Besim Ndregjoni:Të përndjekurit nuk duhen vlerësuar vetëm me një dëmshpërblim

    506
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet sekretari i Përgjithshëm i Unionit të të Dënuarve Politik, Besim Ndregjoni

    Të përndjekurit politik edhe sot në demokraci janë më të persekutuarit. Madje, mund të themi se ata janë të përjashtuar nga jeta politike, thekson z.Besim Ndërgjoni dhe pse ata kanë pjesën më të madhe të votuesve. Në Shqipëri të dënuarit politikë kanë vuajtur dënime nga më të rëndat.

    -Si ka qenë monizmi në Shqipëri në dënimet ndaj të përndjekurve politikë?

    -Më i egri. Në Gjermaninë Lindore asnjë komunist  nuk është  vrarë dhe pushkatuar gjatë regjimit komunist. Kishte vetëm dënime. Pas rënies së komunizmit dita dhe nata në Gjermani u njiheshin si ditë burgu. N.q.s ishe dënuar me 10 vjet ajo kryhej 5 vjet. Të llogarisësh sa vite burg ka bërë Sami Dangllia që është i burgosuri më i madh në Shqipëri çuditesh. Pra ai është i burgosuri politik shqiptar që ka  bërë më shumë vite burg. Ai ka bërë 40 vite burg. Është futur në burg që në vitin 1945 dhe ka vdekur në burg. Sami Dangllia ka qenë me arsim të mesëm, por ka qenë një aktivist i rinisë balliste. Mbas Sami Dangllisë është Hasan Dida i Kukësit me 39.5 vjet dhe e shoqja e tij 10 vjet dhe i biri 15 vjet. Pastaj vjen Haxhi Mekolli i Korçës që ka bërë 36 vjet. Osman Kazazi që ka bërë burg dhe internim  36 vjet. Petrit Vela i Vlorës që ka bërë burg dhe internim 36 vjet. Ilia Tereska me 34 vjet. Mersin Vlashja që ka ngritur flamurin në Spaç, që ka bërë shqiponjën me gjak në çarçafin e bardhë me 33 vjet. Pjetër Abnori me 28 vjet burg Dhori Gerjoti me 25 vjet burg. Pastaj me  24 dhe  25 vjeç ka shumë që janë këto priftërinjtë me radhë. At’ Zef Luli ka bërë 25 vjet. Napolon Koleci nga Kolonja që ka bërë 27 vjet burg. Mbas daljes ky doli u martua dhe bëri tre fëmijë. Vdiq vetë dhe i vdiq edhe e shoqja dhe i ngelën të tre fëmijët jetimë.

     -Cilat janë problemet e sotme të politikës shqiptare ndaj ish të persekutuarve?

    -Problemet kryesore të politikës së sotme në radhë të parë është  heshtja, që është një nga krimet më të mëdha që bëhet. Është heshtja ndaj krimit komunist. Klasat  politike mbas 23 vjetësh kanë zgjedhur një armë shumë  të rrezikshme për shoqërisë siç është heshtja ndaj krimeve të komunizmit. .Sot shoqëria ushqehet me ndjenjën ku  përbuzet krimi ndaj viktimave. Problemi kryesor është s e këtu po punohet në mënyrën më ekstreme që të  fshijmë historinë e krimit komunist dhe ta paraqesim jo më si diktaturë komuniste regjim komunist, por një  sistem autoritar që ka bërë disa  gabime. Kjo është problemi më  madhor ndaj shoqërisë. Janë 4105 qytetarë që janë vrarë me gjyq apo  pa gjyq ku familjet e tyre kanë 23 që i kërkojnë dhe nuk i gjejnë dot varret. Ka vetëm  heshtje nga shteti shqiptar dhe shoqëria  shqiptare. Është vendosur një mur bllokues dhe kriminal. N.q.s sot janë 20 mijë trashëgimtarë  të  arsimuar nga ish të përndjekurit, në institucionet shtetërore nuk janë  as 2%  e këtyre dhe në parlament nuk bëhet fjalë të ketë ndonjë.

    Sa votues zënë të përndjekurit politik?

    -Të përndjekurit politikë kanë 40 % votues dhe nga këta votues, a ka të drejtë një forcë politike t’i fusë në pushtet?! Nga statistikat që kam unë 100 mijë familjarë të ish përndjekurve politikë janë ish kulakë, armiq të popullit, të internuar, të burgosur dhe të dëbuar. i bie të jenë rreth 400 mijë votues dhe përbëjnë 40% e votuesve shqiptarë. Në 2009-n të përndjekurit politikë  heshtën dhe nuk votuan. Unë me të përndjekurit politikë i kam bërë thirrje Sali Berishës, i kam thënë që të kandidojë ish të përndjekurit politikë.

    Unë shpresoj shumë në zgjedhjet e 2013-s që votuesit shqiptarë të jenë në lartësinë e duhur siç qenë votuesit italianë, duke i dëbuar 2 fuqitë e mëdha politike PS dhe PD.

    -Si e shpjegon këtë politikë të  Berishës ndaj të ish-të përndjekurve?

    -Berisha dhe e gjithë klasa politike janë produkt i një regjimi që ka kaluar. Në Shqipëri nuk pati një forcë të majtë dhe të djathtë reale. Ndërsa partia socialiste ndryshoi emrin dhe tjetra PD ndryshoi ngjyrën e kostumit. Edhe kur votohen në organet kushtetuese dy partitë bien dakord n.q.s është pjesë e bllokut komunist. Po nuk qe pjese e bllokut komunist nuk e voton kush. Sot duhet të kesh suportin komunist që të bëhesh deputet, gjyqtar, prokuror. Këta vetëm bërtasin poshtë komunizmi dhe nuk e dënojnë komunizmin. Këta nuk kanë dënuar krimet e regjimit. Krimet nuk dënohen me demagogji duke thënë  poshtë Enver Hoxha. Është i vetmi diktator në Evropë që gëzon titullin Hero i Popullit.

    -Përse të përndjekurit nuk kanë krijuar  një parti të tyre?

    -Në Shqipëri është ndjekur një strategji e Ramiz e Alisë dhe e Gorbaçovit që klasa e të përndjekurve të jetë, me trysninë  e përçarjes, konfliktit dhe kjo trysni ka 23 vjet që vazhdon. Përbërja heterogjene e të përndjekurve politik është që nga nacionalistët që u vranë me armë në  dorë kundër armiqve  nëpër male dhe deri tek bllokmenët që filluan të dënohen. Sot media po flet çdo ditë që ndjekja politike fillon në vitin 1975 me Fatos Lubonjën. Përndjekja politike filloi të ashpërsohet nga vitet 1975. Flitet edhe për vrasjet e Mehmet Shehut apo Kadri Hazbiut, por nuk flitet për krimet që kanë bërë këta kur kanë qenë në pushtet.