Pagesa për legalizimet pas miratimit të çmimeve

    415
    Sigal

    Legalizimet/ Rihapet vetëdeklarimi, Lame: 45 mijë dosje janë të paplota, do ribëhen matjet

    Procesi i legalizimeve do të fillojë kur të miratohet projekt-vendimi që përcakton çmimet që do të paguhen parcelat ndërtimore. Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame. “Gjithashtu në Qeveri është dërguar projekt-vendimi që përcakton çmimet me të cilat do të paguhet parcela ndërtimore, aty ku qytetarët do ta paguajnë sepse siç e kemi thënë, aty ku trualli është i tyre qytetari nuk do të paguaj asgjë. Në këtë projekt-vendim që është çuar në Qeveri janë përcaktuar dhe të gjitha përfitimet, zbritjet apo kategoritë që përfitojnë nga ligji i ri i legalizimeve, procedura dhe përfitime të cilat për fat të keq dhe këto u përfolën shumë gjatë diskutimeve në Kuvend se gjoja do të ishin mashtrime të qeverisë. Pas disa ditësh dhe ky vendim do të hyjë në fuqi. Miratimi i këtij vendimi do të bëjë të mundur përllogaritjen e faturave të truallit sipas çmimeve të reja dhe pagesën e tyre nga qytetarët.
    Siç jeni në dijeni, pas riorganizimit të këtij institucioni, procesi i daljes së ekipeve tona në terren, rifilloi në 1 Mars të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe 4 mujore, ekipet tona kanë azhurnuar në terren 20.400 objekte dhe kanë përgatitur dokumentacionin e plotë për 17.100 prej tyre. Kujtojmë se PD-së iu deshën 8 vjet për të dhënë gjithsej 21800 leje legalizime, kjo është ajo që kemi bërë ne në katër muaj. E gjithë kjo masë qytetarësh tashmë pret edhe miratimin e VKM-së që përmenda më sipër për përllogaritjen e çmimit të truallit, për të përfunduar të gjithë procesin e legalizimit”, është shprehur Lamja.
    Ndërtimet pa leje para 2009-s
    ALUIZNI ka rihapur procesin e vetëdeklarimit për objektet e ndërtuara pa leje para vitit 2009. Drejtori i ALUIZNI-t, z. Lame, tha se qytetarët që nuk kanë aplikuar për legalizmin e objekteve informale, mund të tërheqin pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t formularin mbi bazën e të cilit do të priten kërkesat legalizime. “Ai që është i interesuar ose ka hyrë në procedurë në vitin 2006 dhe ndërkohë në këto tetë vjet shtëpinë njëkatëshe e ka bërë 3-katëshe, thjesht duhet të aplikojë për shtesën dhe ekipi do të shkojë në terren”, tha Lame. Për rastet kur nuk e gjykojnë emergjent vetëdeklarimin, drejtori i ALUIZNI-t thotë se tek qytetarët do të shkojnë vetë ekipet e ALUIZNI-t.
    Rreth 45 mijë dosje të dorëzuara nga qytetarët për të bërë legalizimin e banesave do të rishikohen dhe do të ribëhen matjet pasi janë të paplota. Deklarata u bë nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame.
    45 mijë dosje të paplota
    Ndërsa për 45 mijë dosjet e hapura nga vitet e kaluara për të cilat qytetarët kanë paguar faturat, por nuk është kryer asnjë veprim, Lame tha se nuk mund të jepet leja e legalizmit.
    “Për 45 mijë dosje nuk mund të bëhet legalizimi, pasi ose nuk janë të plota ose në to gjendet vetëm fatura e pagesës që ka bërë qytetari dhe asnjë lloj dokumenti tjetër. Nuk është bërë asnjë lloj matje”- sqaroi Lame. Më tej ai theksoi se qytetarët që kanë një dosje të tillë do paraqiten pranë zyrave të ALUIZNIT dhe do u ribëhen matjet pa paguar asnjë gjë shtesë. “Këto dosje do fillojnë nga fillimi. Mungesa totale e përgjegjshmërisë së qeverisë së shkuar sidomos në 2013 ku u thuhej paguani faturat për letrat. Shohim e bëjmë. U bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë dhe ta pranojnë këtë situatë. Do bëhen matjet.”- sqaroi Lame. Ai theksoi se për shkak të kërkesave të shumta për legalizime është krijuar fluks i madh në sportelet e ALUIZNIT dhe është miratuar shtim personeli.
    Më tej Lame u bëri apel qytetarëve që të drejtohen në sportele vetëm në raste urgjente ndërsa për legalizime normale të presin në banesat e tyre pasi do jetë ekipi i ALUIZNI-t që do të shkojë në çdo shtëpi të zonave informale.