Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi

928
Sigal

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Komuna e Bujanocit nënshkruan sot, datë 19 prill 2013 marrëveshjen e bashkëpunimit, duke krijuar kështu një marrëdhënie të re partneriteti. Në takimin e organizuar në Tiranë nga Dhoma e Tregtisë Industrisë Tirane, ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit nga krahina e Bujanocit dhe biznese anëtare të Dhomës, angazhimi i palëve në rritjen e shkëmbimit tregtar tashmë merr një dimension të ri. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, u shpreh se, kjo marrëveshje është një hap më shumë në rritjen e bashkëpunimit mes palëve. “Nënshkrimi i marrëveshjes së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë me Komunën e Bujanocit, jo vetëm e formalizon marrëdhënien, por e vendos atë në kushte të reja në partneritet apo bashkëpunim të ndërsjellë”, u shpreh Jaka në fjalën e tij. Sipas zotit Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është shprehur e gatshme të afrojë të gjithë burimet e saj njerëzore, në mënyrë që për sipërmarrjen e kësaj zone apo për banorët e saj të krijojë të gjithë lehtësitë e mundshme, që të kenë një derë të hapur në vendin tonë. “Ajo që ne ju premtojmë sipërmarrësve të kësaj zone, është lënia hapur e pjesëmarrjes në panairet që Dhoma e Tiranës organizon, duke ju dhënë kështu një mundësi të vendosjes së kontaktit të drejtpërdrejtë me kompanitë shqiptare”, u shpreh ai duke shtuar se një tjetër mundësi është “pjesëmarrja në trajnime apo workshope që organizon institucioni ynë, do të jenë një alternativë tjetër e hapur për sipërmarrësit e kësaj zone, pasi ne besojmë se kualiteti i burimeve njerëzore është garanti i suksesit”. Në fjalën e tij, kreu i Dhomës falënderoi miqtë e këtij institucioni që janë afruar me kontributin në dhënie bursash nga universitete private, kompjutera, apo një set librash të gazetarisë afruar nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Kryetari i Komunës së Bujanocit,  Nagip Arifi, tha se, për bizneset shqiptare në Serbi është shumë e rëndësishme mbështetja dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare. Duke e vlerësuar këtë moment si të rëndësishëm për banorët e zonës që ai drejton, Arifi cilësoi gjithashtu se, “takimi i sotëm është një vlerë e çmuar dhënia e ndihmës për studentët”. Aleksandër Cipa i Unionit të gazetarëve në fjalën e tij kërkoi një bashkëpunim nga mediumet e kësaj zone që të bëhen pjesë e rrjetit të gjerë të gazetarëve. Në takim merrnin pjesë sipërmarrës të shumtë nga të dy vendet, të cilët biseduan mbi mundësitë reciproke që ofrojnë tregjet e të dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit mes palësh.