Nuk zbatohet projekti për punimet në unazën e plazhit

971
Sigal

DURRËS/ Pas tre vjetësh ende nuk është ndërtuar asnjë prej 4 rreth-rrotullimeve dhe mbikalimeve të prezantuara në këtë segment

Tre vjet nga nisja e punimeve në unazën e plazhit në Durrës, situata është akoma e paqartë. Punimet nuk kanë përfunduar, ndërsa nuk është ndërtuar asnjë prej 4 rreth rrotullimeve e mbikalimeve të projektit. Ky segment fillon nga mbikalimi i autostradës Tiranë-Durrës, në Shkozet dhe përfundon në mbikalimin e plepave. Këtë sezon vere, ky segment rrugor, shfaq probleme madhore si mungesa e mbikalimeve apo nënkalimeve, për të lëvizur një komunitet prej rreth 100 mijë banorësh, që presin mbylljen e punimeve. Banorët na thonë se para pak ditësh këtë shqetësim ja kanë përcjellë edhe ministrit  të Transporteve, i cili inspektoi punimet, por që nuk pranoi mediat gjatë inspektimit të tyre.

Problematika

Të qarkullosh në segmentin që lidh Shkozetin e Plazhin, rrugë e cila ndan në dy pjesë banorët e kësaj zone, midis kodrës së Arapajt dhe Plazhit të madh është një peripeci e madhe. Vëren se punimet  zvarriten tre vjet nga nisja e tyre dhe janë shqetësimi më i madh i shoferëve dhe banorëve, të cilët në prag të sezonit veror gjenden pa zgjidhje rrugë kalimi. Faza e parë e punimeve që vijon aktualisht përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypass-it të Shkozetit, me gjatësi 5 kilometër dhe gjerësi 35.5 metër, me brez të gjelbër ndarës, trotuare si dhe rrugë paralele shërbimi në të dy anët kalojnë në një zonë me densitet shumë të lartë informal. Por këto punime janë shoqëruar me vonesa në zbatimin e projektit, sepse asgjë nga punimet e planifikuara nuk është bërë.

Banorët

Banorët shprehin shqetësimin në emër të një komuniteti prej rreth 100 mijë banorësh që nga ndërtimi i rrugës izolohen në mungesë të mbikalimeve dhe nënkalimeve. Ata shprehen se “mungesa e rreth-rrotullimeve ka bllokuar qarkullimin e tyre, për të dalë në rrugën nacionale, kalimi i banorëve dhe makinave është tejet i rrezikshëm dhe shpesh herë kanë ndodhur aksidente rrugore pikërisht për mungesën e mbikalimeve. Siguria në këtë rrugë është zero, në çdo moment mund të ndodhin aksidente rrugore, ndërsa punimet janë zvarritur për tre vjet me radhë”. Zgjerimi i unazës Shkozet – Plazh, ka bërë që shumë ndërtesa të ngritura anës rrugës të shembeshin për t’i hapur rrugë këtij investimi. Një pjesë e këtyre ndërtimeve kanë qenë në tokë shtetërore, një pjesë tjetër kanë përfituar nga ligji i legalizimit, madje shumë pronarë të këtyre shtëpive kanë paguar edhe detyrimet për legalizimin e tyre pas kërkesave të vazhdueshme nga Agjencia e Legalizimit në Durrës.