Korçës i kanë vënë zjarrin dhe po digjet, por askush nuk e sheh se digjet ngadalë

    432
    Sigal

    Një rrëfim i veçantë për qytetin e Korçës sipas gjuhës së Ezopit. Në Korçë gjithçka rrjedh urtë e butë, as rrufetë nuk vijnë me gjëmime

    Në rrjetin social të “Facebook”-ut ekziston edhe një faqe që mban titullin, “Këtu mbledhim materiale për Korçën, shkrime historike, foto…” Komentet që postohen aty ngjallin një debat të zjarrtë aq sa të shkon mendja se diku më ndonjë cep të Korçës do të ketë rënë ndonjë zjarr i madh dhe nuk po lë gjë pa djegur. Ka edhe raste kur reagimet dhe kundëreagimet rrjedhin të qeta, respektohet etika, tregohet vetëpërmbajte, kulturë siç i ka hije Korçës, hidhen ide etj., por përgjithësisht, befas del dikush që i hedh zjarrit benzinë dhe flakët rriten dhe marrin përpjetë. Sigurisht të gjithë përpiqen të dalin nga rënia në gracka të tilla, por asnjëherë nuk është e lehtë, sepse askush nuk tërhiqet nga ideja dhe argumentet që ka sjellë. Gjithsecili është i vendosur t’i mbrojë pikëpamjet e veta me përkushtim madhor, pa menduar të tërhiqet aspak nga llogorja e vet. Mirëpo krejt ndryshe nga herët e tjera, mbrëmjen e kaluar u postua një shkrim me titull “Përshtypje të drejtshqiptimit në qytetin e Korçës”. Pa asnjë dyshim që u lexua nga të gjithë. Anëtarët e kësaj faqeje janë të shumtë dhe kureshtarë. Mirëpo, fillimisht vumë re se pati një stepje, nuk po bëhej asnjë koment, heshtja vazhdoi gjatë, ngurrimi nuk po largohej. E vështirë të thuhet pse po ndodhte kështu. Askush nuk kishte dëshirën të ndizte zjarrin dhe aq më pak  t’i hidhte benzinë. Çfarë të kishte ndodhur vallë? Disa komente erdhën me shumë vonesë. U vu re se materiali që ishte postuar nuk ishte kuptuar qartë. Kishte një farë konfuzioni mbi atë se çfarë dëshironte të thoshte autori për Korçën. Për këtë arsye ne menduam ta publikojmë atë postim, madje edhe ta komentojmë ashtu siç e kemi kuptuar: ideja e autorit ishte: “Korçës i kanë vënë zjarrin dhe po digjet, por askush nuk e sheh se digjet ngadalë…” Me këtë rast edhe të tjerët le të japin shpjegimet e tyre ashtu siç e kanë kuptuar vetë ata. Materiali u postua nga Gjergji Gusho, por autori i shkrimit ishte A.S. Kushi, që po ta shohësh me pakëz me vëmendje të krijohet ideja se autori e ka emrin “Askushi!”.

    Bashkudhëtari

    A.S. Kushin, (në materialin e postuar në Facebook), e  gjejmë duke udhëtuar drejt Korçës. Ka vendosur ta vizitojë me patjetër këtë qytet. Bashkëstudentët e tij nga Korça i kanë treguar shumë për qytetin e tyre dhe tashmë ai dëshironte ta njohë këtë qytet. Fatmirësisht pranë tij ka zënë vend një pasagjer nga Korça. (Me sa duket ish-studenti udhëtonte me mjete publike). Rrëfimi i tij fillon kështu: “Nuk kisha qenë kurrë në Korçë. Kisha ardhur me pushime në Pogradec dhe, me që isha afruar aq shumë këtij qyteti, për të cilin kisha dëgjuar e lexuar aq shumë, vendosa të shkoja për kuriozitet ndonjë ditë. Ç’është e vërteta, përshtypjet e para për këtë qytet i kisha nga disa shokë korçarë, me të cilët studionim bashkë në fakultet. Por, tjetër është të dëgjosh, e tjetër është të shohësh e të dëgjosh kur shkruajnë e flasin korçarët në Korçë. Përshtypjet e para filluan që në autobus në të cilin po udhëtoja. – E mo, pe nga të kemi? – më foli bashkudhëtari që ishte ulur ngjitur me vendin tim. – Jam nga Tirana, – i thashë. – Mirë se nga Tirana, po origjinën pe nga e ke, se në Tiranë ka shumë pak vendas tiranas, shumica janë të vajtur. Nga të folurit dukesh sikur je nga anët tona. Këtu u ndodha ngushtë. – Po , si të them, – i thashë, – ja, babanë e kam nga veriu i Shqipërisë, ndërsa nënën nga jugu. Vetë jam lindur në Tiranë. – Ke qenë ndonjëherë në Korçë? – Jo, është hera e parë që po shkoj. Do të rri vetëm një ditë për të parë Korçën. – Po si s’paske ardhur asnjëherë, o tu mbylltë? Nejse, do ta shikosh e do të kënaqesh, – më tha me zë të lartë, – s’ ka si qyteti tonë. Desha ta korrigjoja duke i thënë se duhet thënë “qyteti ynë” por, me qe nuk ishim njohur shumë, e lashë të fliste. – S’po të tregoj asgjë për Korçën, më mirë shikoje vetë dhe do të bindesh se është një “ Paris i vogël”. – Keni qenë ndonjëherë në Paris ? – e pyeta për kuriozitet. – Po , ç’ne o t’u mbylltë, se kollaj është të shkosh në Paris ? Le që ja shikoje Korçën dhe sikur ke qenë në Paris.

    Përshtypja e parë

    Duket qartë që A.S.Kushi pëson zhgënjimin e parë fill pas bisedës me banorin nga Korça. Ai i thotë se Korça është një “ Paris i vogël”, por vetë nuk ka qenë asnjëherë në Paris . Për të mjafton të shikosh Korçën dhe zëre sikur ke qenë në kryeqytetin e Francës. Sipas tij, njëlloj janë, madje Korça mund të jetë edhe më e bukur! Megjithatë edhe aq i zhgënjyer A.S.Kushi nuk mund të ketë mbetur, sepse diçka do ta ketë ditur edhe më parë, ndaj thotë: “Por, tjetër është të dëgjosh, e tjetër është të shohësh e të dëgjosh kur shkruajnë e flasin korçarët në Korçë”. Gjithsesi, ai ende shpreson se në qytetin e Korçës do të gjejë të gjitha ato për të cilat i kanë folur bashkëstudentët e tij.  Dhe fillimisht, kur mbërrin në Korçë, prezantimi është shpresëdhënës: “Zbrita në Korçë, vijon rrëfimin e tij A.S. Kushi. Qyteti ishte vërtet i bukur, i pastër e i ndërtuar me planimetri dhe estetikë. Ju, ndoshta, keni qenë në Korçë dhe e keni parë me sytë tuaj, por unë do të flas për disa përshtypje të tjera të miat”.

    Ku është Korça e vjetër?

    Nuk qe e thënë që A.S.Kushi të mos merrte një zhgënjim tjetër: “Korça m’u shfaq disi më ndryshe nga ajo që e kisha përfytyruar, thotë ai. Nga bisedat që kisha pasur me bashkëstudentët e mi korçarë më ishte krijuar ideja se rrugët brenda Korçës do të ishin më të ngushta, si të thuash sa katër të pestat e atyre të qyteteve të tjera, sepse në Korçë nuk mund të kishte rrugë, por “rugë”. Bile dhe hotelet do të ishin më të vogla dhe aspak të larta, ndërsa dyert e hoteleve të ishin disi të rrumbullakëta të një arkitekture të vjetruar. Pra do të kishte vetëm “otele” dhe aspak Hotele. Edhe hanet e vjetër mendoja se do të ishin të vegjël sepse u theshin “ane”. Por A.S.Kushi duket se nuk gjen asgjë nga ato që i kishin treguar studentët dikur. Nuk ekziston më ajo arkitektura e vjetër, dyert e rrumbullakosura etj.. Ku shkuan vallë të gjitha ato që fliteshin një herë e një kohë për Korçën? A.S.Kushi nuk gjen asgjë dhe trishtimi i tij është i madh. Sigurisht, njeriu e ka të vështirë të përballet që në fillim me të kundërtën e përfytyrimit të vet, ndaj nis të kërkojë me shpresën se do të gjejë diçka tjetër qoftë edhe një gjë të vogël nga ato që i kanë treguar të tjerët kohë të shkuara, por a e gjeti vallë A.S.Kushi atë që kërkonte?

    “Zjarret e Korçës”

    A.S.Kushi rrëfen më tej të papriturat që gjeti në qytetin e Korçës. “Përshtypje të tjera filluan më vonë dhe po i rendis më poshtë, na thotë ai: M’u krijua përshtypja se në Korçë nuk mund të binin zjarre të fortë e të mëdhenj dhe nuk mund të kish asnjëherë rrezik për asgjë. Rrezik zjarri atje nuk kishte, kishte vetëm “rezik zjari”; domethënë se rreziku qe më i vogël dhe zjarret, natyrisht, më pak të nxehtë. Këtë përshtypje ma përforcoi edhe një tabelë që pashë në “Ma – Po ”-n qendrore, domethënë në dyqanin e madh ku shiteshin mallra të ndryshme. Në tabelë paraqitej e vizatuar një shtëpi që digjej dhe në të mbishkrimi: “Ndalohet duhani. Rrezik zjarri”, si dhe nga një makinë autobot që kaloi pranë, ndoshta i caktuar për të transportuar vajguri, ku në depozitën e saj shkruhej “Rrezik zjarri”. Ndoshta në Korçë bien shumë pak zjarre e dëmet mund të jenë vetëm me disa miliona lekë për secilin, por kjo nuk është shumë. Çdo njeri duhet të dijë se mbi Milionin është edhe numri Miliardë, kështu që në Korçë kjo nuk është arritur akoma”.

    “Korça po digjet”

    Paragrafi i mësipërm i A.S.Kushit duket paksa i vështirë për t’u kuptuar, ndaj edhe anëtarët e faqes së Facebook-ut, “Këtu mbledhim materiale për Korçën, shkrime historike, foto etj.”, në kohën që mbërriti postimi i materialit, për të cilin po flasim, pati një farë stepjeje, nuk po bëhej asnjë koment dhe heshtja vazhdoi gjatë. Por ne mendojmë se rrëfimi i A.S.Kushit  nuk është i pakuptueshëm, ai është i ndërtuar mbi metaforën e gjatë, ose e thënë ndryshe mbi alegorinë. Në këtë rast çelësi qëndron te “gjuha e Ezopit” Shpjegimi ynë është ky:  A.S.Kushi gjithnjë ka menduar se në qytetin e Korçës nuk kishte për të rënë ndonjëherë “zjarri”. Madje, ai duhet të ketë menduar se identiteti i Korçës do të ruhej dhe Korça e vjetër do të ekzistonte edhe për brezat që do të vinin. Me “zjarr” z. Kushi, kupton “shkatërrimin”. Ideja e tij është krejt e qartë kur thotë: “Ndoshta në Korçë bien shumë pak zjarre e dëmet mund të jenë vetëm me disa miliona lekë për secilin, por kjo nuk është shumë. Çdo njeri duhet të dijë se mbi Milionin është edhe numri Miliardë, kështu që në Korçë kjo nuk është arritur akoma…”. Nga  e gjitha kjo kuptojmë se “Korçës ia kanë vënë “zjarrin” dhe “po digjet”, por askush nuk e sheh sepse “digjet ngadalë”. Këtu në Korçë, gjithçka bëhet pa zhurmë e pa bujë, por nëse  dëmet  deri më tani kanë  shkuar në miliona lekë, nesër do të llogariten në miliarda.

    “Vera dhe rakia”

    Meqenëse paragrafi ku kemi mbërritur nuk është dhe aq i komplikuar sa për të mos u kuptuar, po e sjellim ashtu siç është.  Ja çfarë shkruan A.S. Kushi: “Verën korçarët e pinë shumë e me qejf të madh. Atyre ua kalojnë në të pirë vetëm pogradecarët, të cilët janë mjeshtër në të pirët e kësaj pijeje. Ndonjë herë tjetër mund të flasim edhe për “pijetarët” e Pogradecit, por kjo do të jetë njëherë tjetër, kur të shkruaj për përshtypjet e atij qyteti. Thashë se korçarët verën e pinë shumë, megjithëse e tyrja është më pak e mirë se e rretheve të tjera. Arsyeja është se për shkak të klimës së tyre të freskët, rrushi nuk arrin të piqet mirë, nuk ëmbëlsohet sa duhet. Rrushi në Korçë mbetet vetëm “rush”, domethënë mbetet pak si i thartë e, nganjëherë aguridhe, si i thonë këtu. Por vera e mirë këtu vjen nga Leskoviku, Përmeti e të tjera rrethe. Vetëm rakinë e rrushit e bëjnë dhe e pinë të fortë 18-19 gradë. Bile rakia e manit pihet edhe 22-23 gradë. Kjo vjen, ndoshta, ngaqë zjarri në Korçë, duke qenë “zjarr”, domethënë jo i fortë, arrin të avullojë vetëm alkoolin, ndërsa ujin fare pak. Me që kujtuam rrushin, po përmend edhe disa pemë të tjera. Përveç mollëve të mira, Korça përmendet edhe për arrat e saj. Arrat këtu janë të buta, sa thyhen edhe me dorë, prandaj dhe vendasit u thonë “ara”. Edhe gorricave u thonë “gorrica”, sepse nuk janë kurrë mbytka që të rrudhin gojën, ato janë të bryllta që në pemë” (Pra, në Korçë gjithçka shkon urtë e butë e mirë)
    Ruajtja e mjekrës”

     A.S. Kushi, shkruan edhe për rrogozat, edhe për ruajtjen e mjekrës: “Vlen të përmendim edhe rrogozat që prodhohen në Korçë e që preferohen shumë,- shkruan ai. Ata nuk janë të ashpër, por janë të butë si sfungjer, prandaj dhe u thonë “rogozë”. Përshtypje më bënë edhe rrojtoret. Në Korçë berberët të “ruajnë” domethënë të rruajnë lehtë. Por çudi, qimet duhet të rriteshin shpejt dhe burrave do t’u duhej të rruheshin bile edhe dy herë në ditë, kjo gjë nuk ndodh. Nga kjo e keqe këtu i shpëton vetëm freskia që ngadalëson rritjen e qimeve të mjekrës. Këtu qimet e mjekrës vetëm “rriten”, domethënë rriten ngadalë. Ka mundësi, madje, të jenë edhe më të buta se të burrave të rretheve të tjera”.
    Hiri i Korçës”

    Autori i këtij shkrimi shfaqet mjaft alegorik edhe kur i vjen radha për të folur për “hirin e Korçës”, ndaj përsëri do të na duhet ose ndihma e Ezopit ose ndihma e La Fontenit.  Në Korçë vërtet bien zjarre, por shenjat e hirit nuk duken gjëkundi. Dhe kjo është e çuditshme. “Kur folëm për zjarret në Korçë, shkruan autori, harruam për hirin që lë zjarri pas. Në Korçë, pas zjarrit, nuk mbetet hi në atë sasi sa mund të mbetet në vende të tjera. Ai është fare pak, sa mezi duket, prandaj i thonë “i”, domethënë gjysma më e dukshme ka humbur, ka avulluar. Ajo as dëgjohet, as duket. Kjo mund të duket e çuditshme, por mendoj se ka një bazë shkencore. Kjo mund të vijë si rezultat i presionit të ulët atmosferik. Nuk duhet harruar se Korça ndodhet rreth 850 metra mbi nivelin e detit, ajri është më i rrallë. Domethënë është “i rrallë” dhe avullimi bëhet më i madh, prandaj nga gjithë ai hi që duhej të mbetej, këtu mbetet vetëm pak “i”. Domethënë nga një grusht me hi, këtu mbetet vetëm një doçkë “i”. Prej ajrit të rrallë këtu shumë gjëra marrin një pamje të çuditshme, sikur diçka u mungon. Kështu hekuri këtu duket me i butë, ai është “ekur”. Helmet zbuten e bëhen më pak të rrezikshëm, domethënë bëhen “elme të rezikshme”. Po nga ky shkak edhe Hëna këtu nuk duket kurrë e plotë, gjithmonë do të duket pak e ngrënë. E shumta, e shumta do të duket “ënë” e jo më shumë”. I gjithë ky rrëfim duket jo vetëm i çuditshëm por edhe si i nëndheshëm”.
    Shi pa rrufe e gjëmime”

    “Shiu bie rrallë herë, shkruan më tej autori, e kurrë me rrapëllimë e me rropamë. Për këtë arsye nuk ka përrenj të mëdhenj që të rrjedhin me rrëmbim rrëzë maleve sa t’u nxjerrin rrënjët e të rrëzojnë lisat, apo të rrokullisin shkëmbinjtë. Edhe rrufetë nuk janë kurrë rrufe të vërteta, ato janë shkëndija të vogla që u thonë “rufe”. Thonë se në dimër këtu bën shumë ftohtë, por banorët e Korçës nuk e ndiejnë aq të ftohtit sa do ta ndiente dikush tjetër i ardhur nga bregdeti, ata janë të kalitur. Ata nuk preken nga rrufa, një sëmundje e të ftohtit. Në dimër ata mund të ndiejnë pak “ftotë” dhe mund të kalojnë një “rufë të letë”, prandaj dhe rrobat nuk i veshin të trasha, ata mbajnë vetëm “roba”, që janë më të holla, fine, elegante dhe s’kanë nevojë të hekurosen”.
    Ata nuk vrapojnë ecin me “apa”

    Korçarët nuk vrapojnë, nuk ecin me hapa, ata ecin shtruar, me “apa”, mbajnë mend gjithçka dhe nuk harrojnë asgjë. Kështu duket sikur na thotë A.S.Kushi. Por më mirë le t’u referohemi fjalëve të tij: “Një veti tjetër pozitive e për të pasur zili është së këtu njerëzit kanë një kujtesë të fortë, ata kurrë nuk harrojnë, ata vetëm mund të “arojnë” domethënë vetëm gjëra të vogla e pa rëndësi, por edhe këto jo nga herë, por nga një “erë”. Ndonëse nuk janë shumë të muhabetit për të treguar historira, por “Istorinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit e dinë përmendësh. Edhe të moshuarit këtu duken më të rinj nga bashkëmoshatarët e tyre. Në fytyrë nuk kanë rrudha që bien në sy, ata kanë pak “rudha” sa mezi duken dhe rrugës që ecin me hapa të vogla, ata vetëm “ecin” me “ apa” në “rugicat” e mbuluara me kalldrëm me gurë”. Kështu e përfundon rrëfimin e tij autori në fjalë. Ne e lexuam sipas Ezopit, ju lexoheni si të dëshironi, pasi në të dyja rastet nuk do të mbetet pa kuptim.

    Vepror Hasani