Pensionistja nga Finlanda, boton një libër për jetën në Sarandë

    384
    Sigal

    Tani libri është pjesë e informacionit turistik që Bashkia e Sarandës ofron në mënyrë të organizuar për të huajt

    Thoma Nika

    Çifti finlandez Pirjo dhe Hari Mellanen po bëjnë 5 vjet që jetojnë rezidentë në Sarandë. Tregojnë se ishin nisur të blinin një apartament në Bullgari. “U lodhëm dhe u tërhoqëm nga korrupsioni galopant, në zinxhirët e të cilit na përplasi kjo dëshirë e jona”, rrëfejnë ata. Dhe rrugëdaljen e gjetën teksa studionin një hartë që kishin me vete, kur lexuan Albania. Pas kësaj iu drejtuan Tiranës, ku morën një makinë me qira dhe udhëtuan drejt jugut. Kështu përfunduan në Sarandë. Kjo ndodhi plot 5 vjet më parë, kur bashkëshortët pensionistë nga Finlanda, të ndezur nga dashuria e parë me këtë qytet, u bënë rezidentë të tij, duke patur apartamentin e tyre. Tani e gjithë historia e kësaj dashurie dhe shumëçka u fal jetesa e re në Sarandën e zbuluar rastësisht, është në një libër, që ka gjetur lexues të shumtë në vendin e tyre.

    Libri

    “Unë udhëtova në Shqipëri” ka zgjedhur për titull Pirjo Mellanen dhe e gjithë eksperienca e saj familjare, jepet si një aventurë, që duhet ndjekur. Ajo thotë se libri i tij për Shqipërinë dhe Sarandën, që është botuar në Finlandë për finlandezët, zbulon para tyre Shqipërinë, si të ishte një planet i ri. Libraritë por sidomos kruazierat finlandeze ajo thotë se janë tregu kryesor i librit të saj. Me sytë e një finlandezeje libri prezanton vendet më të bukura, ku kanë qenë së bashku me Harin. Por ajo e quan shumë më tepër se një guidë, shoqëruar me përshkrime për mënyrën si jetojnë vendasit, me harta e fotografi, që janë impresione në imazh. Libri përcjell Shqipërinë me mënyrë dhe tone miqësore. Me humor, ajo thotë se e gjitha është një përpjekje për zhytje e saj në shoqërinë shqiptare.

    Dy motivet

    Pirjo Mellinen thotë se ka patur dy motive për ta shkruar këtë libër. Së pari për të ndarë me bashkëkombësit e vet aventurën e banimit në një vend si Shqipëria. Por edhe për të shuar keqkuptimin që ajo thotë se jo pak prej finlandezëve kanë për shqiptarët. Libri çelet me Sarandën dhe që andej nis eksplorimi i Shqipërisë. Jepet profili i disa qyteteve më interesante, si: Kruja, Durrësi, Shkodra, por qëndrohet gjatë në pika të interesit turistik, si: Lëkurësi, Butrinti, Finiqi, Syri i Kaltër etj.. Një kapitull më vete i kushtohet traditave dhe ushqimit, pa lenë në harresë komunikimin. Me shumë thjeshtësi e konkretësi tregohet se si dhe ku shpenzohet fundjava në Sarandë, për mundësitë praktike të zgjedhjes për t’i kaluar ato me sa më shumë variacion, që ofron qyteti dhe periferia. “Finlandezëve tanë u ka interesuar të dinë edhe se si vjen në rritje interesimi për investime, se si mund të pajisesh me një leje ndërtimi dhe deri se si të komunikosh për të ofruar njohje dhe miqësi të reja në Facebook”, thonë bashkëshortët e familjarizuar me të gjitha këto elemente të organizimit të jetës këtu.

    Jetesa

    Vështrimi dhe vëmendja e bashkëshortëve të huaj ndalet për të rrëfyer thjeshtësisht se si është të jetosh në Shqipëri, si janë shkollat dhe spitalet, si rriten fëmijët, si funksionon një autoshkollë që të pajis me patentë automjeti, si funksionon sistemi i taksave, si merret shërbimi i një fizioterapisti e deri se cila është shija dhe lezeti i rakisë shqiptare apo si sillen vendasit me qentë e rrugës. Ashtu siç flitet thjeshtësisht edhe se cila është siguria në rrugicat e errëta të Shqipërisë.

    Problemet

    Një pyetje që shtrohet dhe nuk mbetet pa përgjigje është në se mund të jetohet këtu gjithë kohën. Pjesë e përgjigjes është realizmi i thellë i të vërtetave shqiptare, ku përmenden problemet me shërbimin e internetit, problemet që nxjerr regjistrimi i makinës, mungesa e korrektesës në shërbimin postar etj. Pirjo Mellanen hyn në labirinthet e jetës në Sarandë, siç janë sikleti i trafikut të rënduar e të paorientuar. Në vargun e vështirësive ajo shton edhe ato në përdorimin e vlerës së lekut të ri, duke u shprehur me lekun e vjetër, të hequr prej disa dekadash nga qarkullimi. Të gjitha këto jepen në një këndvështrim miqësor, si një sugjerim dhe kontribut për t’i njohur e pohuar siç janë, për t’i pranuar ato përkohësisht dhe për t’i kapërcyer përfundimisht. Përballë vështirësisë që çifti ka ndjerë në mësimin e gjuhës shqipe, vlerësohet maksimalisht komunikimi i njerëzishëm me këdo që kanë takuar në rrugë e në çdo mjedis. Nuk mbetet jashtë vëmendjes së lexuesit finlandez as historia politike e Shqipërisë, duke nisur nga koha e Zogut dhe Hoxhës e deri tek 100-vjetori i Pavarësisë.

    Tregojnë se, “Kthim për Pashkët”, është një kapitull i veçantë në libër. Në të ka pasazhe të tëra ku flitet me simpati për karakterin e shqiptarëve, si njerëz që janë të gatshëm të të ndihmojnë. Kjo jepet edhe me detajin e qenit Alu, të cilin kur ikën e lanë në Sarandë, nën kujdesin e miqve të rinj të këtij qyteti.

    Pirjo thotë se, libri është pritur me shumë interes në Finlandë. Testin e parë të suksesit të librit ia dha botuesi në Finlandë, i cili, pasi e përfundoi së lexuari, i vuri një kusht të habitshëm, duke i thënë: dua të vizitoj vetë këtë vend e pas kësaj ta botoj. Dhe kështu bëri. Tani libri është pjesë e informacionit turistik që Bashkia e Sarandës ofron në mënyrë të organizuar për të huajt, përmes zyrës së vet, që jep këtë shërbim në qendër të qytetit

    Shkrimet në shtypin finlandez

    Pirjo thotë se, qëllon që në shtypin e vendit të tij të shkruhet edhe keq për Shqipërinë. Në këto raste bashkëshortët Mellanen thonë se janë të ndjeshëm dhe nuk rrinë pa replikuar me argumente publikime të tilla, që i vlerësojnë të paragjykuara ose të mbetura prapa në kohë. “Nga të pavërteta të tilla që vazhdojnë të qarkullojnë në mënyrë spekulative, disa herë ne jemi nxitur për të botuar impresione të jetuara, që tregojnë dhe bindin për të kundërtën”, shprehet Hari. Ai na bind për këtë duke shfletuar gazetën prestigjioze finlandeze “Extra”, të datës 5 tetor 2013, ku ka zënë vend një dyfaqësh që ka për personazh atë dhe bashkëshorten si rezidentë në Shqipëri, nën titullin impresionues “Shqipëria në dimër, pse jo?”. Kjo është një ftesë bindëse dhe shumë miqësore për të frekuentuar këtë vend.

    Familjet finlandeze blejnë shtëpi në Sarandë

    – Vetëm nga rrethi i miqve të tyre, -thotë Vangjel Xhani, përkthyesi dhe miku i tyre i parë në Sarandë,- kanë blerë apartamente në Sarandë, kështu si këta, edhe 8 familje të tjera. Dhe Hari shton: “Kemi arsye të gëzohemi, pasi kam dëgjuar se është duke u zhvilluar një projekt, sipas të cilit do të ndërtohen edhe 25 apartamentet e parablera nga finlandezë.” Është e dallueshme se çifti finlandez ndjehet mirë në Sarandë dhe ca më tepër të flasin e rrëfejnë për jetën e tyre në Sarandë, duke e quajtur veten ambasadorë natyralë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.