Mehdi Pogaçi:E vërteta e votës së ushtarakëve në 23 Qershor dhe kandidatët

    385
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçi

    Ushtarakët tashmë e dinë se kë do të mbështesin në zgjedhjet e 23 Qershorit. Dhe zgjedhjen e tyre ushtarakët e kanë bërë duke u nisur nga disa arsye që kanë të bëjnë me trajtimin e kushteve të kësaj kategorie. Në lidhje me këtë dhe trajtimin e ushtarakëve ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë Mehdi Pogaçi. Sipas zotit Pogaçi, ushtarakët mund të kenë edhe kandidatin e tyre në zgjedhjet e 23 Qershorit.

     -Zoti Mehdi, aktualisht çfarë po bëhet me kategorinë e ushtarakëve në  lidhje me zgjedhjet e 23 Qershorit?

    -Zgjedhjet politike të 23 Qershorit po afrohen me shpejtësi. Jam i sigurt se është data e një ndryshimi të madh dhe të domosdoshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo ata ndodhen. Është tashmë një imperativ i kohës një rilindje e madhe, pas një tranzicioni kaotik mbi 20-vjeçar, ku në pikëpamje politike, por edhe ekonomike, nuk ka sjellë ndryshimin e pritur dhe të shpresuar nga të gjithë shqiptarët. Sot polarizimi midis të varfërve dhe të pasurve ka arritur pikun e vet dhe jemi dëshmitarë të dhjetëra apo qindra familjeve, të cilat nuk kanë as gjërat më elementare jetësore, ku qindra fëmijë, për shkak të varfërisë, por edhe për shkak të gjakmarrjes, janë të pashkolluar, të pangrënë, të veshur e të pa mbathur. Luli i vocërr i Migjenit të madh është rishfaqur dhimbshëm, kudo në vendin tonë. Pjesë e shtresave të varfra janë bërë tashmë edhe një pjesë e mirë e ushtarakëve në rezervë, të cilëve, në këto 8 vjet regjimi jodemokratik, u është ndryshuar legjislacioni dhe u është ulur masa e pagës së pjesshme, e cila, gabimisht, emërtohet si pension i parakohshëm, deri në masën e një pensioni minimal, duke u shpallur edhe debitorë. Durimi i ushtarakëve në këto vite ka qenë i tejskajshëm, por nuk mund të vazhdojë më tej. Për këto arsye, ushtarakët janë përgatitur të kontribuojnë në Rilindjen shqiptare, duke mbështetur, ndihmuar e votuar atë forcë politike, e cila, edhe në kushte të vështira, i ka trajtuar ushtarakët ekonomikisht e moralisht dhe ajo forcë është PS dhe Kryetari i saj, Edi Rama.

      -A keni piketuar ndonjë emër që mund të dalë si kandidat në zgjedhje dhe në cilën forcë do të jetë i përfshirë?

    -Lidhur me këtë pyetje mendoj se PS do të bëjë marrëveshje me Shoqatat e Ushtarakëve në Rezervë, organizatën e veteranëve të LANÇ, të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të LANÇ e më gjerë, për të maksimizuar votën e tyre, si aleatë të natyrshëm dhe të përhershëm të saj. Besoj se edhe emra e propozime konkrete mund të ketë në të ardhmen, për të ofruar figura dhe elemente me vlerat dhe cilësitë e nevojshme nga ushtarakët, punonjësit e policisë, të shërbimit informativ, të pasardhësve të veteranëve etj..

      -Një pjesë e mirë e ushtarakëve kanë vështirësi në marrjen e pensionit suplementar. Raste të tilla janë vërejtur nga një vëzhgim i bërë në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Si e komentoni këtë?

    -Është ky një problem që e kemi trajtuar vazhdimisht, sepse zbatimi i ligjit nr.10142 duhej të kishte përfunduar brenda vitit 2011, por ende ai nuk ka përfunduar. Ka mjaft vështirësi në trajtimin dhe marrjen e dokumentacioneve dhe fillimin në kohë të dhënies së pensioneve të pleqërisë, pensioneve suplementare dhe atyre të parakohshëm. Shesh herë botohen në shtypin e përditshëm lista me emrat e personave që marrin pensionin e rillogaritur, por shumicën e listave e përbëjnë ushtarakët në rezervë, të cilëve u ulet masa e pensionit dhe për këtë rillogaritja bëhet edhe pa paraqitur dokumentet përkatëse, ndërsa atyre që u rritet realisht pensioni i pleqërisë apo suplementi presin pambarimisht. Komenti im për këtë është se edhe dikasteret përkatëse punojnë me ngadalësi për gjetjen e dokumenteve dhe përgatitjen e certifikatave përkatëse, por ka të dhëna se kanë urdhër ”nga lart” për t’i vonuar.

     -Çfarë rruge duhet të ndjekin ushtarakët për të mos u zvarritur nëpër zyra pa arsye sipas tyre?

    -Rrugët janë të përcaktuara në ligj dhe në VKM-në përkatëse, por siç e thashë, zbatimi është në dorën, punën, gatishmërinë dhe ndërgjegjen e punonjësve që merren me këtë problem, duke filluar nga dikasteret përkatëse e deri të Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Rruga më e mirë do të jetë largimi nga pushteti i kësaj maxhorance, për të filluar  një punë të përgjegjshme për një trajtim më dinjitoz e më njerëzor të ushtarakëve, ashtu si dhe për të gjithë shtresat e tjera të popullsisë.