nuk është atakuar nga asnjë ligj i mëvonshëm apo vendim i Gjykatës Kushtetuese. Ai garanton zbatimin e parimit të sigurisë juridike dhe përcakton qartë se gjatë rillogaritjes së pensioneve, e drejta e fituar është e pa cenueshme.

5.  DRSSH ka shkelur  Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të ratifikuar në vitin 1994, e cila në nenin 1, të protokollit 1, cilëson qartë domosdoshmërinë e zbatimit të parimit të sigurisë juridike. Sipas nenit 116, pika 1, të Kushtetutës, një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar, si konventa në fjalë, është Akt Normativ që ka fuqi në të gjithë territorin e vendit. Në nenin 122, pika 2, të Kushtetutës theksohet: “Një marrëveshje ndërkombëtare, e ratifikuar me ligj, ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Nga këto përcaktime kushtetuese del se shteti ynë është i detyruar të njohë dhe garantojë zbatimin e parimit universal të sigurisë juridike dhe të drejtën e fituar.

6.  Kohët e fundit disa gjyqtarë dhe trupa gjyqësore, po i vlerësojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese me dy standarde dhe ju referohen atyre në mënyrë selektive.

Ata e anashkalojnë dhe nuk e marrin fare në konsideratë vendimin Nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, që ka patur objekt gjykimi Nenin 29 të Ligjit Nr.10142.2009 dhe është shprehur qartë për rastin e zbatimit të tij. Nga ana tjetër, të ndodhur nën një presion politik, po keqinterpretojnë vendimin Nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese dhe në mënyrë të gabuar po arsyetojnë se, nën efektet e këtij vendimi e drejta e pensionit të parakohshëm duhet të kufizohet deri në datën 01.07.2009 dhe në kushtet kur shkelet parimi i sigurisë juridike.  Ky arsyetim është absurd dhe i pa bazuar në ligj, për këto arsye:

     Vendimi Nr.2/2013 i Gjykatës Kushtetuese, ndryshe nga sa pretendojnë gjyqtarët dhe DRSSH, është në një vijë arsyetimi me vendimin Nr.33, datë 24.06.2010, nuk e ka shfuqizuar atë dhe nuk ka fuqi prapa vepruese. Pra vendimi Nr. 2/2013,(që nuk është ligj)  nuk mund t’i shtrijë efektet mbi marrëdhëniet që kanë lindur, para daljes dhe hyrjes në fuqi të tij.

   Ky vendim, për herë të parë e ndan qartë sigurimin shoqëror suplementar nga sigurimi shoqëror bazë, e fut pensionin e parakohshëm në kategorinë e sigurimit shoqëror bazë dhe rikonfirmon se ai është i mbrojtur nga parimi i sigurisë juridike dhe prekja e tij është e pa lejueshme. Për këtë në pikën 26 të tij theksohet se:

“Gjykata vlerëson se natyra e sigurimit shoqëror suplementar është e ndryshme nga sigurimi shoqëror bazë. Qëllimi i të parit është shmangia e pasojave negative në ushtrimin e funksionit të një kategorie të caktuar të punonjësve si dhe garantimi e ruajtja e të ardhurave për sigurimin e nevojave jetike të tyre. Ndërsa sigurimi  shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë  dhe  papunësisë së padëshiruar (Shih vendimet Nr.33/2010 dhe 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese). Për këtë arsye, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim”.

Nga sa më sipër del se, pensioni i parakohshëm futet në kategorinë e sigurimit shoqëror bazë, sepse ai është një përfitim që ka lindur nga papunësia e padëshiruar. Ushtarakët janë larguar nga puna dhe janë nxjerrë në pension, para kohe, pa dëshirë, në kundërshtim me vullnetin e tyre, në kulmin e aftësisë dhe pjekurisë profesionale, duke u mohuar të drejtën e ushtrimit të profesionit etj. Ushtarakët janë larguar nga puna për shkak të një interesi të madh publik, që ishte ristrukturimi i F.A.

     Nga provat dhe argumentet e mësipërme (dhe të tjera që mund të renditë secili) del se, gjyqtarët që kufizojnë të drejtën deri në datë 01.07.2009, cenojnë rëndë parimin e sigurisë juridike, parimin e të drejtës të fituar dhe me vetëdije të plotë guxojnë të mos zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke shkelur Kushtetutën, e cila në nenin 132 pika 1 thekson: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare” dhe në nenin 145, pika 2 thekson: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat”.

Është koha, që gjykatat të mos ndikohen nga politika, por t’i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjit duke dhënë drejtësi. Nga ana tjetër qeveria e re duhet menjëherë të pezullojë zbatimin e Aktit famëkeq Normativ dhe të shpejtojë punën për të zgjidhur ligjërisht çështjen e ushtarakëve sipas premtimit të dhënë.