Liria e medias, për një shoqëri të përgjegjshme

    366
    Sigal

    Liria e medias ka qenë dhe do të mbetet impakti kryesor për të krijuar një shoqëri të përgjegjshme. Informacioni që ka, dhe siguron, media është pushteti i saj. Gazetari amerikan i viteve ’80, Johan Xhuster, ka thënë se: “vetëm pak njerëz mund të përballojnë jetesën, dhe t’u kërkojnë llogari qeverive të  tyre”. Kjo, pasi qytetarët kanë nevojë për lajme të sakta, në kohë, të vërteta, të pavarura, pasi vetëm  atyre u besojnë. Po e njëjta gjë mund të thuhet për bizneset dhe qeveritë. Liria e medias i mban shoqëritë dhe ekonomitë e vendeve energjike dhe të shëndetshme. Është konstatuar se, gjithmonë kur  ndërpritet rrjedha e lirë e lajmeve dhe informacionit, individët dhe shoqëritë kanë pasoja, kurse  ekonomitë e tyre vuajnë pasoja. Por gjithsesi teksa mbarë bota përkujtoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kërcënimet kundër gazetarëve sa vijnë e  rriten. Deri vitin e kaluar Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve numëronte 179 gazetarë në burgje anekënd botës. Sot akoma gazetarët vazhdojnë të kërcënohen, të sulmohen, të zhduken, të vriten sepse përpiqen të raportojnë lajmet. Gjatë vitit të kaluar bota ishte dëshmitare si e premtimit, ashtu edhe rrezikut ndaj një shtypi të lirë. Kudo në botë, në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut, Azi, ish-Republikat Sovjetike, gazetarët, blogerat, regjisorët dhe analistët u bënë kronikanë të protestave që rrokën të gjithë botën ndërkohë që disa qytetarë, të armatosur me asgjë tjetër veç telefonave të tyre celularë, rrezikuan jetën për të transmetuar të vërtetën  me rrjetet sociale. Me këtë mision ata realisht ushtrojnë një liri themelore të shenjtëruar në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila thotë se: “kushdo ka të drejtën ndaj lirisë së mendimit dhe shprehjes, kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur mendime pa ndërhyrje prej ndokujt si dhe për të kërkuar, marrë dhe përcjellë informacion dhe ide nëpërmjet çfarëdolloj media dhe pavarësisht prej kufijve”. Por pavarësisht kësaj, shumë qeveri përpiqen, dhe realisht, censurojnë median, drejtpërdrejt  apo tërthorazi, dhe qindra gazetarëve investigues u mbyllet goja, shumëve prej tyre sepse ekspozojnë  korrupsionin në nivele të qeverisjes vendore, qendrore etj. Me qindra sulme, e vrasje ndaj gazetarëve  kanë mbetur pa ndëshkuar, pa fajtor. Në Shqipëri kjo situatë ka qenë e dyzuar, pasi  ana  pozitive ishte miratimi legjislacionit të rëndësishëm për shpifjen. Ky ishte një hap i vërtetë përpara, megjithatë,  raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Të Drejtat e Njeriut, evidentonte shumë fusha që kanë nevojë për përmirësim, duke theksuar se “media ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar  megjithatë, kishte raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi median, përfshirë  kërcënime ndaj gazetarëve. Në disa raste presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e shkruar të pavarur dhe gazetarët raportuan se  kishin ushtruar gjerësisht vetëcensurën”. Raporti vazhdon se “ndaj gazetarëve kanë vazhduar forma të ndryshme të kanosjes, gazetarët vazhduan të ankoheshin se botuesit dhe redaktorët censuronin punën e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në përgjigje të presioneve politike, apo të biznesit. Shumë gazetarë u ankuan se, mungesa e kontratave të punës  për ata shpesh pengonte mundësinë e tyre për të raportuar në mënyrë objektive. Të gjithë aktorët, duke nisur nga Parlamenti shqiptar, organizatat e medias, si dhe vetë gazetarët, duhet të ecin përpara me  përpjekje të përbashkët për të kryer ndryshimet që do të çojnë përpara lirinë e medias në Shqipëri. E ardhmja e Shqipërisë në BE, varet nga një media e pavarur. Ka pasur raste të shumta në botë ku nuk janë vetëm qeveritë që sulmojnë dhe kërcënojnë gazetarët, por edhe kriminelët, trafikantët e drogës terroristët etj. Kur gazetarët kërcënohen, sulmohen, burgosen, apo zhduken, gazetarët e tjerë vetëcensurohen, nuk raportojnë më lajmet  reale. Ata ulin tonet dhe fshehin hollësitë e tyre, kurse redaksitë hezitojnë të botojnë shkrime me fakte tronditëse. Në raste të tilla, zërin e të vërtetës e zë paniku, frika. Të gjitha shoqatat e gazetarëve, duhet  t’u bëjnë thirrje të gjitha qeverive që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të krijuar hapësirë që gazetarët të bëjnë punën e tyre pa dhunë e  presione. Një shoqëri e hapur dhe e lirë ka nevojë për një media të lirë, pasi e kundërta sjell gradualisht  diktaturën.