Prof. Dr Salvatore Bushati: Ruajtja e liqeneve të Prespës e të Ohrit. Të investohet tani, nesër është vonë

827
Sigal

Intervistë me Akademik Prof. Dr Salvatore Bushati, Sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Në 27–29 tetor 2013 në Strugë dhe Pogradec u mbajt Konferenca Ndërkombëtare ”Liqenet e Prespës – Liqeni i Ohrit: Gjendja aktuale – Probleme dhe Perspektiva”, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë.

Prof. Bushati kush e organizoi këtë veprimtari? Në kuadër të Këshillit të Përbashkët Shkencor Ndërakademik të Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë të Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, u organizua Konferenca shkencore me një përfshirje të gjerë të komunitetit shkencor të dy vendeve me një përfshirje shumëdisiplinore nga institute e qendrave shkencore, universiteteve, Fondacioneve e shoqatave mjedisore nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Gjermania, Serbia, etj.

A mundet të na thoni Profesor Bushati disa nga konstatimet tuaja në këtë tubim shkencor kaq cilësor, se cilat janë të rëndësishmet?

Liqeni i Ohrit dhe Liqenet e Prespës janë nga liqenet më të vjetra në botë, (Ohri i formuar 2-4 milion vjet më parë, në periudhën terciare), që 10 nga 17 speciet e peshkut të identifikuara janë endemike, si dhe faktin që fauna bentike e të dy liqeneve karakterizohet nga një numër i madh formash relikte, arkaike ose endemike. Zonat ujore janë burimi më i çmueshëm natyror, pa përjashtuar këtu ekosistemet tokësore. Një menaxhimi i duhur nga të dyja palët është i domosdoshëm për përftimin e një zhvillimi të qëndrueshëm. Kongresi konfirmoi se megjithëse liqenet e Ohrit e Prespës mbeten liqene vitale me shumë asete, ata kanë disa probleme shume serioze mjedisore që u identifikuan edhe nga kjo Konferencë dhe që kërkojnë zgjidhje. Pavarësisht rëndësisë që kjo zonë mbart, vazhdojnë aty këtu abuzime përsa i takon menaxhimit, përdorimit të pakoordinuar të burimeve ujore, ndotjes dhe keqadministrimit. Dora e njeriut, ndërtimi i infrastrukturës, mungesa e planifikimit, degradimi i dherave, ndotja dhe keqpërdorimi i kimikateve në zonat bujqësore kanë një ndikim të madh në cilësinë e ujit. Përdorimi i tepruar i ujit dhe burimeve ujore po i bëjnë këto habitate ujore gjithnjë e më pak të përdorshme. Trofta, për shembull, është një dëshmi e këtij fakti tepër shqetësues. Kjo gjë ka ndikuar në uljen e shkallës së biodiversitetit në Liqenet e Prespës dhe të Ohrit dhe në ekzistencën e specieve jo-indigjene të grupeve kryesore taksonomike. Përqendrimet e fosforit në të dy liqenet, prania e stoqeve të inerteve e të mineraleve apo veprimtaritë minerare në pellgun ujëmbledhës, që shkaktojnë rritjen e përmbajtjes së metaleve të rënda në ujin e liqenit dhe në sedimentet e tij, gjuetia pa kriter e peshkut dhe e zogjve, dëmtimi i disa zonave të shumimit të tyre, kanë shkaktuar uljen e numrit të tyre deri në atë masë sa ato të jenë në rrezik zhdukjeje. Pasuritë natyrore të zonës për zhvillimin e qëndrueshëm nuk duhen kuptuar ato që sjellin direkt me zhvillimin prodhues; pasuria shpirtërore është një anë tjetër shumë e ndjeshme që duhet vlerësuar, ruajtur e zhvilluar. Krahas edhe problemeve të tjera lidhur me burimet natyrore në pellgun ujëmbledhës, janë edhe ato që kanë të bëjnë me humbjen e pasurive kulturore të rajonit, ndryshimin e bregut të liqenit nga zhvillimi, mungesën e një plani për përdorimin e tokës, koordinimin e një strategjie të përbashkët të zhvillimit ekonomik e turizmit në rajon, për të cilat duhet të jepen zgjidhjet përkatëse. Kërkimet shkencore, hulumtimet e prezantuara në këtë Konferencë, tregojnë një lidhje të qartë midis ekonomisë dhe burimeve të shëndetshme të këtyre liqeneve. Në qoftë se investimet për ruajtjen e liqenit të Ohrit nuk do të bëhen tani, atëherë sjellja e tij në standardet e kërkuara do të jetë me një kosto shumë herë më të madhe.

Profesor, cilat janë aktualisht nismat e vendeve ndërkufitare për këtë pasuri natyrore?

Aktualisht Shqipëria dhe Maqedonia janë duke implementuar marrëveshjen bilaterale midis dy vendeve, (firmosur nga të dy kryeministrat në Qershor 2004 dhe ratifikuar nga parlamentet përkatëse në Mars 2005), e cila bashkërendon politikat e të dy shteteve për adoptimin e ligjeve, rregulloreve të nevojshme për mbrojtjen e liqenit të Ohrit nga ndotja, përdorimin e ujit, menaxhimin e peshkimit; respektimin e standardeve dhe rregulloreve ndërkombëtare për shmangien e ndotjes; dhe mbi të gjitha i jep një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit përmes shpalljes së tij si “Rezervë Biosfere Ndërkufitare” bazuar në programin MAB të UNESCO-s. Shumica e problemeve që ndikojnë këto liqene, sikurse është ndotja e tyre nga burimet pikësore dhe jopikësore, nga përdorimi i tokës bujqësore e urbane, planifikimi për zhvillimin e ardhshëm të rajonit, etj. janë pjesë integrale e trajtohen nga kjo marrëveshje dhe Komiteti sugjeron aksione konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ndikimi klimaterik kryesisht në ciklin ujor ka nevojë për eksplorime ujore, dhe kaskada e sistemit Prespa-Ohër-Drini-Adriatik do të ishin shembulli tipik i ndikimit të komunitetit shkencor. Monitorimi i integruar që është lehtësuar përmes financimeve ndërkombëtare, duhet të vihet në zbatim me efikasitet duke i dhënë administrimit të zonave të mbrojtura një mjet më të zbatueshëm për identifikimin e kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes e cilësisë së ekosistemeve.

Profesor, cili ishte angazhimi i komunitetit shkencor në këtë Konferencë shkencore ndërkombëtare?

Nga referimet dhe deklarata e Konferencës, përfaqësuesit e komunitetit shkencor dhe administrativ angazhohen në:

  • Trajtimin (përqasjen) e ekosistemit, mbrojtjen dhe rregullimin e ekosistemeve. Pjesëmarrësit ranë dakord përsa i takon marrjes në konsideratë dhe promovimit të trajtimit të ekosistemit në përdorimin, menaxhimin e mbrojtjen e ujërave ndërkombëtare.
  • Zhvillimin e qëndrueshëm. Ka qenë parimi bazë i projekteve mjedisore dhe arritjeve të mëdha të zbatuara në nivel administrativ lokal përmes “Ohrid Conservation WB Project, “UNDP Prespa Project” dhe projektit të tanishëm KfW “Prespa Biosphere Reserve Projects”.
  • Burimet kombëtare dhe lokale dhe kapacitetet për menaxhimin e ujërave, duke përfshirë edhe ato njerëzore, mbeten të kufizuara. Rekomandohet që më tej theksi duhet t’i jepet kualifikimit dhe trajnimit të specialistëve të rinj të ujit të fushave të ndryshme.
  • Ekosistemet e ujërave të brendshëm kanë ndikim të rëndësishëm në ciklin hidrologjik të ujit dhe për pasojë në furnizimin me ujë të popullatës dhe përdorimit më të gjerë të ujit prej kësaj popullate, siç është ujitja, energjia dhe transporti. Kërkime komplekse mbi balancën e ujërave, ndërlidhjet, funksioni i ekosistemeve dhe ndryshimet klimaterike janë parashikuar për të ardhmen.
  • Ruajtja e regjimit të brendshëm hidrologjik të liqeneve dhe rrjedhat e ujit në ujëmbledhësin e Ohër-Prespës dhe shumëllojshmëria e tij natyrore janë të nevojshme për të ruajtur karakteristikat e tërë ekosistemit tokësor e ujor, duke përfshirë biodiversitetin. Në këtë aspekt, përqasjet shkencore komplekse në aspektin e pyjeve (duke përfshirë nevojën për rehabilitim), livadhet subalpine, tokat bujqësore, dherat, ndotja dhe jeta sociale duhet të studiohen.
  • E gjithë përqasja e integritetit kulturor e komuniteteve lokale dhe turizmi duhet të respektohen në bazë të perspektivës së duhur për komunitetet lokale, dhe jo thjesht për gjenerimin e të ardhurave për pushtetin lokal. Orientimi i potencialeve turistike dhe i zhvillimit sipas kërkesave të konsumatorit dhe ndjeshmërisë ndaj natyrës, kulturës tradicionale dhe konservimit duhet të lidhet ngushtazi me komunitetet lokale. Studimet duhet të ndërmerren për të përcaktuar efektet e mundshme të ekoturizmit te popullata vendase dhe jeta e tyre kulturore.
  • I gjithë sistemi i monitorimit duhet të reflektojë parimet e WFD (Direktivës Kornizë të Ujit të BE-së), të jetë i integruar, i zbatueshëm dhe me kosto efikase. Megjithëse monitorimi nuk konsiderohet shkencë, komuniteti shkencor duhet të integrohet në përqasjet metodologjike, vlerësimin dhe dizenjim teknik. Monitorimi duhet të kryhet mirë e në mënyrë të vazhdueshme. Hapat e mëtejshëm të veprimit të menjëhershëm duhet të bëhen për legjislacionin dytësor dhe institucional të ngritur për menaxhimin e Prespas dhe Liqenet e Ohrit në konceptin e menaxhimit të baseneve lumore.
  • Realizimin e objektivave të marrëveshjes bilaterale midis dy shteteve si garanci për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të liqenit të Ohrit dhe pellgut të tij ujëmbledhës, (shpalljen e rajonit Ohër-Prespë si rezervë biosfere ndërkufitare, si dhe pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore), që janë në proces nominimi.
  • Parqet Kombëtare në zonën ndërkufitare (Prespa NP Albania, Prespa NP Greece, Galicicha NP dhe Pelister NP Macedonia) si zona kryesore të “Prespa and Ohrid Biosphere Reserve” të ardhshëm, meriton mbështetje dhe konsideratë të plotë.

Prof. Bushati, a keni besim se do të keni mbështetjen e Qeverisë për studime të tilla?

Vetë zhvillimit i Konferencës nën kujdesin e Kryeministrit Rama dhe Gruevski, prania e Zevendësministres së Ministrisë së Mjedisit, Zonjës Bejko dhe Zevendësministres së Arsimit dhe Sporteve, Zonjës Malaj, deputetit Angjeli, Kryetarit të Bashkisë së Pogradecit e atij të Ohrit, janë një shprehje e interesit të politik-bërjes e vendim-marrjes  për problematikat që konferenca trajtoi.