KURUM po helmon njerëzit, faunën dhe florën e Elbasanit

    396
    Sigal

    ARM: Ndotja, 100 herë më e lartë se 23 vite më parë 

    Qyteti i Elbasanit, prej afro 10 vitesh, po përjeton ndoshta nivelin më të lartë të ndotjes, edhe se para 23  viteve, kur në punë ishin 17 fabrikat dhe uzinat  kineze të Kombinatit  Metalurgjik. Agjencia Rajonale e Mjedisit në Elbasan, shpesh vitet e fundit ka tentuar ta ndalë ndotjen e shkaktuar  sot nga i vetmi  subjekt  që  është  uzina e Çelikut, pronë e kompanisë turke  “KURUM”, duke kryer  kontrolle  rutinë, apo  edhe duke tentuar gjobitjen e saj. E ndërsa ARM ka tentuar, Komuna e Bradasheshit, e cila vjel nga KURUM miliona lekë taksa, ka toleruar me dashje ndotjen e fshatrave të saj, dhe për pasojë krejt  qytetit  të Elbasanit. Komuna e Bradasheshit shpesh ka qenë  pjesë e debateve të ashpra mes saj dhe Bashkisë  Elbasan, pasi kjo e fundit  kërkon nga kjo njësi e vogël  vendore, të vendosë masa  urgjente ligjore për të ndalur ndotjen masive nga oxhakët e furrat e KURUM. Çdo ditë tek dogana e Elbasanit, vijnë me dhjetëra maune me hekurishte jashtë standardit nga Kosova e Maqedonia, për t’u shkarkuar në uzinën e Çelikut  KURUM, duke çliruar nga shkrirja e tyre gazra helmues e duke  ndotur, veç  të tjerave edhe 12 fshatrat e Bradasheshit. Qytetarët e Elbasanit, prej vitesh  kanë nisur me qindra letra, sms  dhe peticione proteste në Kryeministri, Ministritë e linjës, deputetëve, duke kërkuar vendosjen e filtrave në uzinën e Çelikut KURUM, për të ulur dhe monitoruar nivelin e ndotjes. Përfaqësuesit e kësaj kompanie turke, gjithmonë kanë premtuar vendosjen e sistemit të filtrave, gjithmonë kanë deklaruar se “kemi investuar kaq  e aq milionë dollarë”, por qytetarët e Elbasanit dhe banorët e fshatrave të Komunës së Bradasheshit nuk kanë parë asnjë ndryshim. Ata janë pjesë e ndotjeve nga tymi, gazrat dhe helmet që dalin nga oxhakët e prodhimit kinez të  viteve 1970 të  ish-Kombinatit Metalurgjik, e përfundojnë në oborret e pallatet e tyre. Institucionet e shtetit (veç Bashkisë e cila gjithmonë përmes  kryetarit të saj Sejdini ka ngritur zërin) si ARM, Prefektura, Komuna e Bradasheshit, dhe dikasteret qeveritare, bëjnë veshin  shurdhër dhe syrin qorr,  kur banorët trokasin dhe ngrenë shqetësimin  e ligjshëm për ndotjen alarmante të shkaktuar nga KURUM. Burimet të sigurta thanë se “KURUM,  ka mundur t’i mbyllë gojën drejtuesve  të  komunës Bradashesh, ARM, dhe deri  ministrave të çdo qeverie që ka ardhur në Shqipëri në vitet e tranzicionit, duke rënduar mbi jetën e qytetarëve elbasanas”. Asnjë reagim nuk ka patur edhe nga këshilltarët vendorë. I vetmi që ka vite që ngre zërin për rritjen alarmante të nivelit të ndotjes në Elbasan, është kryetari Bashkisë  Sejdini, i cili nuk ka gjetur përkrahje deri sot jo vetëm nga këshilltarët e PD-së  dhe PS-së, por edhe nga  ish-ministrat e qeverisë së shkuar. Qytetarët e Elbasanit, por edhe banorët e komunës së Bradasheshit, kërkojnë të ndalet katastrofa e ndotjes nga KURUM. Në çdo vend tjetër të Europës, një kompani e tillë, që ndot qytetin dhe mjedisin në nivele alarmante do të merrte ndëshkimin më të ashpër ligjor nga shteti. Një shtet që bëhet palë me ata që shkelin ligjin, një shtet që del kundër qytetarëve të vet, jetës  dhe shëndetit të tyre, një shtet që bëhet spektator kur ndoten qytetet, mjedisi , fauna dhe flora, këto vlera të çmuara, ai është shtet i kalbur nga themelet. Qytetarët e Bradasheshit dhe të Elbasanit, apelojnë për ndërhyrjen e strukturave të shtetit, për  përgjegjshmëri nga Agjencia  Rajonale të Mjedisit, e cila është inekzistente në këtë qytet, për të ndalur dorën vrastare të një kompanie të huaj e cila nuk pyet për ligjet dhe tallet me fatin e 140 mijë banorëve të këtij rajoni. Elbasanasit i kërkojnë qeverisë dhe Kryeministrit Rama të mbajë premtimin e  fushatës, për  “Një Elbasan të pastër”.