Martin Cukalla: “Në minierat e Bulqizës duhet një reformë e thellë, ja shkaktarët e situatës katastrofike”

    386
    Sigal

    INTERVISTA/Flet inxhinieri i minierave Dr. Martin Cukalla, për problemet aktuale

      “Bulqiza edhe pse zotëron nëntokë me pasuri që ia lakmon çdo vend në botë, ka jetë ekstremisht të varfër me të gjithë tiparet e saj. Gra dhe fëmijë që mbledhin krom në stoqe dhe ndodh edhe që vriten atje për vetëm 3lekë/kg, kur ai eksportohet 20X më shumë” kështu shprehet për situatën në Bulqizë, duke folur në një intervistë për “Telegraf”, Martin Cukalla. Sipas zotit Cukalla, edhe problemet e krijuara kohët e fundit me mosdhënien e pagesave janë shumë të rënda dhe situata në të cilat punojnë minatorët është mjaft e rëndë. Për situatën e vështirë që është krijuar është përgjegjës edhe shteti.

     -Zoti Cukalla, në minierat e Bulqizës janë kthyer sërish protestat para pak ditësh. Si e shikoni situatën dhe përse po ndodhin këto?

    -Është një situatë e rëndë. Që minatorët të mos marrin edhe atë pagesë modeste me të cilën mbajnë në këmbë shëndetin e tyre e të fëmijëve të tyre, është dramatike dhe e pafalshme! Ata njerëz kanë sakrifikuar përditë, jo thjesht duke ikur nga vatra e ngrohtë e familjes për disa orë e për të punuar diku në diell a në shi, në të ftohtë a në vapë. Ata njerëz përditë kanë vënë në rrezik jetën e tyre në një luftë të pabarabartë me terrin e  nëntokës dhe kompleksitetin e forcave të ftohta joracionale të shkëmbit. Dhe kjo për të vijuar të rrojnë në këtë botë të ashpër,  për të mbajtur familjet dhe për të rritur fëmijët, me shpresë se nesër do të bëhet më mirë. Të mos u japësh rrogën këtyre njerëzve, tua vonosh atë disa ditë apo disa muaj, nuk është thjesht një mungesë respekti pa cak për djersën dhe mundin e tyre, por një atentat që i bëhet jetës së tyre e të familjeve të tyre drejtpërdrejt. Kjo frazë nuk është hiperbole, është një realitet i hidhur, i gjallë dhe që të revolton edhe kur je një spektator i largët si puna ime, jo më aty në Bulqizë. Një minator merr diku tek 600 USD në muaj dhe natyrisht që nuk i mbetet asgjë në fund të muajit. Me çfarë ta shtyjë jetën? Çfarë t’i thotë vështrimit të uritur të fëmijëve të tij? Si t’i përgjigjet lotit të mjerimit në sytë e gruas së vet?

     -Mosdhënia e pagesës sipas informacioneve është bërë nga firma “TUR ALBA”, çfarë arsyesh ka dhënë ajo për këto vonesa minatorëve?

    -Nuk i di “arsyet”, siç i quani ju, që ka paraqitur subjekti për vonesat e pagës së minatorëve. Cilatdo qofshin ato, kriza e kromit a ndonjë problem nënkontraktor, nuk mund të justifikojnë në asnjë rrethanë heqjen e kafshatës së bukës në familjet e minatorëve. Paga e minatorëve nuk është thjesht një element që shkelet në një kontratë: minatori ka dalë në treg dhe shet punën e vet si një fshatar qumështin e lopës që mban në haur! Jo. Ai vë në rrezik qenien e tij në çdo kg. krom që nxjerr! Nga ana tjetër ai nuk ka asnjë burim tjetër jetese. Kemi të bëjmë me një vend që ngrihet mbi pasuri dhe jeton një jetë ekstremisht të varfër…

     -Thate “ekstremisht të varfër!”, mos e keni teprim?

    -Aspak, për fat të keq! Bulqiza edhe pse zotëron nëntokë me pasuri që ia lakmon çdo vend në botë, ka jetë ekstremisht të varfër me të gjithë tiparet e saj. Gra dhe fëmijë që mbledhin krom në stoqe dhe ndodh edhe që vriten atje për vetëm 3lekë/kg, kur ai eksportohet 20X më shumë. Pensionistë që edhe kur marrin maksimalisht 23000 l/muaj blejnë mallra të konsumit të përditshëm si bukë, fasule, presh, gjizë… më pak se në kohën e regjimit komunist. Kjo se pensioni është rritur vërtet 32X, por çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm janë rritur mbi 50X. Nuk e kam teprim, sepse në se unë do të dua të vete në një shtëpi pleqsh, dhe unë marr pension maksimal, mund të paguaj vetëm për tre javë, ndërsa javën e katërt duhet të fle nën urën e Lanës! Nuk  e kam teprim, sepse me pensionin mujor që merrte minatori në ato vite mund të paguante gati 9 muaj qira+ujë+drita, sot mund të paguajë vetëm 2 muaj! Dhe e kam fjalën për banim atje në Bulqizë e jo këtu në Tiranë. Ky është një fakt i jetës ekstremisht të varfër. Po fusha që është bërë kënetë, po galeritë që ruhen me kallash, po fakti që dikush shiti shtëpinë për të marrë një licencë për të jetuar më mirë i dhanë një galeri, ku nuk ka mineral e as ka pasur kurrë mineral, po dyqanet e mbushur me lista të debitorëve…Duhet ta shohim të vërtetën në sy, ta analizojmë atë qetësisht dhe jo nën topat e tamburatë shurdhues e verbues të politikës që është fajtorja e parë e kësaj varfërie ekstreme!

     -Si paraqitet situata aktualisht në miniera, a janë vënë re përmirësime të kushteve?

    -Kjo pyetje kërkon një analizë të plotë sepse në ekonominë e tregut është zhvilluar prodhimi minerar ndryshe nga ai që u trashëgua nga regjimi i ekonomisë së centralizuar. Në minierat e kromit të Bulqizës për të cilat bëhet fjalë, kushtet janë përkeqësuar. Janë përkeqësuar kushtet natyrore sepse diku shfrytëzimi është futur në ato që ne i quajmë “thellësi kritike”, diku tjetër merren kolonat e lëna dikur për mbrojtje të sipërfaqes e të punimeve minerare kapitale e që i kanë të shtuar rreziqet, ndërsa masat që kërkojnë natyrisht shpenzime, janë ulur. Kjo të shpie në përfundimin se kushtet e punës përgjithësisht janë më të këqija e rreziqet për jetën e njerëzve më të larta. Kjo reflekton edhe në aksidentet e shtuara me herë, në se i referohemi krahasimeve për 1000 punëtorë apo për 100 mijë ton prodhim.

      -Më parë ACR-ja u akuzua për moskryerje të investimeve dhe çështje të tjera, edhe tani që i kanë marrë me koncesion minierat firma të tjera sërish ka pakënaqësi. Sipas jush, ku qëndron problemi?

    -Me sa shoh deri tani, kalimi i koncesionit nga ACR-ja tek një shqiptar ka vetëm një anë pozitive: Minerali i kromit është një pasuri e papërtëritshme. Çdo pasuri e papërtëritshme duhet t’u shërbejë dy qëllimeve, nga njëra anë me fitimet që jep të kthehet në kapital të përtëritshëm për vendin, nga ana tjetër me pagën e minatorëve t’u mundësojë atyre të ngrenë një jetesë tjetër cilësisht më të mirë për vete e për fëmijët. Tani fitmet do mbeten në vendin tonë. A do kthehen në kapital të përtëritshëm? Nuk e di. Minatorët vijojnë me të njëjtin vlerësim për punën e tyre, vlerësim që nuk u plotëson as nevojat bazë të jetesës, lere më të mendojnë për cilësi më të mirë jete. Edhe problemet e tjera që lidhen me frontet e punës, si gjendja ashtu edhe perspektiva për nesër e më gjatë e që janë produkt i investimeve të pakryera nga ACR, ende nuk kanë filluar të vihen në udhëzgjidhje. Në fakt në skenën e kromit të Bulqizës lëvizin po ato figura që mbështetën “Darfo”-n dhe transferimin e koncesionit tek ACR-a. A do të ndryshojë diçka për mirë? Nuk përgjigjem dot. Në Bulqizë vijon po ajo situatë e zymtë.

      -Sa përgjegjëse është qeveria për situatën e rënduar që është krijuar në miniera sot?

    -Në sa thashë qeveria është përgjegjësja kryesore, ajo ka përgjegjësitë e veta të drejtpërdrejta e tërthore. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë moszbatimi i grafikut të investimeve nga ACR-ja, niveli i pensioneve, puna për mbijetesë e fëmijëve, katrahura me lejet e shfrytëzimit, paga e papranueshme e minatorëve dhe gjendja e rënduar e kushteve të mjera të jetesës e të punës së tyre.

    Masat që duhen marrë për përmirësimin e kushteve

    -Dhe kjo pyetje del përtej mundësive të një përgjigje për këtë intervistë. Kushtet normale të punës e jetesës për minatorët janë elementi thelbësor i projektit tekniko-ekonomik për një minierë. Bulqiza ka qenë një minierë. Aty për  rreth kishte dhe tre-katër miniera të tjera. Sot shfrytëzojnë e kërkojnë të fitojnë mbi 150 subjekte. A mund të priten modernizim i tyre për kushtet e punës e pagat në miniera që japin 200 ton krom në vit? Vet pronari fiton në këtë rast jo më shumë se 2000 USD në muaj. Ky është njëri problem dhe jo më i rëndësishmi. Shoferi që transporton kromin për Durrës merr dy herë më shumë se sa ky pronar, ndërsa shpenzimet portuale i shkojnë këtij pronari sa shpërblimi që merr për vete. Etj.. etj..  Është një reformë e terë që duhet të përfshijë licencat dhe detyrimet e hallkave të ndryshme që merren me kromin, infrastrukturën dhe shtetin, statusin e minatorit dhe sindikatat, investime për të shtuar frontet e punës dhe një koncept të ri shfrytëzimi për kromin.