Mjeku Ermal Kopo falsifikon raportin, gjykata dënon qytetarin e pafajshëm

    644
    Sigal

    Skandali në Sarandë/ Korrupsioni  i hapur në shëndetësi, gjykata dhe prokurori i padënuar

    Marrëzitë e mjekësisë dhe drejtësisë në kurriz të qytetarëve të pafajshëm nuk kanë fund. Ndodh që shëndetësia publike lëshon dokument të falsifikuar, mirëpo gjykata dhe prokuroria nuk duan të shikojnë falsitetin e dokumenteve shtetërore dhe me sy të verbër, dënojnë qytetarin e pafajshëm, duke i bërë sehir falsifikimit nga mjeku ligjor të raporteve false!

    Konflikt pronësie

    Marrëzia e radhës ka ndodhur më 22 janar 2015, në gjykatën e Sarandës, ku një gjykim mbi një konflikt pronësie, ka rënduar mbi palën pretenduese të truallit, pasi pala tjetër akuzon për dhunë fizike me një raport mjeko-ligjor, por që figuron i falsifikuar. Prej disa vitesh familja e Z.V është vendosur në fshatin Piqeras të Sarandës dhe ka për komshi, banorin autokton Harallamb Kaçi. Kryefamiljari Velaj pretendon për truall në rrethimin e Harallambit, i cili disponon të gjitha dokumentet e pronësisë në të gjitha sistemet politike të Shqipërisë. Pas shumë shantazhesh e presionesh mbi qytetarin Harallamb Kaçi, për t’i rrëmbyer pronësinë e zaptuar, Z. V., hap padi pranë gjykatës së Sarandës, me pretendimin se Harallambi 70 vjeçar, ish drejtori i shkollës së fshatit për vite me radhë, paska përdorur dhunën fizike ndaj bashkëshortes së tij V. V. Kjo akuzë e Z.V kundërshtohet edhe nga dëshmitarët e çastit, por  kjo dëshmi e tyre nuk është përfillur nga gjykata dhe prokuroria, e cila, edhe më parë ,ka pushuar çështjen me pretendimin se Harallambi ka pranuar se ka përdorur dhunë fizike ndaj Violetës, gjë që nuk ka ndodhur.

    Mjeku ligjor në Sarandë falsifikon raport mjekësor, për të dënuar qytetarin e pafajshëm

    Ermal Kopo, mjeku ligjor i spitalit të Sarandës, lëshon një raport mjekësor të falsifikuar, duke  dëshmuar që qytetarja Violeta Vela është keqtrajtuar me dhunë, në një kohë që në regjistrin e urgjencës të spitalit të Sarandës, nuk ka të shkruar asgjë e tillë. Kaq hapur falsifikimi i mjekut ligjor, Ermal Kopo, por më të verbër janë gjykata dhe prokuroria që nuk duan ta kuptojnë falsifikimin e raportit mjekësor.

    Ja zbardhja e dëshmisë mjeko-ligjore

    Në akt dëshminë mjeko-ligjore të mjekut Ermal Kopo “Mbi ekzaminimin e shtetases Violeta Vela” thuhet se “sot, më datën 16-08-2014, në spitalin “Petro Nako” të qytetit të Sarandës, me kërkesën e oficerit të policisë gjyqësore Gëzim Guga, në komisariatin e policisë Sarandë, bërë me vendimin e tij datë 16.08.2014, unë eksperti mjeko-ligjor Ermal Kopo, ekzaminova shtetasen Violeta Sejdi Vela, i datëlindjes 10.08.1959 me banim në Piqeras –Sarandë. Ekzaminimi kryhet për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të vendimit të mësipërm:

     1-Çfarë dëmtimesh konstatohen tek shtetasja Violeta vela?

     2-Me çfarë mjetesh janë shkaktuar këto dëmtime?

    3-Me çfarë kategorie futen këto dëmtime të shtetases Violeta Velaj?

    RRETHANAT E ÇËSHTJES

    Nga të dhënat e vendimit për ekspertim mjeko-ligjor, rezulton se më datë 16.08.2014, rreth orës 07:00, shtetasi Llambi Kaçi ka qëlluar me dërrasë shtetasen Violeta Velaj. Këqyrja objektive:  Nga vizita mjekësore e realizuar në urgjencën e spitalit “Petro Nako”, shtetasi Violeta Velaj referon për dhimbje të dorës së djathtë. Objektivisht konstatohet: Dermishtje në pjesën dorsale të dorës së djathtë, me formë të çrregullt me ngjyrë rozë me përmasa 2x1cm., dermishtje në pjesën e jashtme të parakrahut të dorës së majtë, me formë të çrregullt me ngjyrë të kuqe me përmasa 7×4 cm.

    KONKLUZION: Duke u mbështetur në të dhënat e mësipërme, arrijmë në përfundim se:

    1-Shtetasji Violeta Velaj u konstatua me dy dermishtje me karakteristikat e përshkruara më lart në akt.

     2-Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjete mbrojtës

    3-Këto dëmtime hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat sjellin për pasojë humbjen e aftësisë të përkohshme për punë me masën deri në 9(nëntë)ditë. Eksperti mjeko-ligjor Ermal Kopo- firma dhe vula!

    Falsifikimi nga mjeku ligjor i raportit

    Por, ky raport ka rezultuar në kundërshtim me rregulloren e brendshme të spitalit dhe urgjencës dhe të nenit 56 të Kodit të Procedurës Civile. Kjo vërtetohet nga kthim –përgjigjja e drejtorisë së spitalit avokatit Flamur Lazaj, ku thuhet: Drejtoria e shërbimit spitalor Sarandë,10.12.2014. Nr. prot 968 Drejtuar: Dhoma e Avokatisë Av. Flamur Lazaj, Lënda: Kthim përgjigje. Në përgjigje të shkresës suaj, të datës 27.11.2014 për konfirmimin e shtetases, zonjës Violeta Velaj, rezulton se shtetasja nuk është paraqitur në urgjencën e spitalit civil “Petro Nako” të Sarandës më datën 16.08.2014. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj!  Drejtori Arjan Kalcuni—firma dhe vula.

    Gjykata shpërfill falsifikimin, por dënon qytetarin e pafajshëm

     Përpos kësaj shkeljeje dhe falsifikimi të hapur e të konfirmuar zyrtarisht, nga mjeku ligjor i spitalit të Sarandës Ermal Kopo, është edhe shkelja që raporti nuk është shoqëruar me fotot e çastit, por këto pas tre muajsh dhe jo të identifikuara se kujt personi i përkasin. Megjithëkëtë, gjykata e Sarandës nuk i ka marrë parasysh këto shkelje ligjore dhe falsifikime nga mjeku ligjor i spitalit të Sarandës, por  ka vendosur të dënojë me 5.000 lekë të reja shtetasin Harallamb Kaçi.

    Jakup B. GJOÇA