Lekë Hajdari& Simon Miraka: Brenda gushtit pritet dëmshpërblimi për të pushkatuarit pa gjyq

    463
    Sigal

    Pritet të fillojë së shpejti dëmshpërblimi për herë të parë për kategorinë të pushkatuar pa gjyq

    Kategoria e të pushkatuarve pa gjyq, pritet që së shpejti të marrë masën e dëmshpërblimit që i takon. Dritën jeshile për këtë kategori e hapi Ministria e Drejtësisë pak ditë më parë, e cila bëri të ditur që brenda muajit korrik do të mbarojë trajtimi i dosjeve për këtë kategori. Ndërkohë që më shumë detaje në lidhje me fillimin e dëmshpërblimit për këtë kategori ka dhënë në një prononcim për “Telegraf” përgjegjësi i Sektorit të Pagesave për ish të dënuarit politikë, Lekë Hajdari. Ai është shprehur: “Shpresojmë që në muajin gusht të fillojë shpërndarja, por po e theksoj që kjo do bëhet nëse del vendimi i ri i Këshillit të Ministrave, pra ne jemi të gatshëm për të filluar, por kushtëzohet nga Këshilli i Ministrave, është ai autoriteti që e përcakton dëmshpërblimin dhe numrin e përfituesve”. Ndëkrohë që, sipas zotit Hajdari, një gjë pozitive për kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq është miratimi si i mirëqënë i vendimit të komisionit trepalësh. “Krahas atyre problemeve që janë trajtuar sistematikisht, është një gjë e mirë që u miratua nga qeveria vendimi i komisionit trepalësh që quhet dokument zyrtar, për efekt të vërtetimit të dënimit të pushkatuarve pa gjyq. Të gjithë ata që kanë këtë dokument duhet t’i përshpejtojnë veprimet për t’i dërguar ato sa më parë në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim për t’i  përfunduar ato sa më parë. Shpërndarja ka filluar, por shpërndarja fillon atëherë kur të vijnë dokumentet”, ka shtuar zoti Hajdari. Që një person të paguhet nga sektori i pagesave, sipas zotit Hajdari, duhet që më parë të miratohet vendimi nga Këshilli i Ministrave. Por shpërndarja fillon atëherë kur të vijnë dokumentet. Aktualisht nuk ka shkuar akoma një  kontigjent i tillë nga Këshilli i Ministrave në sektorin e pagesave. “Ne duke qenë auitoritete përgjegjëse për shpërndarjen e dëmshpërblimit, ne akoma nuk kemi të dhëna në numra se sa mund të jetë numri i përfituesve. Duhet të dimë që autoriteti që shqyrton kërkesat është Ministria e Drejtësisë dhe autoriteti që përcakton përfituesit dhe masën e dëmshpërblimit është Këshilli i Ministrave, ne jemi autoriteti që bëjmë shpërndarjen”, shtoi zoti Hajdari, në lidhje me kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq.

    Ministria e Drejtësisë: Në korrik do të përfundojë trajtimi i kërkesave për kategorinë vrasje pa gjyq

    Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se: “Trajtimi i kërkesave për të vrarët pa gjyq për ish të dënuarit politikë do të përmbyllet brenda këtij muaji. Një lajm i tillë është bërë publik nga Sektori i ish të Përndjekurve Politikë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sektori i ish të Përndjekurve Politikë në Ministrinë e Drejtësisë do të përfundojë po ashtu edhe ndryshimet e korrigjimet në 22 listat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Një lajm të tillë e ka bërë të ditur Drejtoresha e Kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Enkeledi Hajro. Ajo ndër të tjera ka theksuar se: “Aktualisht brenda këtij muaji presim që të kalojë një vendim i Këshillit të Ministrave, ku akordon vetëm shpërblimet për familjarët e të përndjekurve që janë pushkatuar pa gjyq”. Sipas të dhënave zyrtare, bëhet fjalë për rreth 2000 kërkesa që i përkasin kategorisë së viktimave të pushkatuara padrejtësisht, pa gjyqë gjatë regjimit komunist. Nga ana tjetër, sipas saj, do të përmirësohen e korrigjohen edhe gabime materiale në lista të mëparshme të ish të përndjekurve, në mënyrë që procesi të mbyllet nga ana ligjore.

    Rastet e dosjeve me mangësi

    Ndonëse vazhdon procedura e dorëzimit të dosjeve për të përfituar dëmshpërblim, për të gjithë ata persona që kanë kryer vite burgu ose të pushkatuarit pa gjyq, disa prej dokumentacioneve në dosjet e këtyre personave nuk rezultojnë të rregullta. Lidhur me këtë problem, ka dhënë një prononcim për gazetën “Telegraf”, Përgjegjësi i Sektorit të Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë, Lekë Hajdari, i cili bën me dije se është rritur numri i dosjeve me probleme. Zoti Hajdari është shprehur se “në këto dosje mungojnë dokumente të tilla si; akti i trashëgimisë apo certifikatat e vdekjes të ish-të dënuarve. Nëse këto dosje nuk rikuperohen në kohë, askujt prej personave të listuar më poshtë nuk i lind e drejta për të marrë dëmshpërblim financiar”. Dosjet me mangësi janë dosje në të cilat janë postuar dokumente të fotokopjuara, të panoterizuara, me certifikata të fotokopjuara (këto nuk kanë vlerë pa u noterizuar), me numra llogarie të hapura në monedhë të huaj (edhe kjo është e papranueshme për ne). Gjithashtu, dosjet me mangësi mund të jenë edhe ato ku mungojnë mjetet e identifikimit të personave që do të tërheqin paratë. Të gjithë personat që kanë depozituar dokumentacionet për të përfituar dëmshpërblim financiar, për shkak të viteve të burgut gjatë regjimit komunist, duhet të veprojnë në përputhje me nenin 14, nr. ligjit 19831. Nëse një i interesuar ka depozituar dosjen pranë zyrave të drejtorisë së pagesave për ish të përndjekurit politikë ose me anë të postës, brenda saj duhet të ketë, bashkëngjitur me dokumentacionet, numrin e vendimit të Këshillit të Ministrave, ku është i listuar personi për pagesë, numrin e dosjeve individuale dhe një numër telefoni të njërit prej personave të interesuar.

    Dorëzimi i dokumentacioneve

    Dokumentacionet mund të dorëzohen nga familjarët pranë Drejtorisë së Pagesave për ish të përndjekurit politikë çdo të martë dhe të enjte.

     Simon Miraka: Procedurat dhe kriteret për dëmshpërblimin e  të pushkatuarëve pa gjyq

    Kryetari i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë Simon Miraka, në një prononcim për “Telegraf” sqaron kategoritë që do të përfitojnë për të pushkatuarit pa gjyq dhe kriteret që duhet të plotësohen për të marrë dëmshpërblimin. Zoti Miraka është shprehur në lidhje me njoftimin e disa ditëve më parë të Ministrisë së Drejtësisë për trajtimin e kërkesave për kategorinë vrasje pa gjyq se: “Unë di që brenda muajit korrik do të dalin listat për të pushkatuarit pa gjyq, sigurisht do të dalin listat për një numër të konsiderueshëm me të pushkatuarit pa gjyq që i përfshin ligji dhe që plotësojnë kriteret. Pra ata që plotësojnë kriteret janë ata të pushkatuar pa gjyq që përfshihen nga data 30 nëntor 1944-1991”. Sipas tij, një kriter tjetër është që duhet të jetë vrajse politike, pra duhet të ketë një akt administrativ që duhet të dalë nga dikasteret që i përfshin ligji si: Ministria e Brendshme, Arkivi i Shtetit, Shërbimi informativ, apo edhe nga Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes. Në rast se vjen një përgjigje që është vrasje politike, atëherë i afërmi i të pushkatuarit do të shpërblehet sipas ligjit me shumën 20 mijë lekë të vjetra. Ai ka shtuar se “Në këtë rast ka ardhur në ndihmë edhe një vendim i Këshillit të Ministrave, për të vërtetuar vrasjet politike, për të marrë në konsideratë vërtetimet e komisionit trepalësh, komision i cili është krijuar në vitin 1993. Kush ka një dokument nga familjarët e viktimave të komisionit trepalësh dhe që vërteton vrasjet politike atëherë do të dëmshpërblehet sipas ligjit”. Ndërsa për vonesat e shpërndarjes së dëmshpërblimeve ai ka shtuar se “Unë e kam theksuar dhe po e theksoj përsëri që edhe sikur sot ti marrin dëmshpërblimet është tepër vonë. Por duke marrë parasysh kushtet që jemi, atëherë do të thosha që është bërë një punë e mirë”.