Fatmir Vejsiu: Si të shmangni gabimet në plotësimin e Formularit A2

523
Sigal

Procedurat që duhen ndjekur nga maturantët sipas MASH për plotësimin e A2-it

Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, ka bërë të ditur në një prononcim për “Telegraf” pikat më rë rëndësishme që nuk duhet të gabojnë maturantët në plotësimin e Formularin A2. Sipas zotit Vejsiu, për plotësimin e Formularit A2 maturantët duhet të kenë parasysh koeficientët e shkollave të larta për lëndët përkatëse, preferencat dhe llogaritjen e pikëve. Duke sqaruar këto pika, zoti Vejsiu është ndalur më konkretisht tek renditja e preferencave. Sipas tij: “Çdo maturant që do të plotësojë Formularin A2, duhet të ketë parasysh që duhet të rëndisë sakt preferencat. Pasi çdo preferencë prevalon në preferencën pasardhëse. Pra nuk mund të kërkojë maturanti që të vendosi preferencë të parë një drejtim që e ka ëndrrën e tij. Sepse po e vuri të parin nuk kthehet më dot tek e dyta. Duhet pasur kujdes tek preferenca”. Një ndër pikat mbi të cilin e ka vënë theksin zoti Vejsiu është ushtrimi me një fotokopje formulari me qëllim që maturantët të mos gabojnë në plotësimin e formularit të saktë. “ Maturanti duhet të ushtrohet me një fotokopje të formularit, përpara se të shkojë për të plotësuar online formularin e sakt. Kjo bëhet me qëllim që maturanti të jetë ushtruar dhe të jetë i bindur për zgjedhjen e preferencave dhe t’i vendosë ato pa gabime, sepse po u bë plotësimi i formularit online nuk ka më kthim pas”, tha zoti Vejsiu. Ndërkohë që përsa i përket vendit dhe orarit, zoti Vejsiu ka shtuar “Plotësimi do të kryhet në laboratorët e ngritur në shkolla. Maturantët janë lajmëruar për ditën kur do të paraqiten. I gjithë procesi do të nisë në orën 8:00 dhe do të përfundojë në orën 18:00. Një maturant nuk do të qëndrojë më shumë se gjysmë ore në sallë për të plotësuar formularin. Çdo laborator ka 16 kompjutera dhe me llogaritë që ne kemi bërë, rezulton se brenda orarit arrihet të evitohet fluksi i nxënësve”.

Plotësimi online dhe në letër

Zoti Vejsiu ka bërë të ditur që do të pranohen të dyja metodat e plotësimit edhe online edhe jo online. Në rast se sistemi online mund të paraqesë ndonjë avari, MASH do t’i ofrojë maturantit variantin e printuar në letër. Në këtë rast, plotësimi është i njëjtë. Lista e 303 programeve të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në vitin akademik 2012-2013 zë pjesën më të madhe të formularit A2. Maturantët duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë, për të gjetur programet e studimit që preferojnë. Për secilin universitet publik të Shqipërisë janë renditur të gjitha programet e studimit.

Llogaritja e pikëve në mënyrë dixhitale

Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë të ditur dhe risitë që do t’i ndihmojnë maturantët. Këtë vit është llogaritja e pikëve që ata kanë grumbulluar në mënyrë dixhitale. Në momentin që do të klikohet për preferencat, në soft dalin pikët e maturantit për degën përkatëse, pikët e fituesit të fundit të një viti më parë dhe ata shohin direkt gjatë plotësimit të formularit nëse i përafrohen degës së preferuar. Kjo është ndihmesë shumë e madhe për ta. Maturantët, para se të futen në laboratorin e aplikimit online, duhet të ketë bërë pagesën prej 2000 (dy mijë) lekësh për aplikimin me Formularin A2 në zyrat e Postës Shqiptare apo në një nga bankat e nivelit të dytë. Për kryerjen e pagesës maturanti duhet të ketë shkarkuar dhe printuar faturën, e cila gjithashtu do të jetë online në faqen zyrtare të AKP. Në udhëzimin e MASH është përcaktuar mënyra si do të shkarkohet kjo faturë.

Afati nga 23 korrik -5 gusht

Duke filluar që nga data 23 korrik do të kenë në dorë formularin A2, për të përzgjedhur degët ku kanë dëshirë të vazhdojnë studimet. Gjithashtu, MASH bën me dije se afati i fundit i plotësimit të tij do të jetë data 5 gusht. Pas kësaj date, asnjë maturant nuk do të ketë të drejtën të plotësojë formularin, duke humbur në këtë mënyrë edhe mundësinë për të kandiduar në universitet. Edhe këtë vit, të interesuarit do të kenë mundësi të zgjedhin deri në dhjetë degë, ndërkohë që përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas sistemit mëritë-preferencë.