Pandeli Bardhi/ Shkëlqimi dhe rënia e Kombinatit Metalurgjik

799
Nuk do të bëjmë fjalë, nëse ishte jashtë kohës apo ishte jashtë mundësive ndërtimi i Kombinatit të Madh Metalurgjik. Këto do t’ia lëmë gjykimit të kohës. Sot, bëjmë fjalë për atë që ishte “brenda” kohës dhe “brenda” mundësive të të gjithë atyre që punuan me vetmohim, që derdhën djersë e sakrifikuan për të ndërtuar, për të bërë diçka në interes të vendit, të shoqërisë, të përparimit. Për nga sipërfaqja që zinte Kombinati Metalurgjik prej afro 470 ha dhe për nga numri i ‘banorëve” prej afro 11 mijë, ndoshta ia kalonte edhe një qyteti të madh. Ishin këta, të gjithë banorë e punëtorë, teknikë specialistë, kuadro, inxhinierë e punonjës të thjeshtë, të ardhur nga të katër anët e vendit. Në brendësinë e tij, kishte me dhjetëra e qindra “pallate”, fabrika e objekte të ndryshme prodhimi, për të cilat gjithçka u fillua qysh nga vendosja e tullës së parë. Ky “qytet” i bashkoi jo vetëm banorët vendas e të ardhur, por i bashkoi edhe me fije të çelikta të gjitha degët e industrisë të vendit, i cili dora dorës do të bëhej “zëmra” që do të shpërndante “gjak” për t’i dhënë jetë trupit të vuajtur të Shqipërisë! 
42 km hekurudhë brenda Kombinatit
Vetëm hekurudhë, brenda këtij Kombinati, ishin 42 kilometra. Energjia elektrike dhe uji që konsumohej i kalonte shumë herë nevojat e një qyteti të madh. U ndërtuan një nga një të gjitha “pallatet” e këtij qyteti, repartet dhe fabrikat e prodhimit, të cilat ishin qindra. Edhe këto, ia kalonin numrit të pallateve të një qyteti me ndryshimin e vetëm, jo me lehtësinë e ndërtimit të një pallati të thjeshtë, siç ndërtohen këta të sotmit, shkel e shko, por të një “pallati”ku secili prodhonte për “hesap” të vet e të gjitha prodhimet e tyre, bashkoheshin në prodhimin e gizës e Çelikut! Është e pamundur të bësh bilancin e asaj pune të mijëra ndërtuesve, montatorëve teknikëve e punonjësve të thjeshtë për një periudhë afro 30-vjeçare. Të gjitha këto, tashmë, kanë mbetur vetëm kujtime, e kujtimet, nuk shlyhen kollaj nga kujtesa e njerëzve, aq më tepër nga kujtesa e atyre që punuan, që e ngritën këtë “krijesë” gjigande nga themelet, e rritën me përkujdesjen më të madhe e tashmë, po “jep shpirt” pak e nga pak. Ka mbetur ashtu, “varr zbuluar” në mëshirë të fatit, në pritje që dikush të kujtohet e t’i ‘mjekojë’ qoftë edhe një “plagë” të vetme, apo tek e fundit, t’i bënin një “varr”, mbi të cilin të shkruhet: Dikur, këtu, ka qenë një Kombinat Metalurgjik! Një punishte, një fabrikë, apo edhe një Kombinat, mund të shkatërrohen, por kujtimet për ndërtimin e kësaj vepre kolosale, ashtu si edhe e dhjetëra e qindra veprave të tilla, nuk do të shlyhen lehtë nga kujtesa e atyre njerëzve duarartë që punuan aty e që do të përcillen brez pas brezi. 
Gjeneratat e brezave
Kanë ardhur në këtë takim inxhinierët duarartë Gjergji Dhima, Petrit Sino, Kristaq Lefteri Agron Zace, Nusret Zhuleku, Ilia Gaci, Kozma Biba, Bukurosh Stafa, e shumë të tjerë. Kanë “ardhur” edhe ata që nuk jetojnë më, Llazi Papajani, Rexhep Ruci,Maqo Polena,Vehbi Maksuti Liman Golloborda, Kujtim Dakli, Veli Mezini, Llazar Papamihali, Hasan Bekteshi.Shumë prej atyre që mungojnë, kanë qenë pjesëmarrës edhe në luftë për liri, i u përgjigjën edhe thirrjes për luftën tjetër, për ndërtimin e Shqipërisë që çliruan. Nga lufta, në luftë. Të gjithë janë vazhduesit e heroizmit të të parëve të tyre. Shumë të tjerë, kanë marrë udhët e botës e punojnë në atë zanat që i dha Shkolla, Kombinati Metalurgjik. Edhe ata, ndihen krenarë që punuan në këtë vepër të madhe. Në takimin e sotëm, edhe vendi i atyre që janë ndarë nga jeta, nuk është bosh. Janë fëmijët e të afërmit e tyre, që ecin në gjurmët e atyre që i kanë lënë amanetin. Nuk është në këtë takim as Feruz Mataj, inxhinieri i talentuar ish Drejtori i Përgjithshëm i Kombinatit. Vendin e tij e ka zënë pasardhësi i tij, djali i madh Genci. As në të ardhmen vendi i këtij njeriu që bëri epokë me talentin dhe aftësitë e tij teknike, drejtuese dhe organizuese,nuk do të rrijë bosh. Nuk ka mbetur bosh as vendi i teknikut të thjeshtë, Kimet Gjyli. Në vendin e tij ka ardhur Agroni, djali i tij, i cili ecën në gjurmët e babait. E stafeta vazhdon… Janë të shumtë pjesëmarrësit në këtë takim, e secili prej tyre, ka shumë për të treguar. Nuk ngopen e nuk çmallen me shokët e punës, kur ditë e natë, me orar e pa orar, punonin e derdhnin djersë për ndërtimin e këtij gjigandi që do të forconte e çelikoste pavarësinë që e arritën me luftë. Sot, shumë prej tyre, janë të kaluar nga mosha e me flokë të thinjura. Por këto, nuk bëhen pengesë, për të ardhur edhe nga zonat më të largëta, nga Devolli e Peshkopia, për t’i kujtuar edhe njëherë ato vite të rinisë. Shumë prej tyre, punojnë akoma edhe sot, në zanatin dhe specialitetin që morën në shkollën e madhe “Kombinati Metalurgjik”, që duart i “hanë” për punë, si dikur, kur ndërtonin këtë shkollë të madhe, që i bashkoi, që i mësoi, që i specializoi, që i aftësoi. Nuk mund të tregohen për pak kohë, gjithë ai heroizëm, gjithë ato sakrifica që u deshën për të ndërtuar veprën më të madhe industriale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tërë Rajonin. 
Takimi i brezave
Nismëtarë për këtë takim u bënë një grup shokësh me Mufit Lulon në krye. Mufiti, është prej atyre kuadrove që jetën e tij e lidhi me atë të Kombinatit, qysh atëherë kur u hodhën kazmat e para. Për afro 30 e ca vite ai punoi si drejtor i kantierit për ndërtimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për qindra e mijëra banorë specialistë e punonjës. Edhe sot, kur “zemra” e Kombinatit, nuk rreh më, zëmra e Mufitit 87 -vjeçar, rreh si në rini të saj. Qysh atëherë kur Mufiti dhe Kombinati, i dhanë “besën” njëri-tjetrit, as sot e as në të ardhmen, nuk do të ndahen më. Është kjo dashuri që Mufitin e shumë shokë të tjerë, si Stavri Stefani, Petrit Muka Lavdi Gjoza e shumë të tjerë, i shtyn të kujtojnë “krijesën” e tyre, siç e kanë kujtuar gjithmonë, përveç të tjerave edhe për të mbajtur gjallë punën vetëmohuese të atyre viteve. Secili prej tyre ka pjesën e vet në ndërtimin e këtij “Gjigandi”.Ishte koha kur i u bë thirrje të gjithëve për ndërtimin e veprave më të mëdha të kohës, ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik, Hidrocentralin e Fierzës dhe Rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh. Ishin thirrje për të “shuar” etjen që kishte vendi edhe për çelik, edhe për dritë, edhe për “arrin e zi” ashtu si kishte uri edhe për bukë. Robert Floqi, Gjergji Dhima e Petrit Sino, kanë shumë për të treguar. Ecnin në rrugë të pashkelura më parë. Kombinati për ata, u bë edhe shkolla, edhe laboratori, edhe vendi ku kryheshin eksperimente. Mjete nuk kishte, teknologjia, ishte e prapambetur. I kohës, i përparuar, ishte vetëm mendimi i tyre përparimtar, shpirti i tyre novator. Edhe kinezët, shfaqeshin mosbesues. Edhe ata, nguronin të bënin ndryshimin e projekteve. Këmbëngulja e këtyre njerëzve të talentuar e të shumë të tjerëve, në ato çka propozonin dhe dalja e tyre me sukses, detyronte edhe kinezët që të bënin ndryshimet në projektet e tyre. Kështu, për ndërtimin e bazamentit pllakë 45X42 m, kështu për oxhakun 120m të lartë, kështu edhe për qemerin e furrave të pjekjes, mbulesës së tyre, për ndërtimin e kallëpi metalik 80m të lartë, edhe për drenazhimin me thellësi 5.5m të objektit të lëndës së parë me gjatësi 200m e gjerësi 31m. Shpirti i tyre novator në këto projekte, e në shumë të tjera si këto, detyruan edhe kinezët që të ndryshojnë projektet e tyre. Erdhi një ditë dhe kinezët u larguan. Nuk ishin të paktë ata që u shfaqën mosbesues e skeptikë, sikur tani, “gjithçka, do të merrte fund”! Por, nuk mendonte kështu, ai që nuk harrohet kurrë, Feruz Mataj, nuk mendonin kështu dhjetëra e qindra specialistë, teknikë e inxhinierë, që u zotuan që Kombinatin do ta mbanin në efiçencë të plotë. U bënë takime e konsulta jo vetëm me kuadrot e specialistët e Kombinatit, por me të gjitha fabrikat e uzinat në rang vendi, se çfarë mund të prodhohej, përveç atyre që ishin parashikuar, që vinin si rezultat i mosardhjes së makinerive nga Kina. U bënë shumë ndryshime, por prodhimi, nuk u ndal. As fuqia punëtore, nuk u shkurtua. Të gjithë, kjo i mbushi me optimizëm. Nuk i ka ardhur Shqipërisë e keqja nga të huajt, por nga të vetët, nga brenda 
Trishtimi i punonjësve të Kombinatit
Krahas gëzimit, në fytyrat e tyre, duket edhe trishtimi, edhe dëshpërimi.. Nuk ka se si të ndodhi ndryshe, tek kalojnë në afërsi të atij që dikur gumëzhinte e sot e ka mbuluar “zia”! Janë këta që e krijuan, e rritën e i dhanë gjallëri, janë këta që me një përkujdesje të veçantë, i dhanë jetë e morën jetë prej tij. Sot, ai lëngon e duket sikur pret ndihmën e atyre që “i njeh” qysh në ato kohë të vështira. Duket sikur nuk ka “besim” në ata që erdhën pas vitit ‘90-të. Nuk kanë “besim” as ato pak “qeliza” që i kanë mbetur këtij gjigandi të dikurshëm, tek këta të sotmit, që as me një rrugicë, nuk e kanë justifikuar talentin dhe aftësinë e tyre për të ndërtuar. “Talenti” i vetëm i atyre që vijnë e ikin nga pushteti, është vetëm shkatërrimi, vjedhja, babëzia e të gjitha atyre që janë ndërtuar me mund e djersë e akoma nuk po i gjejnë dot fundin! Ata që punuan e derdhën djersë, sot ndihen të zhgënjyer. Duket sikur historia na kë ndëshkuar keqas, që të mos e gëzojmë asnjëherë atë c ‘ka ndërtojmë, që më parë se të ndërtojmë duhet të shkatërrojmë. Edhe ato pasuri të mëdha që na fali nëna natyrë, më parë se t ‘i gëzojmë, duhet t ‘i shkatërrojmë!. Ata që ndërtuan e sakrifikuan, nuk gëzuan. Gëzojnë ata që nuk ndërtuan por shkatërruan! Edhe media, nuk e pa të arsyeshme të pasqyronte këtë aktivitet të madh. Nuk e pa me vend, që në kronikat e shumta të krimeve, vjedhjeve, trafiqeve shkatërrimeve e falsifikimeve, të gjente edhe pak minuta për të treguar që ka edhe njerëz që kanë ndërtuar. Mallkimet nuk po na ndahen. Kujtoj në këto momente, Fishtën e Madh, i cili shkruante: “Po të keni parë Lurën, keni parë gjithë Shqipërinë”! Por Lura, atëherë ishte e bukur. Të njëjtën gjë do të shkruante Fishta, sikur të ishte gjallë sot: “Doni të shihni Shqipërinë? Shikoni Lurën si është sot! Me të drejtë, edhe brezat që luftuan e punuan, sot, kanë të drejtë të thonë: Shihni ish – Kombinatin Metalurgjik, kështu është edhe Shqipëria! 
Sigal