Përparim Sanxhaku:U arratisa nga tre konvikte bujqësore për t’u bërë avokat

    2197
    Sigal

    Flet juristi Përparim Sanxhaku: Shkova ushtar, ngaqë nuk e doja Ekonomikun

    Babai preferonte degët e shkollës bujqësore, por unë merrja arratinë dhe qysh herët e tregova se nuk isha i prirur për punët bujqësore”. Kështu e nis rrëfimin e tij për fëmijërinë avokati Përparim Sanxhaku, i cili tregon se prirjet e tij evidentoheshin në futboll dhe muzikë.

     Refuzimi

    “Sa herë që prindërit më nisnin në fushë me vëllanë e madh, unë ulesha në bar dhe i jepja kurajë të tjerëve që të punonin sa më shumë, duke numëruar kazmat që ngulnin ata në tokë”. Kështu thotë Sanxhaku, i cili shton se ai do të vazhdonte të dërgohej nëpër kullota, kishte rrezik të kthehej ndonjë ditë me gjysmën e bagëtive, sepse nuk ishte aspak i vëmendshëm ndaj tyre. “Gjithë kohën pyesja për orën dhe ngulja një shkop në tokë për të parë pozicionin e hijes, duke përcaktuar kështu çastin e kthimit në shtëpi”, thotë ai.

     Arratisja nga konvikti

    Pasi mbarova shkollën fillore në fshatin Qatrom, u nisa në Korçë për të vazhduar degën bujqësore, por një natë u arratisa nga konvikti”. Kështu tregon Sanxhaku për vitin 1964, kur ai u largua nga shkolla e mesme bujqësore, ngaqë nuk i pëlqente kjo degë. Sipas tij, sapo mësuesja e pyeste për grurin apo misrin, ai përgjigjej për Shekspirin, apo Danten. “Pas një viti rifillova shkollën ekonomike, ‘Demir Progri’, të cilën e mbarova me nota të shkëlqyera”, shton ai. Duke vazhduar serinë e kundërshtimeve, Sanxhaku refuzoi degën e shkollës së lartë për Ekonomi-Plan dhe u nis ushtar në Shkodër. Për këtë refuzim, Sanxhaku thotë: “Prirjet e mia tanimë ishin kristalizuar në Juridik ose Gazetari, prandaj unë isha i vendosur t’i shkoja deri në fund pasionit tim”. Por edhe në ushtri ai nuk e njohu asnjëherë mënyrën e përdorimit të armës sepse për dy vjet punoi si marangoz i repartit. Pas ushtrisë, Sanxhakut i del e drejta e studimit në degën e tij të dëshiruar, por tanimë ai e ndjente veten të paaftë për të mbajtur mend profecitë e fakultetit. “M’u deshën dy muaj të rifreskoja dijet e mia dhe pas kësaj periudhe u bëra i pakapshëm në mësime”, nënvizon ai. Duke folur për hobet e tij, Sanxhaku tregon se ishte i prirur për teatër, estradë, kërcime dhe letërsi. Ashtu si me gjysmë zëri duke parë rreth e rrotull ai shton: “Isha i prirur edhe për dashuri”, por gjithsesi nuk pranon të japë emra, fakte apo adresa të periudhës së rinisë.

     Martesa

    “U martova kur punoja në Lezhë, me Marjetën, e cila ishte me origjinë nga Korça, por në atë kohë vazhdonte studimet e larta. Sapo e pashë për herë të parë thashë me vete se “kjo është e përshtatshme për mua”. Duke folur për ceremoninë e martesës Sanxhaku thotë se, ajo ishte e thjeshtë dhe me një orkestër modeste, ashtu siç organizoheshin të gjitha dasmat e asaj kohe. Pas kësaj martese ai është bërë babai i dy fëmijëve, të cilët tani vazhdojnë studimet.

     Profesioni

    “Unë nuk e duroj padrejtësinë, prandaj preferoj të jem avokat i mbrojtjes së njerëzve”. Kjo është deviza që paraqet Sanxhaku për orientimin reflektiv të tij drejt gjykatës. Ai shton se sekreti i punës së tij, ka të bëjë me njohjen e thellë të legjislaturës. “Unë shkoj në gjyq me një përgatitje të lartë dhe karakteristika ime është se unë nuk hyj në debate të kota për probleme që nuk i njoh, por vetëm për ato që i di shumë mirë”. Duke bërë bilancin e gjyqeve të fituara dhe atyre të humbura, Sanxhaku thotë se është tepër i kënaqur. Ai tregon se merr falënderime nga të gjithë ata që fitojnë gjyqin, por edhe në rastet kur humbasin, gjithçka mirëkuptohet. Në këtë kontekst Sanxhaku thotë se, është bërë i njohur njëlloj si doktor-Arqileja. “Aq e vërtetë është kjo, saqë gjatë një gjyqi, i akuzuari iu drejtua vëllait të vet për avokatin. “Ti mor vëlla ma ke gjetur shumë të mirë doktorin, por unë jam në çastet e fundit dhe nuk më shpëton dot njeri prej burgut, ngaqë kam bërë dy vrasje”.

     Kryeqyteti

    “Zgjohem në orën 06:30 minuta dhe çdo ditë deri në 07:00 dëgjoj muzikë të huaj. Pastaj në orën 07:45 dal në kafe dhe deri në orën 08:30 nuk dëshiroj të më shqetësojë njeri”. Kështu tregon Sanxhaku pjesët e regjimit ditor, ku nga ora 09:00-15:00 mbyllet në zyrë duke pritur klientët. Më tej, ai tregon pasionin e tij për të ngarë makinën me shpejtësi, duke numëruar këtu 3-4 karambole të lehta, me shtyllën, ose me makina të tjera. “Ndërsa orët e pasdarkës më parë i kaloja duke luajtur bilardo dhe duke vallëzuar me artistët ndërsa tani axhenda ime ka ndryshuar”, shton Sanxhaku. Ndërsa pyetjes nëse i ka qejf vajzat e bukura, ai i përgjigjet se “bukuroshet i ka qejf edhe mbreti, edhe lypsari, përse të mos i ketë qejf avokati”. Por në këtë kontekst ai betohet se nuk ka pasur asnjë të fshehtë dhe se i qëndron parimit të socialistëve “një njeri, një votë”, pra se çdo burrë duhet të respektojë dashurinë e tij për gruan. “Në darkë fle i qetë dhe jam tepër i urtë, por sapo bashkohem me miqtë e vjetër fillojmë të bërtasim e të kërcejmë sipër tavolinave si fëmijë”, përfundon ai.

    BIOGRAFIA

    Ka lindur më 10.12.52, në Qatrom

    1959 – Nis shkollën fillore

    1965 – Fillon Ekonomikun në Korçë

    1973 – Ushtar në Shkodër

    1976 – Student në fakultetin Juridik

    1979 – Ndihmësprokuror në Lezhë

    1982 – Në drejtorinë e Hetuesisë të MPB

    1983 – Në Hetuesinë e Përgjithshme

    1991 – Avokat